(2L ONLINE) – Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me organiztaën “Agro-Eko” të mbështetur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, do të nis sot projektin e themelimit e Këshillave të fshatrave, vendbanimeve apo lagjeve urbane.
Konstituimi i Këshillave do të nis sot më 2 korrik 2014 në fshatin Pogragjë, në ora 17:30, ku përfshihen edhe fshatrat: Bilinicë, Llovcë, Sllubicë, Inatoc-Kokaj.
Në takimin e djeshëm të mbajtur nga Komisioni Komunal për themelimin e Këshillave të fshatrave, të cilin e kryeson Avdyl Aliu, është njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të mbajtur zgjedhjet në tri fshatrat e planifikuara për këtë fazë.
Anëtarët e këtij Komisioni kanë falënderuar Ambasadën Amerikane për mbështetjen që po i jep Komunës së Gjilanit për këtë projekt të rëndësishëm për avancimin e demokracisë në Gjilan.
Ndërkohë, më 3 korrik 2014 do të konstituohet Këshilli në fshatin Zhegër në ora 17:30, në të cilin pëfshihen fshatrat: Demiraj, Haxhaj, Kurexh, Terziaj, Selishtë, ndërsa në fshatin Livoçi Ulët Këshilli do të themelohet më 4 korrik 2014 në ora 17:30, për të vazhduar edhe me konstituimin e këshillave tjerë në fshatra, vendbanime apo lagje urbane. /2L ONLINE/