Anton NIkë Berisha
POEZI E RRAFSHIT KULMOR OSE RRËFIMI POETIK PËR ANËN TJETËR TË DUKURIVE
( Parathënia e librit me poezi të zgjedhura të Ramadan Musliut, SHTJELLË SHPIRTËRORE, që doli sot prej shtypit dhe u editua nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu” )
“Që në ag të artit, pra, që në mjergullat e paleolitit, njeriu – krijues bëri përpjekje për të depërtuar matanë pseudo-konkretes që e rrethonte, bëri hapat e parë drejt bërthamave të fshehura ndër grumbujt e gëzhojave. Në të vërtetë, gjatë kriji-mit nuk e interesonte aq shumë uji i lumit që vinte e shkonte, po ‘ajo’ që sillte kur vinte dhe ‘ajo’ që mbetej pas tij, kur shkonte […] Thënë ndryshe, nuk e tërhiqte fort rraptima që dëgjohej nga të gjithë, po ‘ajo’ që shkaktonte rraptimën. Kjo, me siguri, nuk ishte kurrfarë ikje nga realiteti objektiv, se nga ai, ashtu sikur edhe artistit të sotëm, i vinin impulset, se ai shkaktonte impera-tivin për t’u orvatur të shprehë ‘atë’ që vinte nga jashtë dhe, të transformuar, ta paraqesë në faqet e shkëmbinjve (kur vizatonte në të – v. ime). Në transformim e sipër ‘gjërat’ pastroheshin, qëroheshin, kulloheshin, ‘zvogëloheshin’, për t’u bërë pastaj më të ‘gjëra’ në shkëmb; ato vinin e shndërroheshin në një gjuhë figurative që ngërthente më vete palcën e tyre, qenësoren, në një gjuhë që me fuqinë e vet për transformime çeli shtigjet që çonin kah kristalizimi i shpirtit të njeriut .”
ANTON PASHKU
Poezia e Ramadan Musliut me vlerat e saj poetike të shumta e të qenësishme, që përligjen mirëfilli me zgjedhjen “Shtjellë shpirtërore”, hyn në rrethin më të ngushtë të veprave që bëjnë kulmet e poezisë bashkëkohore shqipe.
Që me përmbledhjen e parë “Parodia e trupit” (Rilindja 1981) autori dëshmoi një botë poetike sa të veçantë aq dhe të pasur, që u përligj dhe u lartësua në përmbledhjet e tjera, duke mbërritur kulmin me “Gjendje neutrale” (Rozafa 2019).
Natyrisht, për të vënë një komunikim të mirëfilltë me tekstet poetike që autori i përftoi me përkushtim dhe dije, lypset një përpjekje më e madhe gjatë aktit të leximit, njohje e mirëfilltë e natyrës së letërsisë si art i fjalës, po dhe shije për t’i çmuar vlerat poetike të një teksti modern, e jo të kërkojë kënaqësi e argëtim në ngjarjen dhe tematikën e vështruar, siç ngjet shpesh tek ne kur vlerësohet ndonjë vepër letrare. Rreth kësaj dukurie Elioti shkruante: “Ma merr mendja se do të pajtohemi se çdo poet i mirë, qoftë ai i madh ose jo, ofron edhe diç pos kënaqësisë, sepse nëse ajo është vetëm kënaqësi, vetë kënaqësia nuk mund të jetë e shkallës së lartë. Pos cilindo qëllim të veçantë që mund të ketë poezia, gjithnjë vjen edhe komunikimi i një përvoje të re, ose kuptimi më i freskët i një përvoje të njohur, ose të shprehurit e një gjëje që e kemi provuar por për të cilën s’kemi fjalë, që zgjerojnë vetëdijen tonë ose pastrojnë ndjenjat tona. Mirëpo, këtu nuk më intereson më shumë përfitimi i këtillë individual se kualiteti i kënaqësisë individuale. Mendoj se na të gjithë i kuptojmë të dyjat, poezinë që sjell kënaqësi dhe atë që nuk sjell. Pa këto dy efekte ajo thjesht nuk është poezi .”
GJITHËPUSHTETSHMËRIA E TEKSTIT POETIK
Poezia e Ramadan Musliut e përfshirë në këtë përmbledhje, ku kam zgjedhur krijesat e tij poetike më të lartësuara, s’ka nevojë për fjalë të mëdha e për retorikë të pa vlerë. Është mënyra e shqiptimit dhe e shtjellimit të tekstit të poezive që ai e zbatoi, është sistemi i të shprehurit poetik, një sistem mirëfilli i menduar, që e ruan rrafshin e ngritur në të gjitha përmbledhjet e tij të botuara. Pra, vlera e veprave të tij nuk përligjet me disa poezi të rrafshit kulmor, siç ndodh me disa poetë tanë bashkëkohorë, po me shumicën e poezive që ka botuar. Për këtë gjë jam bindur gjatë zgjedhjes së poezive, ku jo rrallë jam ballafaquar me mëdyshje jo të vogla: cilën poezi duhet ta marr e cilën jo.
Ramadan Musliu përftoi nga fillimi tekste poetike që asnjëherë nuk synojnë qartësinë, komunikimin dhe ndikimin estetik të drejtpërdrejtë në marrësin . Përkundrazi, hartoi tekste, ku nga thellësia zë fill nyjëtimi kuptimor: përfillja (pranimi) ose prapësimi, gjë që do të varet nga njohja e natyrës së artit të fjalës dhe nga aftësia individuale e lexuesit përkatës.
Vështirësia për të depërtuar në botën kuptimore – poetike dhe për të vënë një komunikim sa më të mirëfilltë me tekstin e poezisë së këtij autori lidhet me konceptin bazë – me TRUPIN, që rrezaton një shumësi kuptimore: nënkupton, pos të tjerësh, qenien, gjallimin (ekzistencën), pësimin, zhbërjen. Nëse lexuesi hyn thellë në kuptimësitë e mundshme të këtij nocioni, atëherë nuk e ka vështirë të thotë diçka të rëndësishme për poezinë e këtij autori.
E përmenda këtë fakt për arsye se leximi i një vepre letrare artistike, përpjekja për t’u thelluar në mënyrën si i shpreh autori dukuritë që i bën objekt trajtimi dhe për të hetuar se çka mund të thotë ajo, sa njësohet me përvojën tonë si lexues, sa e pasuron atë, sa pajtohet me të dhe sa i kundërvihet asaj, është një proces kompleks dhe vështirë i pranon përkufizimet teorike . Leximi i veprës letrare artistike është një dukuri që shprehet në forma të ndryshme te secili person, madje në mënyrë të ndryshme edhe tek i njëjti në rrethana të ndryshme ose gjatë leximit të së njëjtës vepër në kohë të ndryshme. Një dukuri e këtillë ngjet për arsye të natyrës dhe të qenësisë së veprës letrare, përkatësisht të mundësisë së shumtë komunikuese të tekstit të përftuar përmes gjuhës poetike, e cila, thënë metaforikisht, është shpirti i krijimit letrar të mirëfilltë. Stevenson theksonte se magjia e fjalës është ndër cilësitë themelore që duhet të zotërojë një shkrimtar. Pa magjinë e fjalës, ajo që mbetet është pa vlerë . Pra, nga vetë leximi varet se sa do të arrijmë të depërtojmë në botën e veprës letrare, sa do të vëmë një komunikim më të gjallë ose të pjesshëm me sistemin e ideve që brumosën në të, që nxisin identifikimin ose prapësimin, sidomos atë estetik .
Vepra e mirëfilltë letrare poetike nuk lexohet lehtë. Sidomos nuk lexohen lehtë ato vepra që i cilëson gjuha poetike e ngritur, e cila është në gjendje të krijojë një shumësi kuptimesh (dhe marrëdhëniesh) të thuash të pafund.
VAZHDIMËSI DHE PASURIM I TRADITËS SË POEZISË MODERNE TË MIRËFILLTË
Në poezinë e Ramadan Musliut dëshmohet vijimësia dhe ndërliqshmëria e shqiptimit modern të dukurive. Kështu, libri i fundit me poezi “Gjendje neutrale” përligj në mënyrë të pamëdyshtë qenësinë e botës poetike të tij dhe të poezisë sonë bashkëkohore në përgjithësi.
Mjerisht, poezia e këtij autori asnjëherë nuk u vështrua si e tillë, që nuk është mangësi e poezisë së tij, por e kritikëve letrarë, përkatësisht e studiuesve tanë të letërsisë. Së këndejmi, duhet thënë se poezia e Ramadan Musliut është shumë më e vlefshme dhe poetikisht më e pasur dhe e lartësuar sesa del në shqyrtimet dhe interpretimet e deritanishme. Të gjitha ata studiues që do të merren mirëfilli me poezinë e tij, do të binden për vlerat e saj poetike të shumta e të mirëfillta, të cilat do të mbijetojnë dhe në kohët që vijnë.
Poezinë moderne të krijuar në letërsitë e popujve të Evropës, por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ramadan Musliu e përcolli nga mosha e re. Me këtë poezi ai u lidh në dy mënyra: përmes vetë teksteve të përkthyera në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë sllave, dhe përmes studimeve të ndryshme të poezisë moderne të Kontinentit të Vjetër dhe më gjerë. Përkthimet e shumta dhe cilësore të një varg poetësh modernë, që u botuan në Beograd, në Zagreb, në Sarajevë, në Novi Sad dhe në Prishtinë (në ish Jugosllavinë), i ndihmuan Ramadan Musliut të njihet me poezinë moderne të disa nga poetët më të shquar si V. Blek (William Blake), Edgar Alla Poe, Sh. Bodler (Charles Baudelaire) etj. Natyrisht, qenë edhe disa poetë modernë kroatë e serbë, të cilët Musliu i njohu mirë, duke i lexuar në gjuhën burimore. Po kështu duhet përmendur dhe disa poetë tanë modernë si, fjala vjen, Martin Camajn, Azem Shkrelin (me veprat e fazës së pjekurisë) e ndonjë tjetër.
Është e njohur se shprehja moderne në poezinë e përbotshme është e lashtë, në ndonjë formë e gjejmë edhe tek Epi i Gilgameshit . Për të provuar këtë, po sjell këtu vetëm mendimin e shkrimtarit të madh, Borhes-it (Borges), i cili, duke folur për Dante Aligerin, shruan: “Tashmë unë e kisha vënë re se vargjet, sidomos vargjet e mëdha të Dantes, janë më shumë se ajo që shprehin ”.
Është e njohur se poeti anglez, Blejk (Blake 1757 – 1827), i dha poezisë moderne një përmasë të lartësuar dhe bëri një ndikim te shumë poetë, këndej e andej oqeanit. Studiuesi Northrop Frye, thoshte për vargjet e Blejkut se ato janë të ngjashëm me profecitë, po që janë pasqyra të rrëfimit. Kështu, poezia “Trëndafili i sëmurë”, që fillon me:
Po lëngoke, o Trëndafil!
Vemja e padukshme
q’fluturon në terr,
në stuhinë e kujshme ,
ose vargu
Dhe qielli ishte një filxhan lule
shënuan fillimin e një poezi moderne të mirëfilltë, të cilën pastaj e pasuruan Poe, Bodler e shumë të tjerë.
Në këtë rrjedhë duhet të veçohet sidomos Edgar A. Poe, i cili jo vetëm e krijoi një poezi moderne në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, po bëri ndikim dhe tek shumë poetët e tjerë. Madje thuhet se Bodleri mbërriti kulmin e famës së tij me përkthimet e poezive të Poe-së më shumë se me veprën e tij “Lulet e së keqes” .
Në një mënyrë ose në një tjetër, Poe-ja i përcaktoi dhe disa nga qenësitë e poezisë moderne: “Realja nuk është bota fizike, materiale, por përkundrazi, shpirtërorja, e pakapshmja. Është e anasjellta e gjithçkaje që ndjesitë tona mund të përfytyrojnë dhe që arsyeja jonë mund të përqafojë. Është diçka që shtrihet jashtë jetës, diçka që mund të zbulohet vetëm në pragun e gjumit, në kllapën e marrëzisë dhe ekstazës, e mbi të gjitha, tek vdekja ”. Këto veçanti e cilësojnë thellësisht dhe poezinë e Musliut.
Them pa asnjë dyshim se Ramadan Musliu mësoi prej poetëve modernë të traditës sonë, sidomos të traditave të tjera letrare, po brenda konceptit të të shprehurit modern poetik, ai përftoi dhe dëshmoi një stil të mëvetësishëm, të brumosur me gjuhë e ritëm të vetin, që njohësi i saj i mirëfilltë, mund ta dallojë edhe kur në krijesën poetike nuk shënohet emri i tij. Dihet se këtë tipar të poezisë e mbërrinë vetëm poetët e mëdhenj.
VETËDIJESIMI POETIK DHE PËRKUSHTIMI KRIJUES
Se përcaktimi i Ramadan Musliut të hartojë poezi të mirëfillta moderne, të ndërtojë atë lloj të teksti që e përligj poetin madhor dhe si të tilla (poezitë) mund të komunikojnë dhe të ndikojnë estetikisht në lexuesin, jo vetëm të kohës kur u hartuan, përligjet para së gjithash nga poezia e tij, po dhe nga pikëpamjet e tij teorike e estetike që i shprehu për dukuritë e ndryshme të poezisë sonë në vitet ’80 dhe 90 të shekullit XX, po dhe në fillim të shekullit XXI. Ato dëshmojnë për njohjen e thellë të poezisë sonë, po njëherit dhe për pakënaqësinë që ndiente për artin e saj të kufizuar, të përvuajtur dhe për nevojën që të ngrihet niveli poetik i saj, me çka cilësoheshin poezitë e popujve të tjerë, në Evropë dhe më gjerë. Musliu ishte bindur se vetëm arti është përbërësi kryesor i poezisë; vetëm si e tillë ajo mund të bëjë një ndikim estetik thellësor në marrësin dhe ta pasurojë botën e tij shpirtërore. Në këtë mënyrë ai shkonte gjurmëve të shkollës letrare të jezuitëve të Shkodrës, të cilët në fillim të shekullit XX, synuan që poezinë shqipe ta ndërlidhnin me letërsitë më të shquara të popujve të Kontinentit të Vjetër .
Përcaktimi i Ramadan Musliut për hartimin e poezisë moderne, natyrisht, nuk nënkuptonte që poezia jonë të shndërrohej në një parodi të poezisë moderne evropiane, po t’i përligjte vlerat e veta dhe mëvetësinë (identitetin) e vet si mënyrë shtjelluese shprehës edhe si mesazh poetik. Rreth kësaj ai shkruan: “Sot kur profilizimi i poezisë shqipe ka marrë një pamje të një mozaiku që sikur po plotësohet në vazhdimësi, që është rezultat i një procesi të hapur nga ndryshimet e mëdha socio kulturore, pothuajse të gjitha tendencat kanë mbetur në një stad, do të thoshim pa frikë, inicial, pa formësimin e duhur dhe pa ndonjë identitet të qëndrueshëm. Në këtë pamje të poezisë së sotme gjejmë modele të ndryshme, që nga poezia e ligjërimit konkret e deri te modelet e abstraksionit ekstrem, nga poezia e ironisë konkrete e deri te loja formale me fjalë që provokojnë më shumë veshin se sa mendjen, të gjitha këto duke na bërë me dije se prirja transformuese e procesit poetik vetëm formalisht ka dalë nga shtrati i tradicionales, prandaj kur vjen puna e përzgjedhjes rëndom lexuesi parapëlqen modelet e njohura para atyre që duken së jashtmi si formë e thyer e një trajte të ligjërimit .”
Ramadan Musliu ishte i vetëdijshëm për kushtet dhe rrethanat e papërshtatshme në të cilat jetonin dhe krijonin poetët tanë; ai i kishte përjetuar edhe vetë pësimet në kurrizin, në shpirtin dhe në mendjen e tij, po këmbëngulte që arti duhet ta cilësonte poezinë shqipe e jo përbërës jo letrarë; vetëm në këtë mënyrë ajo do të mund të afrohej me poezinë që krijohej te popujt e tjerë dhe si e tillë të mbijetonte edhe përtej kohës kur krijohej: “Vepra letrare – artistike jetën e vërtetë estetike në kushtet normale socio-kulturore, çfarë nuk janë te ne, e bën vetëm kur krijon një distancë të mirëfilltë me vetë autorin. Me shkëputjen e lidhjes mes veprës dhe autorit pushon ndikimi i autorit në vetë modalitetet e përfaqësimit të veprës, por edhe të ndikimit të drejtëpërdrejtë edhe në vetë lexuesin përmes terrorit të autoritetit, që të shumtën e herëve rrallë ndodh të mos burojë nga përmbajtja artistike dhe vlerat që mbruan vepra, por më shumë nga pozicionimi social e shpesh edhe politik, por edhe i natyrave të tjera të vetë autorit. Jeta e vërtetë e veprës letrare bëhet vetëm pasi të çlirohet vepra nga autori, vetëm atëherë fillon ekzistenca dhe jeta reale, çfarë është ajo thjeshtë estetike. Shpesh ndodh që me vdekjen e autorit të vdesë edhe vepra. Vepra letrare në këto situata sikur ndërton një opozicion me vetë autorin, një qëndrim mohues ndaj tij, sepse do ta mbijetojë atë, do të bëjë jetë të pavarur, të realizojë ekzistencën e vet estetike, çfarë edhe është qëllimi i ontologjik i një vepre arti .”
Pra, vetëm krijesat e mirëfillta letrare poetike komunikojnë mirëfilli me lexuesin konkret dhe e pasurojnë botën e tij shpirtërore; vetëm akti i leximit e vë në veprim, i jep jetë tekstit: “Poezia, që kur e fitoi të drejtën e një leximi vetjak, domethënë ri interpretimi të pavarur të secilit lexues, pavarësisht nga intenca autoriale, ajo në të njëjtën kohë ia dha recepientit licencën e rikrijuesit, duke ia mundësuar atij riprodhimin e kuptimeve, por edhe të gjithçka tjetër që mbrun teksti artistik .”
SHQIPTIM I TË PARËNDOMTËS, I TË PADUKSHMES DHE I TË FSHEHTËS
Rrethanat përkatëse jetësore në Kosovë, sidomos pas vitit 1981, kushtëzuan që edhe arti letrar të njësohet me atë gjendje; t’i shprehë kryesisht ato rrethana, tundimet dhe trazimet shpirtërore të shumta. Kështu, në një pjesë të mirë të poezisë që krijohej, mbizotëroi shqiptimi i realitetit të zhveshur, ku arti u zëvendësua me kumtin e drejtpërdrejtë, me ndjenjën, pra u shqua dukshëm ndjenjësimi. Me fjalë të tjera, tekstin e poezive e cilësoi njëkuptimësia, pohimi dhe porosia. Kjo u vërejt edhe në gjuhën: në vend të figurshmërisë e të metaforikes, mori jetë një gjuhë e rëndomtë, e drejtpërdrejtë me mundësi ndikimi estetik të kufizuar. Në rrethanat e përdorimit të dhunës e të luftës, u zhvendosën dhe u përmbysën vlerat e njëmendta shoqërore dhe artistike. A nuk ndodhi ajo që pari thënë Elie Wiesel për kampet naziste të përqendrimit gjatë Luftës së dytë botërore: Në Aushvic vdiq njeriu dhe ideja e njeriut .
Kohën e moralit të zhbërë e theksonte qartazi edhe Ernesto Sabato “Për fat të keq, në këto kohë, në të cilat ka humbur vlera e fjalës, edhe arti është prostituuar, dhe shkrimi është reduktuar në një veprim të ngjashëm me atë të shtypjes së parave prej letre. Siç kam thënë te ‘Shkrimtari dhe fantazmat e tij’: Janë të paktë ata që rrëfejnë: ata që ndjejnë nevojën e errët, por obsesive, për ta dëshmuar dramën e tyre, fatkeqësinë e tyre, vetminë e tyre. Janë dëshmitarët, martirët e një epoke. Janë të destinuar për një mision superior, nuk i përkasin asnjë kishe letrare apo grupimi dhe, për këtë, nuk kanë si pikësynim qetësimin e individëve të mbyllur në një famulli, por atë të shembjes së të gjitha komoditeteve, duke na kthyer kuptimin e gjendjes sonë tragjike humane. Në këtë vokacion shumë prej tyre janë shtyrë drejt çmendurisë ”.
I vetëdijshëm për këtë gjendje, Ramadan Musliu do të shkruajë:
Zalli ar u bë
në ëndërr
korbi mishin ta ha
në zhgjëndërr
(Porta)
Në veshë muzikë
e thyerjes së eshtrave
ushton
(Kohë shumë e keqe)
O Zot
guacat e shpirtit
mes dhëmbëve po na thyhen (Gota)
Në përftimin e poezisë Musliu nuk e shqiptoi drejtpërdrejtë realitetin konkret jetësor, por shkoi rrugës së kundërt: shqiptimin e anës tjetër të realitetit, atë që është e padukshme për syrin e zakonshëm, atë që ishte e fshehtë. E krijoi atë realitet që në qenësi i kundërvihej atij të përditshëm. Ai sikur ndoq mendimin e shkrimtarit të shquar frëng, Albert Kamysë, i cili për brezin e tij shkruante: “Pa dyshim, çdo gjeneratë mendon se është e destinuar për ta rikrijuar botën. Megjithatë, gjenerata ime e di se nuk mund ta bëjë këtë. Por ndoshta detyra e saj është më e madhe. Ajo konsiston në ndalimin e zhbërjes së botës. Trashëgimtare e një historie të korruptuar në të cilën përzihen revolucionet e dështuara, teknikat e çmendura, perënditë e vdekura dhe ideologjitë e shterura; në të cilën pushtetet mediokre, që sot mund të shkatërrojnë gjithçka, nuk dinë si të bindin; në të cilën inteligjenca përulet derisa vihet në shërbim të urrejtjes dhe shtypjes ”.
Pra, në vend që t’i qasej dhe ta shqiptonte realitetin e tillë të rëndë, të thuash rrënues, Ramadan Musliu e shqiptoi të parëndomtën, të padukshmen dhe të fshehtën; e shqiptoi të pazakonshmen e brendshme dhe të pazakonshmen e jashtme që, si mënyra të të shprehurit poetik, mund të ngërthejnë në vete të vërtetën artistike.
Ky koncept poetik, shtjelluar me shkathtësi, ka funksion të shumëfishtë në secilën poezi e cikël dhe në gjithë përmbledhjen si tërësi, ku gërshetohen elementet e krijimit të gjithësisë, shenjat e trupit, shenjat e njohjes, mërgimi i trupit, memoria e gjallë dhe pasqyrat e të rrëfyerit. Gjithë kjo shpreh rrëfimin poetik të morfologjisë së qenies, të zhvillimit dhe të qenësisë së saj, të shqiptuar nëpërmjet një teksti të pasur dhe artistikisht tërësor (unik).
Ramadan Musliut i interesonte para së gjithash, ajo që thotë Anton Pashkun në mendimin fillimtar të parathënies: jo rraptima e ujit, po ajo çka e shkaktonte rraptimën. Kjo domethënë të depërtosh përtej asaj që e sheh syri dhe e ofron në thjeshtësi realiteti. Poeti ynë veproi në këtë mënyrë me qëllim që të kuptohet sa më thellësisht realiteti e jo sipërfaqja e tij. Të gjurmosh dhe ta shprehesh të fshehtën e dukurive dhe të rrjedhave të jetës, dëshmon një shkallë më të ngritur, më komplekse dhe më të vlefshme. Për të përmbushur këtë gjë ndihmon para së gjithash imagjinata e pasur dhe aftësia për të depërtuar përtej reales. Kepler-i thoshte “Nuk di asgjë mbi rrugët e arsyetimit, por di që tani unë njoh mekanizmin e universit. Kjo është e gjitha. Unë e preka atë me shpirtin tim — unë e përqafova atë thjesht me anë të intuitës sime ”.
Përcaktimi i Ramadan Musliut të zbatojë një mënyrë të këtillë të shqiptimit letrar poetik, brenda tij dhe shqiptimin e së bukurës dhe të ndikimit të saj te njeriu, qoftë si bukuri e brendshme, qoftë si bukuri e natyrës, ishte i qëllimtë dhe bën qenësinë e parimit të tij krijues.
Në veprën “Princi i vogël” Egzyperi i shqiptoi të fshehtat e botës, po dhe të dukuritë e ndryshme që janë të lidhura ngushtë me jetën e njeriut; gërmoi atje ku mbërrin të depërtojë vetëm syri dhe mendja e mprehtë e një krijuesi të madh, ku mund të depërtohet vetëm përmes imagjinatës së veçantë. Vështrimi i gjërave të fshehta, sidomos misteri që i mbështjell ato, mundëson njohjen dhe ndriçimin e mirëfilltë të përbërësve të tyre të qenësishëm. Kështu, piloti, përkatësisht Egzyperi, thotë: “Gjithçka që shikoj është vetëm një vello, thelbësorja është e padukshme ” ose ajo që thotë Princi i vogël, ndërsa kuvendon me Pilotin (me pjesën e rritur të tij): “Ç’e zbukuron shkretëtirën, – tha princi i vogël, – është pusi, që ajo fsheh s’dihet se ku…” ose “Ajo që është vërtet e rëndësishme, nuk dallohet me sy të lirë ”.
Ngjashëm ndodhi dhe me Fishtën, kur e hartoi satirën “Metamorphosis”, të botuar më 1907. Për të depërtuar në thellësinë dhe në qenësinë e rrjedhës së jetës konkrete të pseudopatriotëve dhe turkoshakëve, poeti shqipton anën tjetër të jetës e të dukurive, atë të padukshmen, të fshehtën .
Gjendja e rëndë e gjallimit të shqiptarëve e shqetëson Fishtën poet dhe të thuash e rrënon shpirtërisht, prandaj e shqipton sa zhgënjimin, po aq mospajtimin dhe kundërshtimin e tij. Kjo nuk bëhet me mjete e në mënyrë tradicionale, duke i dhënë përparësi pohimit të pandërmjemë, fyerjes, mallkimit etj. Të keqes Fishta i qaset nga një strategji dhe nga një mënyrë e mëvetësishme: kalon formalisht në anën e së keqes dhe prej andej rrëfen dhe e bën vlerësimin, e shqipton qenësia e saj.
Akti i identifikimit me logjikën e njerëzve të tillë, ku e keqja merret për të mirë, antikombëtarja për kombëtare, e bardha për të zezë, shpreh një shenjëzim të qenësishëm. Fishta thekson se për arsye “Me kênë i vetit” (lexo: ta shikojë vetëm punën dhe interesin vetjak) do të shporret nga Shqipëria e do të heqë dorë nga ajo që kishte bërë deri në atë çast; nëpërmjet një mënyre të këtillë të shqiptimit, mesazhi i tij fiton peshë e të drejtë më të madhe morale dhe etnike, edhe efekti i ndikimit të vargut bëhet më i madh dhe më shkallëzues. Pra, poeti rrëfen dhe shqipton botën nga brendësia e saj, gjë që e bën rrëfimin më të bindshëm, më të natyrshëm dhe më të drejtpërdrejtë. Me fjalë të tjera, nga pozicioni i tillë Fishta flet me shumësinë e zërave të shtresës me të cilën njësohet formalisht; luftohet e keqja jo me të keqen personale, por nga pozita e së keqes së përgjithshme. Me gjuhën që “ther e pret” ai përqesh, ironizon; shpreh protestën e vet të pamëdyshtë. Gjithë këtë e bën për hir të ndryshimit, të zgjimit e të krijimit të vetëdijes kombëtare, edhe pse mesazhi i tij shprehet nga pozita e kundërt, e përmbysur, që në artin letrar nuk është e panjohur.
Edhe rrëfimi poetik i Ramadan Musliut shqipton të shprehë të parëndomtën dhe ky veprim mund të ndërlidhet mirëfilli me mendimin e Eliotit, i cili duke përimtuar çështjet e poezisë dhe të ndikimit të saj estetik në marrësin theksonte se poezia është një përftim poetik që na kujton diçka të harruar (sipas Bradley-së), ose na i zbulon fshehtësitë dhe dukuritë që janë pasive brenda nesh, na i rizgjon dhe na vë në komunikim me to .
Në poezinë e mirëfilltë të lartësuar, ka përherë diçka që nuk thuhet me fjalë, po lihet mundësia të nënkuptohet nga marrësi. Kur poeti nuk thotë diçka, po e le mundësinë të ndihet e të nënkuptohet, që shprehet e përjetohet ndryshe te secili lexues, nuk është mangësi e tekstit poetik, përkundrazi, vlerë e tij: “Madje jam gati të sugjeroj, thotë Elioti, se në tërë poezinë e lartë, ka diçka që duhet të mbetet e pashpjegueshme sado e plotë që mundi të jetë njohuria jonë për poetin dhe se kjo, është e rëndësishmja. Kur të jetë krijuar një vjershë, ka ndodhur diçka e re, diçka që nuk mund të shpjegohet në tërësi me asgjë që ka kaluar më parë. Kjo, besoj, se është ajo që duam të themi me termin „krijim ”. Rreth kësaj studiuesi gjerman, Wolfgang. Iseri (Izeri), thotë “Sa më shumë që tekstet të pësojnë nga papërcaktueshmëria e tyre, aq më tepër lexuesi inkuadrohet në përfundimin e intencave të mundshme të tyre[…] ” dhe “[…] vendet e zbrazëta në tekstin letrar nuk janë mungesë, sikur mund të mendohet, ato janë parakusht themelor për veprimin e tij.
SHQIPTIMI MBI PARIMIN E PASQYRËS OSE POEZI E HIJËZIMIT, E MUGËTIRËS
Poeti Ramadan Musliu ishte i vetëdijshëm se po përftonte një poezi moderne, e cila kërkonte sa një përkushtim të veçantë, po aq dhe një dije të mirëfilltë për mënyrën e ndërtimit të tekstit poetik modern dhe të poezisë si tërësi kuptimore shprehëse. Po e them këtë për arsye se një numër i madh i poetëve tanë që shkruajnë poezi moderne, mendojnë se të shkruash poezi moderne është lehtë; mjafton të rendisësh fjalë e vargje, po mjerisht ata shkruajnë vetëm vargje e jo poezi. Dihet se vargjet e shkëputura, të pa lidhura mes tyre me mjeshtëri dhe në mënyrë të natyrshme, sado të jenë poetikë, nuk mund të bëjnë një poezi të njëmendtë, një tekst tërësor shtjellues vargjesh dhe formash shprehëse, nga dalin shumësi kuptimesh. Ramadan Musliu me të njëjtën përkushtim dhe aftësi e ndërton tërësinë poetike nga vargjet poetike, që po ashtu janë të menduar dhe janë të ndërlidhur mes tyre, qoftë kur afrohen si kuptimësi, qoftë kur kundërshtohen e kundërvihen. Për ta mbërritur këtë ai përdor edhe një gjuhë figurative që i përgjigjet plotësisht poezisë moderne.
Për të përligjur modernitetin e poezisë së vet, përftimin e pamjeve të parëndomta e të tundimeve të thella shpirtërore; ëndërrimin në gjendje të zhgjëndërrtë; pasojat e gjendjeve vështirë të përballueshme, poeti ynë i shqiptoi dukuritë dhe objektet mbi parimin e pasqyrës, domethënë dukuritë dhe objektet vështrohen e shprehen në gjendjet e tyre të dyfishtë ose të shumëfishtë, në formën që ato nuk vërehen e nuk ekzistojnë në konkretësinë e tyre:
Kush jam
kush
pyes para pasqyrës
siluetën time
prej dylli
(Ëndrra plakë)
Në pasqyrë ëndrra shihet
larg meje e larg vetes
nën dritën që me sy s’njihet
(Ideali)
ose “fytyrën e lë në pasqyrën e ujit” (Me plakun e liqenit).
Në këtë mënyrë përmes tekstit letrar poetik krijohet realiteti i ri, shumë më kompleks e shumë më misterioz se ai i rëndomti. Kështu vepronte edhe Edgar Allan Poe; poezia e tij “[…] lëviz përtej botës së objekteve për t’u drejtuar kah asgjëja ”. Poe-ja është ndër poetët e rrallë që dëshmon aftësinë të përshkojë atë “truall” të magjishëm midis reales dhe botës së ëndrrave, atë brez të hijëzuar kufitar, ku përvojat e poetit ndërlidhen e gërshetohen në mënyrë të çuditshme me përbërës të të dy anët ë mbretërive: jetës e vdekjes . Kjo mënyrë e shqiptimit të dukurive te Poe-ja përligjet nga poezia e tij “Tokë – ëndërr”, që është një pamje e botës së ëndrrës e kthyer përmbys . Pikërisht me këtë lloj të poezisë përkon poezia e poetit tonë, Ramadan Musliut.
Poeti ynë e përfton një botë poetike që ndërlidhet sidomos me realitetin e ëndrrës. Vepron në këtë mënyrë për arsye se realiteti i ëndrrës cilësohet me pakufishmëri kohe e vendi; është i papërcaktuar, i pakufizuar, po jo jashtë rregullave: Këtë peizazh të ëndrrës në bebëza e mbaj (Çelësi i ëndrrës guacën çel) ose
Me pëlhurë mushkërish
i mbulova ëndrrat
me gacën e syrit
e ndeza zjarrin në vatër (Mërgimi i trupit)
Ëndrra shëtit
nëpër dhomë
si murtaja (Atmosferë e zbutur)
Natyrisht se Musliu e përfton poezinë mbi bazën e perceptimit të veçantë, përmes një sistemit të mëvetësishëm të të shprehurit. Ai synon të jetë vetja, të jetë i vetvetes;. të përftojë diçka që e dallon nga të tjerët për arsye se edhe bota e tij shpirtërore është tjetër përballë tjetrit. Ai është i vetëdijshëm se, siç do të thoshte shkrimtari i shquar, Ernesto Sabato: “Krijimi është ajo pjesë e ndjenjës që ne e kemi fituar në tension me pafundësinë e kaosit. Askush, kurrë, s’ka shkruar, pikturuar, skalitur, modeluar, ndërtuar, shpikur, përveçse për të dalë nga ferri i tij ”. A nuk është kjo rrjedhojë e një kohe të trishtë të përçarë mes dëlirëve dhe mizorisë së çelikut .
I mbyllur mbeta
në ëndërr dhe nuk mund të zbresë në pus
çelësin e humbur për ta gjetur
në një guackë (Gjendje neutrale)
Në mëngjes
me flokët plot vesë
u zgjova ndër bimët
që mbinë nga urna ime (Gjendje neutrale)
Duke ikur nga hija ime
mbyllem në guacë
gjumi si yll i detit
më afrohet nëpër zalle (Me plakun e liqenit)
Duart
i harrova në bedena mbështetur
për heshte tek vigjiloja retë e pluhurit
të kalorësisë që kurrë nuk do të arrijë.
(Gjendje neutrale)
Ky është një realitet tjetër, sa i veçantë aq dhe i parëndomtë, shumëfish më i pasur se ai që gjallon në përditshmëri, që ekziston si i tillë vetëm në strukturën gjuhësore poetike dhe, përmes aktit të leximit përngjallët në mendjen e marrësit në format nga më të ndryshmet: “Gjumi ai pyll i djegur” (Katërkëmbësh i harresës). Me fjalë të tjera, në qoftë se realiteti është fshehtësi dhe poeti e di këtë gjë, ai përmes veprës së vet e përfton një fshehtësi (mister) të dyfishtë, më mirë të shumëfishtë. Së këndejmi, realiteti i ri, i krijuar përmes gjuhës, të shprehurit, përmes rrëfimit, shndërrohet në të njëjtën kohë, në mesazhe poetike, që bëjnë ndikim të dukshëm estetik në marrësin. Them kështu për arsye teksti poetik, përkatësisht poezia i përket të tanishmes dhe të ardhmes.
Poeti Musliu i kthehet realitetit të ëndrrës, siç e përmenda, si kundërvënie realitetit konkret të rëndë, që në shumë poezi të përfshira në këtë zgjedhje shprehet ose lihet të nënkuptohet:
Alo koha jonë: e shurdhër
koka jonë: e sëmurë
duart tona: të prera
këmbët tona: të çala
trupi ynë: nën dhé (Koha jonë e shurdhër)
Njolla e zezë e jetës
dukej vjershë e tmerrshme
në letrën e bardhë (Letra)
Mbi detin e hapët bunacë
nëpër valët e mendimeve tona
anija e dehur (Gota)
I shtrëngova zengjitë
dhe i graha
kërmillit tim
të fshehur
prapa një shkurre
brenda veshit (Në kopshtin e zverdhur)
Rrëfimi i Musliut shpreh para së gjithash botën e tij të mbytur në shqetësim dhe në ankth “Terri fontanë ra në sy pa jehonë” (Fotografia e zemrës). Mirëpo, gjithë kjo gjendje e cilëson edhe botën e të tjerëve; fati i poetit, në qenësi, është i njësuar (i ngjizur) me fatin e tjetrit. Përmes kumtit poetik ai gjakon të vetëbindet dhe t’i bindtë të tjerët që të mos thithin nga zbrazëtia për arsye se me veprimin e tillë vetëm e shtresojmë zbrazëtinë.
Duke pritur në radhë
dikush për gazetë
tjetri për letër tualeti
u bëmë edhe vetë
për t’u hedhur në plehra(Fati i keq)
Pastaj përzienim gëlqeren me zall
zallin me lot gëlqeren me gjak
(Vuajtja jonë në dhé gropuar
Edhe pse poezia e Ramadan Musliut, shqipton gjendje të rënda jetësore; heshtjen, vetminë (“Sikur Zoti të na kish lënë / të vetëm / në natën e varrit” (Natën e arrit), tundimet e brendshme, njeriun e vetmuar si pasojë e asaj që ngjet në shoqërinë që jeton dhe vepron, siç ka thënë dhe poeti i shquar spanjoll, Pessao: “[…] do të jem gjithmonë ai që priti t’ia hapnin derën, pranë një muri pa derë ”, ajo dëshmohet si një formë e rëndësishme e mospajtimit, e kundërvënies.
Them kështu nga fakti se poezia në përgjithësi, pra edhe poezia e Ramadanit, ngërthen ato cilësi që shpërfaqen mirëfilli edhe në këtë mendim të Shën Avgustinit: “Në përjetësi asgjë nuk kalon, por gjithçka është e tanishme; që asnjë hapësirë kohe s’mund të jetë e gjitha e pranishme: gjithmonë e kaluara dëbohet nga e ardhmja dhe e ardhmja vjen nga e kaluara, se çdo e kaluar dhe çdo e ardhme është e krijuar nga ajo që gjithmonë është e tanishme dhe nga kjo kalon. Të shohë kush do ta mbajë shpirtin e njeriut, që të jetë i palëkundshëm dhe të shikojë se si në këtë qëndrim përjetësia do ta urdhërojë të kaluarën e të ardhmen, përjetësi që kalon dhe që nuk ka për të ardhur kurrë ”.
MORFOLOGJIA E QENIES – OSE TRUPI SI QENËSI
Në konceptin poetik të Ramadan Musliut Trupi (në fazën fillestare) del, në kuptimin e funksionimit dhe të gjallimit, vetëm një materie e mundshme për ekzistim. Si materie fillestare është vetëm pyll i errët, i cili s’ka ndonjë vlerë e funksion dhe nuk mund të përdoret për ndonjë gjë të dobishme. Trupi shndërrohet në qenie, në qenësi të ekzistimit dhe të funksionimit vetëm kur, thënë metaforikisht, shpirtërohet nga shqisat. Pra, shqisat i japin atij cilësinë e qenies së gjallë dhe me këtë trupi fiton ndjeshmërinë e njohjes e të veprimit, por edhe të pësimit dhe të shkatërrimit. Me futjen e shqisave trupi bëhet qenie e ndërliqshme që dëshmon vetëqenies, vetekzistimin, vlerën; në këtë mënyrë fiton përmasën e shprehimësisë e të veçorive të shumta dhe nënkupton trungun, të qenët. Poeti me qëllim nuk e ka pluralizuar trupin për ta parë në dritën e shumësisë së njerëzve, të kolektivitetit. Ai e ka marrë trupin si një qenie më vete për ta trajtuar e për ta shprehur atë në mënyrë sa më të thellë e më të plotë. Në fundin e mbramë, qenësia e trupit te ky krijues nënkupton njeriun, individin dhe me këtë shprehet identifikimi i kushtëzuar nga të dhënat rreth ndjeshmërisë, funksionimit që fiton ai me shqisa. Një koncept i këtillë i vështrimit e ka bazën në Bibël, por në veprën e Musliut merr nuancë të theksuar poetike e estetike.
Në procesin e funksionimit shqisat (trupi vetëm si materie për poetin është “Gjë e hedhur send i vjetër”) e shndërrojnë trupin në një përbërje të re; e vetëdijësojnë dhe e bëjnë një “libër të hapur”. Kështu fiton tipare në dy rrafshe: në vetëdijesimin e ekzistencës, të funksionimit të një sistemi të ngritur të shqisave e të dëshmimit të tyre unik brenda trupit, por edhe të trupit në krahasim me dukuritë që ndodhin jashtë tij, po të cilat ndikojnë në të, përkatësisht bëhen pjesë e tij, qoftë si aktive, qoftë kur ruhen në nëndije. Sa më shumë që zhvillohen shqisat, aq më tepër trupi fisnikërohet dhe bëhet i vlershëm. Ç’është e vërteta, në këtë marrëdhënie – ndaj vetvetes (vetëqenies) dhe ndaj qenieve e dukurive të tjera – trupi me shqisat shndërrohet në qenie të ndërlikuar, ku shprehen veçantitë e dukurive të ndryshme, që do të varen nga trupi dhe nga ajo që ngjet jashtë tij, në jetë. Së këndejmi trupi ka nevojë për përsosje, zhvillim sa më të plotë e të gjithanshëm.
[…] duhet punuar pa ia ndarë
nëpër vetvete
se trupi heq keq
për Zot
e për shpirt të dëlirë. (Spastrimet e shpirtit)
Nëpërmjet vetëdijes dhe aktivizimit të shqisave e të nëndijes (burim i aftësive të qenies), trupit, vihet, pra, në një marrëdhënie më të gjithanshme e më gjallërike me dukuritë, dhe me ekzistimin e tyre nëpër kohë. Pra, funksionimit dhe e veprimit të shqisave të trupit krijon mundësinë e komunikimit të nyjshëm të proceseve komplekse që nuk mund të ndodhin askund jashtë trupit dhe jashtë një përbërje të tillë (anatomike). Kjo përbërje është e aftë të na kthejë thellësisht në histori, të na përkujtojë dukuri e çaste thelbësore nga historia e njeriut (ruajtur përmes, përvojës dhe gjërave të ndryshme të gjetura, figurave të shquara, shkrimit etj.), nga historia kombëtare, me të cilën individi është i lidhur.
Koha më ngriu
para pasqyrës sime të të rrëfyerit
duke kërkuar shëlbim
nga trupi që po mërgon
jashtë vetvetes (Mërgimi i trupit)
ose
E prek trupin
a e kam me vete
apo thneglat po ma bartin
nën dhe në mërgim.
(Ikin dallëndyshet e kujtimeve)
Brenda pesë shqisave të njohura, që, thënë figurativisht, e shpirtëzojnë trupin, Musliu e thekson dhe shqisën e gjashtë: brendësinë e trupit, shpirtin, frymësinë, zemrën (në kuptimin zemërmirë, zemërkeq). Kjo shqisë e gjashtë mbetet e paemëruar, po del më e qenësishmja; ajo drejton çdo gjë në trup, për të mirë ose për të keq: të bukurën dhe të shëmtuarën, përparimin dhe zhbërjen.
Trupi është i përsosur
në vetvete
me pesë pasqyra të dyfishta
nga jashtë
dhe një përmbrenda (Mërgimi i ndjenjave)
Duke e zhvilluar një koncept të këtillë poetik rrëfimi për trupin, si qenësi e veprimit dhe e jetësimit, do të thotë rrëfimi për njeriun, për botën dhe për problemet e tij. Këtë rrëfim të Musliut e përshkon një ndjenjë e thellë e dhembjes dhe e tragjikes. Gjithë kjo (siç ngjet edhe në poezinë me titull “Java e krijimit”) fillon me harrimin, me kobin, me dhembjen, me mëkatin, me zjarrin me acarin (që nënkuptojnë pësimin), me lotin etj. Rrëfimi poetik shtrihet në dy rrafshe: a) në atë personal, që lidhet me botën e poetit, me ndjesitë e tij, me shqetësimet, me pësimet, me gjithë atë që përjeton si një trup, si një qenie që është e varur nga rrethi, nga e kaluara, nga e tanishmja dhe b) në rrafshin kolektiv, në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar. Përimtimi i këtyre dy rrafsheve dhe marrëdhënia midis tyre – ajo lidhshmëri dialektike, ku del në shesh gjithë madhështia dhe tragjika e individit – përbën shpirtin e gjithë poezisë së këtij krijuesi.
Shqetësimi i poetit, i shqiptuar përmes kuptimësisë së trupit zë fill brenda për brenda tij: Poeti e ndien gjithë tragjiken e fatit prej njeriu, i ndien dhe i përjeton tundimet e shumta, që kanë të bëjnë me të e me njerëzit e tij, me të kaluarën e me të tashmen, me gjithë atë që e cilëson botën që i përket.
ccccccE ikur prej meje
koka ime bëhet
caku i harkut tim të marrë (Gjahu i përhershëm)
Me gërshërë në duar
erdhi ta shërojë
kokën e sëmurë (Shëruesi i përhershëm)
Po luajmë symbylltas
Në pyllin e djegur
Të trupit tonë (Dhe: Ajri)ccccc
Tundimet dhe ankthet shpirtërore të poetit janë të shumta, të ndryshme dhe të përhershme: “Zjarr kohe në shpirt ruaj” dhe “Zjarrin tim që s’shuhet dot”. Ai vëren kotësinë e veprimit, pamundësinë e ballafaqimit dhe të ngadhënjimit të dëshirave dhe të synimeve. Ideali i tij është jeta ku s’ka vaj e s’ka lot, por ajo është vetëm një përfytyrim, një rrjetë e merimangës së gjumit të tij.
Merimangë e gjumit tim
thur rrjetën për jetë e mot
rrjetë dëshirash për amshim… (Ideali)
Shqiptimi i tragjikes së këtillë sa shkon e merr përmasë më të madhe, shprehet në forma të ndryshme dhe mbipeshon; jeta bën “Zigzage deri në çmendje”. Kjo është dëshmuar edhe në rrjedhën e zhvillimit historik. Malli varfanjak i poetit e shpie atë buzë rrënimit, etja nuk i shuhet, ndërsa kënga i bëhet e përlotshme.
Perde loti në faqen time
griset varet nën thua
dhembjeje e shpresimi. (Magjia e bardhë)
Pra, në shqiptimin e botës vetjake mbretëron e shprehet terri, frika, pasiguria. Terri zë nga irida, ndërsa harta e zezë varet në “qytet ndjenje plot zjarr e hi”. Pikërisht para hirit, thotë poeti, “shpirtit tim i këndoj uratë”. Vetmia, ankthi, tëhuajësimi sa shkojnë e shprehen me gjithë ashpërsinë e tyre të mundshme; bëhen pjesë kryesore e gjallimit të poetit: Koha nën zero në shpirt ka ardhur.
Musliu kërkon shpëtim prej territ që është futur në qenie, që si trazim e pësim shprehet në forma të ndryshme, sidomos përmes përsiatjeve për fatin tragjik të njeriut, përkatësisht të fatit të tij (poeti e kujton Hiroshimën). Ky shqetësim e fat tragjik i tij përgjithësohet dhe lidhet me fatin e qenies njerëzore në përgjithësi: Dielli i jetës mbi trup varrë / jetës dhe vdekjes i fal Saharë (Zalli) ose e shpreh përmes antitezës së flijimit të Nënës Tereze përballë të varfrit e më të varfërve të mbarë botës:
Akulli shkrin
në frigorifer
akulli në zemër
ngrin gjithë ditën (Me fjalë shpirti në buzë
Ç’është ajo që e pezmatoi poetin përtej masës, ia lëkundi të tanishmen dhe të ardhshmen? Ndoshta shpërdorimi apo më drejt përdorimi për të keq i vetëdijes së njeriut që me veprimet e tij t’i kundërvihet atij vetë?! Pse ndodh kështu me njeriun dhe ku janë arsyet e një tragjike të këtillë?
Nëpërmjet rrëfimit poetik autori jep përbërës të rëndësishëm të kësaj gjendjeje, siç ngjet, fjala vjen, në këto dy vargje: Dikush këtë tinëzisht shikon / dhe fytyrën e botës me gjak vizaton. (Acar)
Shqisat na trup, sidomos shqisa e gjashtë – e brendshme – marrin së bashku rolin, funksionin kryesor; e drejtojnë dhe pushteti i tyre bëhet i pakufishëm. Një ndërlidhje e këtillë e morfologjisë së brendshme të trupit me shqisat dhe e shqisave me ambientin dhe dukuritë e jetës janë, siç do të thotë poeti, pasqyra të dyfishta ose të shumëfishta.
Përveç të dhënës se poetit tonë “dhembja” i bëhet qiri dhe i shkrihet “nëpër palcë”, pikërisht nëpër palcë i gjallon edhe malli, figurat e shquara (Dheu i Arbrit, Buzuku, Budi, Bogdani, Çabej, Nëna Tereze etj.) ngadhënjimet e flijimet, e kaluara. “Mërgimi” këtu është mërgim tjetër përballë kuptimit klasik të kësaj fjale. Këtu mërgon – të themi me konceptin biblik – shpirti. Ai bën lidhjet me dukuritë, me çështjet nga më të ndryshmet.
Ky komunikim me një degëzim kaq të madh dukurish ndikon që ato të ekzistojnë dhe të bashkekzistojnë përmes tekstit poetik. Mungesa e një komunikimi të këtillë do të shkaktonte që qenia të shndërrohet në torzo, në diçka të pjesshme e të pa funksion, sikur do të ishte, fjala vjen, trupi pa shqisa.
Më duket me vend ta mbyll këtë parathënie me mendimin e Miltonit, autorit të veprës së shquar Parajsa e humbur: “Do të doja t’u lija trashëgim brezave diçka që të mos e harrojnë lehtë ”. Ramadan Musliu na i la trashëgim ato vlera poetike moderne që njëmend nuk do të harrohen. Për këtë jam thellësisht i bindur.
Prishtinë, tetor 2021
ANTON NIKË BERISHA