Ora e Madhe Letrare ka qenë aktiviteti i radhës që është organizuar të martën, në kuadër të Manifestimit “Ditët e Agimit” që po mbahet në Zhegër të Gjilanit, në të cilën aktivitet me poezitë e tyre janë paraqitur poetë të ndryshëm, e juria e Orës Letrare, në përbërje: Anton Nikë Berisha, Nexhat Rexha e Sabit Rrustemi, shpalli fitues të çmimit “Muza e Agimit” poetin gjilanas Xhevat Latifi, me poezinë e tij “Është natë, Agim Ramadani!”.
Me poezitë e tyre u prezantuan: Anton Nikë Berisha (jashtë konkurrence), Sarë Gjergji, Selvete Abdullahu, Ibrahim Kadriu (jashtë konkurrence), Baki Krasniqi, Xhevat Latifi, Zahir Avdullahu, Bilall Haliti (jashtë konkurrence),, Nexhat Rexha (jashtë konkurrence),, Engjëll Koliqi dhe Sabit Rrustemi (jashtë konkurrence).
Përndryshe, edhe ky edicion nisi me deklamimin e vargjeve të Agim Ramadanit, deklamuar nga Adem Ajvazi, e vargje poetike deklamuan edhe Ramadan Myrtaj, e Fjolla Murati, derisa edhe bashkëshortja e Agimit, Shukrije Ramadani, pasi ka falënderuar të pranishmit për prezencën në këtë ngjarje kushtuar Agimit, ka lexuar vargje të kohës së fëmijërisë shkruar nga bashkëshorti i saj Agimi, shkruan 2LONLINE.
Manifestimi “Ditët e Agimit” vazhdon sot me një lojë hendbolli, ndërsa nesër me 3 Maj, do të kemi shënimin e Ditës së Shkollës SHFMU “Agim Ramadani”, dhe ditëlindjen e Agimit, do të vendosen lulet te shtatorja e Agim Ramadanit në Gjilan, do ta kemi programin e shkollës, pastaj vrapimin “Krosi i lirisë”, (nga varri i Idriz Seferit deri te kroi i Agimi Ramadanit”), për t`u përmbyllur me tubimin qendror “I këndojmë Agimit”.
Përndryshe, Manifestimi Tradicional “Ditët e Agimit”, mbahet për çdo vit, në fillim të Majit ( me datat 1.2 e 3), në Zhegër të Gjilanit, në vendlindjen e heroit të kombit Agim Ramadani-Katana, në përkujtim të të cilës figurë poliedrike edhe mbahet ky manifestim.
Përndryshe, më poshtë po japim poezinë fituese.
Është natë, Agim Ramadani!
XHEVAT LATIFI
Është natë Agim Ramadani.
Yjet po bien një nga një.
Para këmbëve tua duken të gjithë të vegjël, të tretur.
Një këmbë burri rri i ngrirë mbi një gur-kufiri t’shkulur!
Cfarë të them për kufirin e Kosharës? Është bartur në Çakorr!
Në parlament një grup cubash mbajnë peng demokracinë,
seancë pas seance, marrin ca lekë të zhubrosura
si harta etnisë që po tkurret.
Po thonë se Evropa ka kërkuar nga ne
me kanë pikëepesë…
Është natë, Agim Ramadani!
Çdo ngjyrë e mbetur në penelin tënd
ka pak t’kuqe të Onufrit me sfond flamuri.
Flamuri që sot është verdh’
me e ba blu, si oqean Paqësor.
Në veri të Kosovës “Francuska 7”, ka në sirtarë një plumb të fjetur
me u zgjue ku fryn veriu e Moskës i duket i ngushtë shtrati!
Mban mend ca miq na folën për poezinë, për artin?
Sot janë në politikë .
Atdheun e kanë bo fushë të ikjes
Pasha ty, Atdheu i ka po ato ngjyra të mira,
por ia pshtjelluen mozaikun!
Në Sytë e Simonidës vunë thëngjij të djegur,
derdhën temjan me vaj të zi,
shpirtin e bardhë ia vunë në letargji.
Është natë Agim Ramadani!
(sall sytë e tu kanë dritë!)
Atdheun e vodhën,e shanë!
Heronjtë e rremë po i bëjnë prej balte!
Karadakut e Fushës së mëllenjave këmishë e ngushtë po i zë frymën
Unë vjedh ca dritë të hanës më shkrue vjershën për Kumanovën,
për asimilimin e shqiptarëve në Manastirin ku u banë shkronjat!
janē lëshue perde mjegulle.
Po dojnë me ba natë dritën tande !
Natë është Komandant dhe kam turp me qa!
Me ik nuk mundem pa të thënë:
Fëmijët në gurin tand të shkuljes së kufirit, vënë dorën në zemër.
Thonë agimi e ka shkye kufirin dhe ka shkulë këtë gurë!
Në lapidarin tënd, sytë bajnë dritë që verbojnë ata që fallso vënë kurora lulesh!
Nata i ka hy Atdheut si uji ndërkambë perandorëve t ‘trembur…
Është natë kapedan,sa natë!
bëmë gabim të madh që nuk kuptuam shkëlqimin tënd
E tash kaq shumë kemi nevojë për dritën e një agimi të ri…