Në ditën e dytë të manifestimit poetik, “Shpalime pranë vere”, i cili po organizohet për herë të parë nga ana e Ars Clubit “Beqir Musliu”, si manifestim në nderim të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, në bibliotekën e qytetit “Fan S.Noli” në Gjilan, u shpalos, u vlerësua lartë por dhe u lexuan poezi nga libri i parë i Kaltrina Berishës, “Uni i ndarë”, të cilat u mirëpritën nga publiku i pranishëm .
Fillimisht, drejtuesi i Ars Clubit “Beqir Musliu”, Sabit Rrustemi i njoftoi krijuesit e artdashësit e pranishëm se pse dhe si e nisën dhe këtë manifestim, që dallon nga të tjerët, të cilat i realizon për gjatë gjithë vitit, ky asoociacion alternativ i shkrimtarëve të Kosovës me seli në Gjilan.
Sipas z. Rrustemi, Ars Clubi “Beqir Musliu”, nuk mund ta kalonte në heshtje 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Kështu, të nxitur nga tri vëllime të reja poetike të tre autorëve( Ibush, Vishi, Zanë Mali e Kaltrina Berisha), nga tri qytete të ndryshme të Kosovës Lindore ( Kaçanikut, Vitisë dhe Gjilanit ), të cilët gjatë kësaj pranvere u edituan nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, ideuam dhe po e organizojmë këtë manifestim treditor, për t’i nderuar të gjithë të rënët po dhe kontributdhënësit e tjerë që sollën këtë liri, të cilën po e gëzojmë sot. Andaj, edhe nderimi i këtij çerekshekulli çlirues, me vlera të reja artistike ishte zgjidhja më e mirë dhe këtë po e bëjmë, jo vetëm duke i afruar tri qytete më afër njëri -tjetrit përmes këtij manifestimi, po dhe autorët e, edhe lexuesit.
Më pas, kritikët letrar, Nexhat Rexha, Arsim Halili, po edhe studiuesi i letërsisë, prof dr. Anton Nikë Berisha, u përqendruan në librin e parë poetik të Kaltrina Berishës, një libër me një gjuhë e stil krejt ndryshe nga librat poetikë që janë edituar viteve të fundit në Kosovë, që dëshmon, po sipas tyre, se mundësitë shprehëse artistike janë të shumëllojshme dhe, këto i ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë dhe poetja e re gjilanase, e cila shquhet jo vetëm për durimin e saj krijues po edhe për një përgatitje solide për të hapëruar fushës së letërsisë.
Poetja gjilanase, Kaltrinë Berisha, në paraqitjen e saj, përveç se shprehu mirënjohje që libri i saj i parë u bë pjesë e këtij Manifestimi, rrëfeu edhe për rrugëtimin deri te kjo ditë, duke kaluar e përballuar shumë sfida, përmes kodit të leximit ku, shtëpi të dytë kishte e kishte e vazhdon ta ketë, edhe bibliotekën e qytetit të saj.
Përmes një udhëheqjeje të moderuar nga ana e profesoreshës Liridonë Mehmeti, poezi nga libri i Kaltrina Berishës para të pranishmëve deklamoi artistja e skenës letrare gjilanase, Zanë Mali, me librin e të cilës sot edhe mbyllet ky manifestim treditor, ndërsa dy pika muzikore i ekzekutoi dhe flautistja e re e Gjilanit, Anila Mavriqi. /2LONLINE/