Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, e përfaqësuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
Qëllimi i memorandumit të mirëkuptimit është te mbështetja e përpjekjeve të përbashkëta për të siguruar që të emërohen udhëheqës të fortë, të pavarur dhe profesional të institucioneve dhe organeve publike përmes një procesi të drejtë dhe transparent të rekrutimit. Ky projekt synon të ndihmojë institucionet e Kosovës në rekrutimin e një liste të dakorduar të pozitave të larta.
Pas nënshkrimit të Memorandumit, kryeministri Haradinaj dhe ambasadori O’Connell u prononcuan për mediet e pranishme.
Kryeministri Haradinaj me këtë rast tha se po vazhdohet partneriteti me Britaninë e Madhe, si shtet mik i Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme të saj, tani edhe duke përkrahur objektiven e kësaj Qeverie për fuqizimin e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies në institucionet publike.
“Përmes një partneri implementues britanik, ambasada ka ndihmuar në kthimin e besimit në organet publike, por edhe rekrutimin në pozita të larta të shërbimit civil – duke parandaluar nepotizmin dhe duke konsoliduar transparencën, meritokracinë dhe qeverisjen e mirë”, tha kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar se deri më tani janë gjithsej 21 pozita të larta drejtuese të realizuara përmes partneritetit me Ambasadën Britanike për dy vitet e fundit.
Kryeministri Haradinaj tha se ky proces do të vazhdojë edhe më tutje me listën e re me gjithsej 22 pozita, të cilat do të realizohen në periudhën e ardhshme.
“Jemi me fat që ekspertizën shumëvjeçare britanike e kemi dhuratë dhe këtë duhet ta çmojmë dhe nderojmë me punë të mirë dhe të ndershme. Vetëm në këtë mënyrë nderojmë veten, atdheun dhe miqtë e vjetër të Kosovës, siç është Britania e Madhe”, tha kryeministri Haradinaj.