Po mbahet punëtoria për qeverisjen e përgjegjshme gjinore në nivel lokal, komuna e Vitisë merret si shembull në këtë fushë nga OSBE.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka nisur sot punimet e një punëtori me temën “Qeverisja e Përgjegjshme Gjinore në Nivel Lokal – Praktikat e Mira dhe Sfidat”, e cila ka si qëllim promovimin e barazisë gjinore dhe përmirësimin e qeverisjes në nivelin lokal. Gjatë kësaj ngjarje pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me praktikat e mira të zbatuara nga komuna e Vitisë, të cilat u prezantuan nga zv.kryetari i kësaj komune, Hasan Aliu.
Ai tha se për këtë komunë qeverisja e përgjegjshme gjinore është një temë shumë e rëndësishme. “Sot po diskutojmë për një temë mjaft të rëndësishme, qeverisjen e përgjegjshme gjinore, e cila përbën një qeverisje të drejtë dhe të përgjegjshme në mënyrë që të gjithë qytetarët e komunës ta ndjejnë veten të barabartë dhe të ofrohen shërbime të barabarta komunale për të gjithë qytetarët. Sa i përket progresit të arritur në avancimin e barazisë gjinore në Komunën e Vitisë, është shënuar përmirësim i dukshëm i pozitës së grave, duke filluar nga pozitat vendimmarrës, si në organet përfaqësuese ashtu edhe në ato ekzekutive”, u shpreh zv. kryetari Aliu .
Ai tha se kjo komunë gjithnjë ka qenë e përkushtuar për avancimin e barazisë gjinore, dhe për këtë hartojmë rregullisht politika të reja komunale. Përndryshe në këtë punëtori dy ditore po merre pjesë zyrtarja për barazi gjinore në Viti, Ibadete Hyseni. /2LONLINE/