Fatmir Haziri aktivist i Vetëvendosjes tha se nën moton “Pesë vite ballafaqim”, përvjetori i Vetëvendosjes në Gjilan do nis me hapjen e një ekspozitë me fotografi, do të ketë prezantim të fushatës “Blej Shqip” dhe kundër produkteve të Serbisë, si dhe do të ketë ngjarje e zhvillime të tjera të rëndësishme që lidhen me organizimet dhe aktivitetet e Vetëvendosjes në Gjilan.
Ndryshe, Haziri tha se për këto pesë vite kemi bërë një punë të domosdoshme, e cila ka mbrojtur vlerat kombëtare e qytetare të Kosovës dhe rajonit të Anamoravës në veçanti.
“Për pesë vite rresht jemi ballafaquar me lloj-lloj sfide duke mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe duke ua çelur sytë institucioneve në proceset vendimmarrëse. Edhe në këtë përvjetor Vetëvendosje do të jetë e organizuar duke shënuar aktivitete të larmishme”, ka thënë Haziri.
Ai tha se nga aktivitetet kyçe që e kanë dalluar Vetëvendosjen nga të tjerët pa dyshim është lufta e vazhdueshme dhe kundërshtimi i fuqishëm i decentralizimit etnik që nisi me Gjilanin.
Haziri tha se në të gjitha protestat, demonstratat, debatet e të gjitha grupimeve, ishin të pranishëm për ta kundërshtuar decentralizimin si një proces që nuk është për interesin qytetar e ekonomik të Gjilanit, por kompromis për hesapet e Serbisë.
Gjithashtu si Lëvizje Vetëvendosje vazhdimisht ka luftuar edhe strukturat paralele serbe në Anamoravë të cilat ende janë të pranishme. /2lonline/