ANTON NIKË BERISHA
POEZIA SI PASURIM DHE NGUSHËLLIM SHPIRTËROR
( Albina IDRIZI: “Trokitje të prushta”, edituar nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, shkurt, 2022 )
Përmbledhja më e re me poezi e Albina Idrizit “Trokitje të prushta” dëshmon për një rrëfim poetik sa të natyrshëm aq dhe të çiltër. Poetja i shqipton fshehtësitë e botës së brendshme, të shpirtit, për arsye se, siç thoshte F. I. Tjutçev: Mëso të jetosh në shpirtin tënd, në të ka një botë të tërë. Njëherit, përmes një të shprehuri modern poetik: “Në buzë je puthja që njomë; E mësoi të flasë me fluturat”; “Të vështroj dhe shoh sytë e mi”; “Trokita në sytë e tu”, një teksti të figurshëm e të shtjelluar me përkushtim, ajo gjakon t’i shpalosë dhe t’i shprehë edhe fshehtësitë e dukurive e të gjërave me të cilat njeriu është në marrëdhënie të vijueshme.
Këtë gërmim poetik dhe shqiptim të veçantë të të fshehtave, autorja e bën përmes njësimit të realitetit konkret me realitetin imagjinativ dhe të ballafaqimit, të përplasjes e të kundërvënies së mendimeve e të dukurive, gjë që ndërlidhet mirëfilli me atë që thitë poeti i madh gjerman, Gëte (Goethe): “Të gjesh mjetin me anë të figurave që i kundërvihen njëri – tjetrit, por dhe që pasqyrojnë njëri – tjetrin, përmes tyre t’i zbulojnë perceptuesit mendimin e thellë, për ty të shtrenjtë” .
Ky parim krijues poetik jo vetëm që mundëson të ndriçohen çështje të qenësishme të dukurive e të shpirtit të njerriut, po edhe të shprehen poetikisht në mënyrë të ndërliqshme (komplekse): shprehja poetike ka mundësi të ketë një formë më të ngritur, të jetë më e pasur dhe, si kuptimësi, të degëzohet më shumë. Kështu teksti poetik, edhe poezia si tërësi shtjelluese kuptimore, shndërrohet në tinguj të pleksur, në shumësi kumtesh që janë të aftë të ndikojnë më shumë estetikisht në marrësin. Në këtë mënyrë teksti i shenjave e bën botën e vdekur të gjallë, të shpirtëzuar. Autorja është e bindur se poetët kanë të drejtën e “zhbirimit nëpër tejbotë” (Shih poezinë me titullin “Nëpër tejbotë”); ata vihen në kërkim të përhershëm të fjalës dhe bëhen edhe vetë fjalë. Pra, përftimi i tekstit poetik nënkupton flijimin: “që më jep jetë / duke më marrë”.
Poezia e Albina Idrizit s’ka një objekt poetik të njënjëshëm (unik), po është një mozaik i shqiptimit të dukurive dhe të pamjeve, që “[…] rreket të dëgjojë / heshtjen e vet” ose “lëshojnë zërë përmes heshtjes”; ose janë të pranishme përmes mungesës, kur gjithçka gjakohet të heshtet “të një fjalë / që thuhet pa zë”. Kjo dëshmohet me shprehjen që e përdor autorja: Heshtja flet brenda nesh.
Në vështrim të parë fitohet përshtypja se poezia e Albinës është e qetë, butësore, madje e hareshme, po në qenësi shumëçka lidhet me shqetësimin (“Ç’të bëj me veten e tepruar”), me pësime (“kur duam të shkojmë / ende pa u nisur”), me vetminë (“Kur ti je larg / shtëpia ruan vetminë time”), pra, përshkohet nga një përmallim e pikëllim, qoftë kur dukuritë vështrohen në rrjedhën e përditshmërisë, qoftë kur poetja i kthehet fëmijërisë dhe asaj që nuk është më. Kjo të kujton mendimin e Nënës sonë Tereze (tashmë e shpallur e shenjtë nga Vatikani) të thënë më 1958: “Buzëqeshja ime është një mantel i madh që mbulon një shumësi dhembjesh ”.
Qenësia e përmbledhjes “Trokitje të prushta” përligjet para së gjithash nga mënyra e shtjellimit të tekstit, nga të shprehurit gjuhësor figurativ, nga shumësia e mendimeve që dalin nga vargjet dhe poezitë, edhe kur autorja me qëllim i hesht disa gjëra, nuk i shpreh mendimet tërësisht, po le që lexuesi të vazhdojë komunikimin edhe me atë pjesë të tekstit që nuk shkruhen, nuk shënohen me shenja: “fjalësh të pathëna” ose “zëri i të pathënës”. Me fjalë të tjera, gjakohet zbulimi i kodit të heshtjes. Këto vende të zbrazëta në tekst (“Die Leerstellen eines literarischen Textes”) sipas VV. Iseri-t (Izeri), përcaktojnë marrëdhënien e marrësit me tekstin letrar: “Sa më shumë që tekstet të pësojnë nga papërcaktueshmëria e tyre, aq më tepër lexuesi inkuadrohet në përfundimin e intencave të mundshme të tyre […]” dhe “[…] vendet e zbrazëta në tekstin letrar nuk janë mungesë, sikur mund të mendohet, ato janë parakusht themelor për veprimin e tij” .
Në poezitë e përfshirë në këtë libër vërehet se autorja i zgjedh dukuritë që i bënë objekt vështrimi poetik; di të shkëpusë e të dallojë të veçantën, qoftë edhe imtësitë, por që shprehin gjëra dhe mendime të mëdha; nuk e shfaq pandërmjetësisht ndjenjësimin, nuk përdor fjalë pohuese, po tekstin e përftuar e shndërron në shprehje dhe në pamje poetike. Pra, ndjenjësimi mbetet në shtresat thellësore të shprehimësisë së tekstit.
Është thënë me të drejtë se arti është një përpjekje, ballafaqim e flijim i pambarim; kush mbështetet në lehtësinë e përmbushjes së qëllimit në hartimin e veprës artistike, dëshmon se e ka shpërfillur pikërisht gjakimin: krijesa e tillë kërkon përkushtim të shumëfishtë e të pazakonshëm, që dëshmohet edhe nga ky mendim i Th. S. Eliotit: “Përparimi i artistit është një vetëflijim i vazhdueshëm, një shuarje e vazhdueshme e personalitetit të tij” .
²
Kur e lexon me vëmendje poezinë e Albina Idrizit dhe thellohesh në tekstin poetik të përftuar nga ajo, kur, pas leximeve, vijon të njësohesh për herë e më shumë me vargjet dhe me kumtet që dalin prej tyre, me poezitë si tërësi shprehëse dhe kuptimore, atëherë vetvetiu e kujton mendimin e Edgar Allan Poe-së: “[…] një poezi e meriton vlerësimin e saj për aq sa ajo arrin ta ngacmojë emocionalisht shpirtin, duke e lartësuar atë” .
Kush e lexon me përkushtim këtë përmbledhje me poezi, do ta përjetojë këtë. /2LONLINE/