(Rreth vlerave të poezisë së Prend Buzhalës të përfshirë në vëllimin PSHERËTIMA PERGAMENE zgjedhur nga Anton Nikë Berisha. Botoi “ROZAFA”, Prishtinë 2017)
Në jetën publike kulturore dhe në atë letrare e publicistike, Prend Buzhala njihet kryesisht si publicist e studiues letrar, anipse gjatë këtij gjysmëshekulli krijues të tij, ai në ndërmjetëza vazhdimisht e ka shkruar edhe poezinë po, edhe prozën.
Në këtë shumëllojshmëri letrare, me të cilën cilësohet angazhimi i deritashëm krijues i Prend Buzhalës, ai ka bërë emër si kritik letrar.
Ky krijues tejet prodhimtar, kritikës letrare i qaset nga fillimi i viteve nëntëdhjeta të shekullit njëzet (XX) dhe, sidomos me vështrimet kritike në revistën për art e kulturë “FJALA”, ku u dallua me trajtimin e veprave të autorëve që ishin në shënjestrën dhe të ndaluar në sistemin e atëhershëm monist. Kjo mbase ndodhi ngase edhe vetë Prend Buzhala ishte i shënjestruari i tyre, ndaj të cilëve pagoi tagër pa kurrfarë faji, si edhe shumë të tjerë.
Për kronistët e jetës letrare në Kosovë, emri i Buzhalës zë e shpërfaqet në fushën e poezisë, aty nga fundi i viteve të gjashtëdhjeta (1967).
Brenda 10 -12 viteve, ky punëtor i palodhur i letërsisë, arrin ta formësojë një profil poetik, duke dhënë shenja të mjaftueshme dhe shpejt doli dhe me librin e parë.
Ngjarjet e kohës dhe qëndresa e tij intelektuale, jo vetëm do bijnë ndesh me pushtetmbajtësit e atëhershëm por, edhe do të krijojnë pasoja për Prend Buzhalën.
Fatmirësisht, rënia e komunizmit dhe krijimi i lëvizjes gjithpopullore për liri, pavarësi e demokraci, nga fundi i të tetëdhjetave e këndej, do t’i hapin mundësi këtij krijuesi për të dhënë kontribut të shumanshëm, sidomos në fushën e informimit po edhe në fushën e krijimit e studimit letrar.
Ecuria e botimeve letrare për Prend Buzhalën nis nga viti 1995 e këndej, kur për lexuesin tonë, solli librin e tij të parë, O AMË, O AMË.
Si ky libër ashtu dhe shtatë të tjerët nga fusha e poezisë që u botuan brenda rrethit kohor 1995 – 2017, nuk do ta shpërfaqin mjaftueshëm si poet Prend Buzhalën. Në vlimet më të ndieshme të kohës që i përshkuan këto vite, ai u afirmua dhe bëri emër si kritik e studiues letrar, sepse karshi disa emrave të kritikës letrare, të cilët ishin mjaft aktivë në sistemin monist të kohës, Prendi ishte thuaja krejt i pashfrytëzuar.
Mirëpo, për fatin e Tij të mirë, njëri nga studiuesit më të zellshëm të ditëve të sotshme të letërsisë, prof. dr. Anton Nikë Berisha, iu rrek shoshitjes së krijimtarisë poetike të Prend Buzhalës dhe si rezultat të një pune shumë të mundimshme por, tejet profesionale, solli përzgjedhjen poetike PSHERËTIMA PERGAMENE, me poezitë më të mira të tetë vëllimeve të deritashme poetike të këtij autori dhe, si rezultat i kësaj pune, tash jo vetëm që mund të flasim për vlerat poetike të poezisë së Prend Buzhalës por, ta shohim atë, edhe si njërin nga poetët më të mirë të letërsisë bashkëkohëse shqipe.
Poezi e dijes, e imagjinares dhe e të sotmes
Libri me poezi të zgjedhura i Prend Buzhalës, PSHERËTIMA PERGAMENE , hyn ndër përzgjedhjet e arrira të Anton Nikë Berishës, të cilën e shoqëron edhe me një parathënie bukur të gjatë, ku vëzhgon në shumë aspekte opusin poetik të këtij autori dhe vë në pah vlerat e pakontestuara artistike, që tashmë jo vetëm vërehen më dukshëm por, edhe pranohen më lehtë.
Kjo meritë, sa e autorit, po aq edhe e përzgjedhësit, nxjerr në pah profilin e pahetuar poetik të Prend Buzhalës, të cilit nuk i mungon as dija, as imagjinarja e, as e sotmja për ta trajtuar edhe nga një kënd i fushës letrare, nga këndi i poezisë.
Njëqind e tridhjetenëntë krijimet poetike, të renditura në nëntë njësi ciklike, secila është vendosur në vendin e duhu, anipse vjen një titull tjetër libri apo del diku nga mesi apo fundi i një libri tjetër të radhës dhe, këtu, ndodh të jetë diku në fillim, në mes apo dhe në fund. Gjithsesi, aty, ku e ka vendin, sipas vlerës, po edhe llojit.
Nga RESHJE BUKURIE e deri te GËRMIME RRËNJËSH, Prend Buzhala, përmes përzgjedhësit Berisha, kalon nëpër sprova të nduarduarta poetike, qoftë duke kërkuar formë, qoftë duke i dhënë kuptimësi vargut, e, qoftë edhe duke luajtur me fjalën (poezitë në formë haiku), duke mbetur vazhdimisht në nivelin e duhur, sa i përket figurshmërisë artistike.
Vargjet si
“Dëshira ka vdekur, është shndërruar në kufomë të ftohtë”
apo
“edhe kur jemi në këtë botë, ajo flakë mbetet e zgjuar”
të poezisë së parë të kësaj përzgjedhjeje “SHKËLQIMI QË MË PËRCJELL NË GJUMË E NË ËNDËRR”, dëshmojnë qartazi për një gjuhë të veçantë poetike dhe për një thellësi mendimi e shenjëzimi, gjuhë kjo që e përshkon këtë libër fund e krye, duke e hasur në secilin krijim, veç e veç.
Po pse këtë nuk e kemi vërejtur më herët apo nuk iu kemi qasur më parë, aq sa ne mund t’i kemi fajet për këtë, në veçanti kritika letrare, po aq meritat i merr vetë përzgjedhësi, për të cilin kjo vepër e përzgjedhur, është e njëzeteteta me radhë.
Për mendimin tim, Prend Buzhala, brenda këtij libri, shquhet më i realizuar poetikisht në ciklet e para, aty ku nuk i shmanget formës së poezisë dhe i përmbahet vargut. Ndërsa te prozat poetike, duket paksa më i shpërqendruar, anise as aty shprehja figurative (artistikja) nuk mungon, përkundër faktit se shohim një të folur më të shlirë të autorit
Shembujt flasin vetë, për këtë që po them:
“Kam dal edhe sot jashtë trupit tim. I dëbova edhe ato dëshirat e lakmitë e moçme, si fosile të lashta.
Po e ndjej se tek lashtëria ime po strehohet bashkëkohësia, kjo koha e stome; e sotmja ka hijen e saj, lashtërinë. Po e lexoj të ardhmen në lashtërinë time, të sotmen në të pritshmen.
Po e ndjej se këto hije janë të shumta: lumturia ime ka kobin e saj, çasti solemn i dashurisë sime ka çastin e përzishëm të ndarjeve e të pritjeve të pafund”.
Prend Buzhala, siç e vëren dhe studiuesi i rryer Anton Nikë Berisha, “[…] e ndërton tekstin poetik në atë mënyrë, që të nxitë tek lexuesi përsiatje, që ta thellojë sa më shumë që është e mundur në qenësinë e dukurive dhe në mundësitë e shumta të komunikimit me to”.
Në këtë mënyrë, krijuesi shndërrohet dhe në rolin e misionarit, falë dhe dijeve të shumta për botën e njerëzimin, për librat e shenjtë, që i mundësojnë të shpërfaqë dhe meditimet në forma të ndryshme poetike, të cilat shpërfaqin në masë të dukshme artin e meditimit të thellë dhe të porosisë për brezat e tashëm dhe brezat që do të vijnë.
Natyrisht, Buzhala synon që përmes një komunikimi poetik të ndikojë dhe në ngritjen dhe zhvillimin e vetë lexuesit të poezisë së tij. S’do mend ajo kërkon para se gjithash dhe një lexues të ngritur e të vëmendshëm për arsye se përmes secilës poezi të këtij libri thuajse ia përcjell nga një ose më shumë porosi, që mund të jenë me vlerë për të sotmen po dhe për të nesërmen.