Nën organizimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe në bashkëpunim e mbështetje nga Banka Botërore, ka nisur sot konferenca njëditore me temën “Roli i të rinjve në zhvillimin lokal”.
Pos kreut të Gjilanit, në këtë konferencë po merr pjesë edhe Gloria La Cava, koordinatore për të rinjtë për praktikën globale të Bankës Botërore, kryetarët e komunave të regjionit lindje, përfaqësues të bizneseve, shoqërisë civile dhe përfaqësues të të rinjve.
Në hapjen e konferencës, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ofruar për Gjilanin, në zgjidhjen e problemeve të të rinjve.
“Asnjëherë deri tash nuk kemi involvuar më shumë akterë se sot në këtë konferencë. Papunësia mbetet problem dhe shqetësimi kryesor i të rinjve. Sa për informatë, Kosova ka popullatën më të re në moshë në Europë, ku mesatarja është 28 vjet, ndërkaq fakt është që 92 për qind e të rinjve deri në moshën 16 vjeçare nuk kanë udhëtuar më larg se në Shqipëri dhe Mal të Zi. Ata mbeten mosha më e izoluar, njëherit potencialisht të përgatitur për treg të punës”, tha Haziri.
Ai theksoi se nga konferenca e sotme do të ketë diskutime interesante në këtë panel të gjerë, duke shtuar se rekomandimet e nxjerra në fund do të jenë tejet të rëndësishme për zgjidhjen e problemeve të të rinjve në këtë regjion.
Gloria La Cava, koordinatore për të rinjtë për praktikën globale të Bankës Botërore, tha se sot më shumë do të dëgjoj përvojat e Komunës së Gjilanit dhe regjionit, bizneseve dhe përfaqëseuesve të të rinjve.
“Fokusi i sotëm do të jetë në qeverisjen lokale në fuqizimin e funksioneve të tyre për fuqizimin e rolit të të rinjve. Arsyeja që sot jemi këtu është se problemet dhe zgjidhjet adresohen dhe arsyetohen më së miri në nivel lokal”, tha përfaqësuesa e Bankës Botërore, Gloria La Cava.
Konferenca po i vazhdon punimet me kontributet e Agjencisë për Zhvillim Rajonal – Lindje, kryetarët e komunave të regjionit e bizneseve, për të vazhduar me seancën e parë plenare “Shërbimet dhe iniciativat lokale të të rinjve”, pastaj seanca e dytë e pasditës me temën “Angazhimi i të rinjve në zhvillim lokal dhe në parandalimm të ekstremizmit të dhunshëm, për të përfunduar me sencën e tretë “Ndërmarrësia e të rinjve – përkrahja për zhvillim të biznesit si dhe qasja në financa”.