Poezia e Fredrik Rreshpjes – poezi kulmore

Poezia e Fredrik Rreshpjes – poezi kulmore

(Frederik Rreshpja: “Era përkund pikëllimin e luleve”. Poezi e zgjedhur. Zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë Berisha. Botoi Sh. B. “Beqir Musliu” Gjilan 2018)

Përmbledhja me poezi “Era përkund pikëllimin e luleve” e Frederik Rreshpjes, veçohet në radhë të parë për punën përkushtuese të zgjedhësit, Anton Nikë Berishës, për t’i sjellë lexuesit shqiptar dhe letërsisë shqipe, autorin Rreshpja dhe poezinë e tij në një dritë të mirëfilltë, të vlerësuar si asnjëherë më parë përmes një parathënie, që mund të cilësohet edhe si studim.

Nga: Ajete ZOGAJ

Libri “Era përkund pikëllimin e luleve” cilësohet për artin e madh dhe si e tillë është poezi kulmore.

Ajo që e veçon këtë përzgjedhje poetike dhe përgjithësisht poezinë e Rreshpjes, është moderniteti i shprehjes lirike, i vargut të përpunuar, që është i mëvetësishëm dhe kërkon një lexim të kujdesshëm. Autori synon të ruajë drejtpeshimin emocional dhe mendor në të shprehurit poetik e në hartimin e imazheve të veçanta, edhe pse jeta i solli dallgë e rrebeshe të shumta.

Ndoshta konstatimi i dhënë në krye të këtij shkrimi mbi poezinë e Rreshpjes, edhe mund të duket ‘i fryrë’ ose i tepruar, ngase, poezia e tij ose nuk është lexuar me kujdes, ose nuk është analizuar e interpretuar si duhet dhe se edhe sot e kësaj dite autori sikur ka mbetur ‘në hije’ dhe pa vendin meritor të poezisë së tij në letërsinë tonë dhe në tekstet tona shkollore.
Duke lexuar përmbledhjen “Era përkund pikëllimin e luleve”, shpalosën preokupimet, ëndrrat, kujtimet, vuajtjet dhe vetmia e poetit, që thuhen përmes vargjeve dhe pamjeve poetike, që jo vetëm janë të veçanta, po dhe komunikojnë ndryshe në krahasim me poetët e tjerë të kohës së tij.

Ky komunikim ndryshe, kjo mënyrë e të shprehurit poetik ndryshe, kërkon një qasje dhe një interpretim tjetër të poezisë së Rreshpjes, të gjurmohet në intertekstin poetik, që shpreh qenësinë e saj si vlerë dhe si mundësi komunikimi artistik.
Të gjitha poezitë e kësaj përmbledhjeje (nisur nga titulli i përzgjedhur me shumë shkathtësi: lulja sinonim i jetës dhe pikëllimi si sinonim i vetmisë) të fusin në një botë poetike komplekse, me përfytyrime të pazakonshme e të pasura, ku figuracioni dhe simbolika marrin përmasa të mëdha.

Duke e parë nga brenda këtë poezi, del dhe më kuptimplotë vlerësimi i profesor Berishës i shprehur në parathënien e librit: “Poezia që përftoi Frederik Rreshpja, sidomos pjesa më cilësore e saj e përfshirë në këtë zgjedhje, e përcakton atë në mënyrën më të mirëfilltë, përkatësisht është dëshmia më e mirë e qenësisë dhe e veçantisë së tij si poet dhe e pasurisë së tij shpirtërore krijuese” (faqe 9).

Në poezinë e këtij libri, përveç botës së brendshme të krijuesit, vërejmë dhe mënyrën e natyrshme të paraqiturit të realitetit të kohës përmes tablove poetike, luftën e klasave, jetën e rëndë që kalon si në teh shpate dhe pranverën e cila mbi gjethet e shelgjeve që thyhen lehtë mund të ‘vdes’ e të shndërrohet në vjeshtë:

Më rri me shpatën e luftës së klasave në dorë.
Nata e prerë ra te këmbët e mia
Dhe shpirti i hënës kullon yje si teh çeliku.
Pranvera që rron mbi shelgjet
Vdes dhe shndërrohet në vjeshtë.
(Nata e prerë ra tek këmbët e mia)

Vargu i Rreshpjes është kryesisht imagjinativ, po herë – herë i drejtpërdrejtë dhe sfidues ngase i tillë ishte edhe rrugëtimi i tij jetësor i mbushur me shumë peripeci të hidhura e me vuajtje të shumta, siç shprehet në vargjet:

“Jam cigan i shirave dhe stuhive,
Jam Noe i zemëruar me tërë peizazhet;
Me varkën e shiut më ndjek pas kudo,
Fati im prej shpate. (faqe 39).

Se Rreshpja filloi të shkruajë që herët e dëshmon poezia “Testament” dhe se i shihte gjërat ndryshe:

“Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur
i mallkuar me art.
Gjërat i shihja ndryshe:
Nëpër shirat e vdekur….

Apo në vargjet e tjera, ku poeti me modesti do të thotë se nuk e donte famën e stisur:

“Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka
dhe të harrohem se nuk dua që edhe pas vdekjes
të më ndjekë mallkimi i artit.
Mos e pastë njeri këtë fat!” (faqe 36)

Këto vargje dëshmojnë qartazi se Rreshpja nuk ishte autor oborrtar i sistemit në të cilin jetoi dhe krijoi (nga se dihet se ai vuajti për 17 vjet nëpër burgje), po krijues që i interesonte arti, mënyra që përmes artit të komunikojë me dukuritë, me shqetësimet dhe me fatkeqësitë. Pra, nuk është aspak i rastësishëm vargu: “ Mos e pastë njeri këtë fat!”; fatin e tij të hidhur ai nuk ia dëshironte asnjë njeriu.

Në disa nga poezitë, zë vend edhe dashuria, por që Rreshpja i ‘këndon’ ndryshe , është një ‘këndim shumështresor e shumëkuptimesh, ngase e dashura e tij është fshehur pas një reje, por jo në rrugë, jo në kopsht, apo në ndonjë vend tjetër.

Pjesa dërmuese e poezive të kësaj përzgjedhje përshkohen nga dy dukuri: dhimbja dhe vetmia; shqetësimi dhe tundimet shpirtërore, të cilat Rreshpja i përjetoi dhe një pjesë e brezit të tij nga regjimi i atëhershëm, që mund të merret si një ferr.
Në ciklin “Në çdo gur fshehet një statujë nëne” autori gjakon gjeografinë e atdheut, figurat e rëndësishme kombëtare: Skënderbeun, De Radën, Atë Fishtën, etj., apo edhe gruan e flijuar në themelet e Kalasë, për të cilën Rreshpja do të kërkojë ta bekojnë:

O Medaur!
Bekoje këtë qytet që lindi nga një grua,
Tani që ra hëna e syve të mi.
(Rozafa e flijuar)

Me cilësitë e përmendura, botimi i këtij libri dallohet nga ato të bëra më parë në Tiranë, Shkup e Prishtinë.
Është për t’u vlerësuar edhe gatishmëria e Sh. B. “Beqir Musliu” me botuesin, poetin Sabit Rrustemi, që të botojë këtë vëllim me poezi, me çka ata nderuan veprën e Rreshpjes si vlerë, Rreshpjen si poet, duke i ‘ngritur’ një përmendore meritore në ‘kalanë’ e artit tonë të fjalës, ku poezia e tij e ka vendin e merituar.

Po e mbyll këtë shkrim me një mendim të nxjerrë nga parathënia e kësaj zgjedhje të Rreshpjes: “Rreshpja përftoi një poezi burimore dhe të mëvetësishme, fryt i një bote të pasur shpirtërore dhe i një përfytyrimi të parëndomtë, që dëshmohet sidomos nga poezitë e përfshira në këtë zgjedhje – si pjesa më cilësore të poezisë që krijoi […] ai përmbys shumëçka nga rëndomësia e krijimit dhe realitetit konkret: përmbyset figuracioni, përmbyset metafora, krahasimi.

Me një fjalë, ai krijon diçka që nuk ekziston në përditshmëri: ‘Përditë më duhet të nxitoj drejt diçkaje që nuk është’, thotë ai, po që bëhet e mundshme dhe konkrete në rrafshin poetik shprehës, që mundëson ndërlidhjen me atë që ka mundur të jetë ose që mund të ndodhë, të ekzistojë qoftë dhe në mendje.

Kështu, teksti poetik që krijon Rreshpja, e zgjeron përfytyrimin për të pamundshmen, që bëhet e mundshme; në tekst gjërat bashkëjetojnë në mënyrat nga më të ndryshmet dhe brenda kohës subjektive”.

KOMENTE