Pas përfundimit me sukses të operacionit të Kërkim Shpëtimit në Republikën e Turqisë dhe kthimit në vendlindje sot Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani ka dekoruar pjesëtarët e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës me Medaljen Presidenciale Ushtarake për shërbim.
Presidentja ne fjalën e saj theksoj “ ju keni demonstruar më të mirën e ushtrisë sonë, ndaj puna juaj pasqyron vlerat më të larta të kombit tonë, veprimet tuaja përballë vështirësive janë vullnet frymëzimi për të gjithë ne, ndaj jemi përherë mirënjohes për angazhimin tuaj të palëkundur për ti shërbyer kombit tonë”.
Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës i përshëndeti dhe i përgëzoj për suksesin e treguar në Turqi edhe Ambasadori i Turqisë në Kosovës, z. Tunç Angili shtoi “ në sytë tonë ju të gjithë jeni heronj, duke punuar ne rrethana dhe kushte shumë të vështira me trimëri dhe duke shpëtuar jetë, andaj ky akt edhe njëherë dëshmon së miqësia dhe vëllazëria ndërmjet vendeve tona janë të fuqishme dhe mjaft solide”.
Ndërsa për realizimin e operacionit dhe emocionet që patën gjatë këtyre ditëve foli Komandanti i Kontingjentit kapiten Egzon Syla “ sakrifica që kishin pjesëtarët tanë për të arritur të shpëtojnë jetra të njerëzve ishte mjaft e madhe, ku dëshmuan që Kosova ka djem dhe vajza që janë të gatshme që të sakrifikojnë edhe jetën e tyre kur Kosova ka nevoje”.
Forca e Sigurisë së Kosovës bazuar në mandatin dhe misionin e saj, është e gatshme që të reagoj në ndihmë të shteteve aleatë të Kosovës në raste të ndryshme të fatkeqësive. /2LONLINE/