Po të ishim pak më ndryshe, tash kur segmente të caktuara të politikës ndërkombëtare po na e etiketojnë luftën çlirimtare dhe kërcënojnë ardhmërinë tonë, do ti ndalnim fjalët e rënda kundër njëri tjetrit.
Shkruan: Arsim KASTRATI – 2LONLINE.com
Po të ishim pak më ndryshe, tash kur bashkësia ndërkombëtare na e ka paralizuar presidencën e shtetit, ndërsa një pjesë e popullit pikëllohet kurse tjetra sikur në heshtje feston, do të ishim politikisht më të përgjegjshëm e do ti ngjeshnim radhët tona në popull e në institucione.
Po të ishim pak më ndryshe, tash kur PANDEMIA na ka mbështetur për muri e na i ka ngulur thonjtë në fyt edhe si individ e edhe si popull do të silleshim pak më me përgjegjësi, nuk do ta mohonim sëmundjen e do ta ruanim vetveten, familjen dhe tërë shoqërinë nga pasojat e rënda të kësaj murtaje!
Mbani distancë, vendosni maska e lani duar o njerëz, se nuk jemi shumë, shumë na i mori lufta e mos ti japim shumë edhe pandemisë!
Po të ishim pak më ndryshe, tash kur si në rrafshin e politikës ashtu edhe atë të shëndetit të popullit të Kosovës në përgjithësi, po përjetojmë ditët më dramatike që nga paslufta e këtej – do të formonim pa hezitime një QEVERI TË SHPËTIMIT KOMBËTAR (nëse ende e konsiderojmë veten komb dhe nëse ende e konsiderojmë veten shqiptarë).