Poezia që fitoi Çmimin e tretë në konkursin tematik letrar për heroin Idriz Seferin
Izet ABDYLI
IDRIZ SEFERI
Heu Idriz Seferi me koburen plot
shallin si retë e bardha
kalorës me flatra
m’ u shfaqe sot
Vetullngrysur
i ndërruam ca llafe cok
për këtë trohë lirie, o burrë i dheut
për tkurrjen e gjeografisë së atdheut
Të thash se
prapë janë ngjallur grabitçaret e tokave
gurët e kufijve ende nuk po zënë vend
e megjen po na shtyjnë bacalok
Si gur stralli
sytë i lëshuan shkendija
Kur preket kufiri, më tha: nuk duroj dot
saĺl më prit t’u lëshoj kushtrimin trimave
këtu na keni për jetë e mot
Mjaftoi një zë kushtrimi nga Karadaku plak
lëndina u mbushë me trima
nga majë e Lypetenit
plisbardhët zbrisnin varg e varg
Eu të lumtë, i thashë, bacalok
atij buza i shkoi në gaz:
kur të ketë nevojë atdheu
ne ringjallemi prapë
se nuk na tret dheu
Eh sa shumë do të çmallesha
me heroin tim
po të mos shpërthente kënga
në kupë të qiellit:
,,N’ Kaqanik deri n’ Boletin
tanë Kosova u mlue n’tym”
shifra ,,VEGIMI I KALORËSIT”