Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku Ministrin e Mbrojtjes, Anton Quni, zëvendëskomandantin e FSK-së, Gjeneral Enver Cikaqi, kanë bërë përurimin e urës lëvizëse në fshatin Hajnoc, e cila ishte rrënuar pas vërshimeve të fundit.
I pari i Komunës, duke falënderuar të pranishmit, në veçanti Forcat e Sigurisë së Kosovës, për ndërtimin e kësaj ure, ka thënë se ky operacion emergjent për të mundësuar një pjesë të qytetarëve tanë të lëvizin dhe komunikojnë lirshëm me pjesën tjetër të komunës, është vet treguesi i nevojës së urave.
“Operacionet e FSK-së na bëjnë krenarë gjithëherë, por këtë herë edhe më shumë, sepse reaguan ndaj një fatkeqësie natyrore me shpejtësi për të rikthyer komunikimin e fshatrave, fëmijëve, pleqve, të sëmurëve e të gjithëve pa dallim. Dua të falënderoj edhe ekipin e komunës të cilët në kohën e vërshimeve ishin në gatishmëri 24 orë në ditë duke i bërë sanimet e domosdoshme, duke komunikuar me qytetarë, me ekspertë e me nivelin qendror. E gjithë kjo, për një komunë të vogël siç është Kamenica, nuk do të mund të realizohej asnjëherë pa përkushtimin e pashoq, profesionalizmin dhe pasionin për shërbimin ndaj qytetarit. Andaj dua të përsëris krenarinë që ndjej që përfaqësoj një ekip me efikasitet kaq të lartë”, ka thënë ai.
Kastrati ndër të tjera ka thënë se në këtë fshat i cili është i banuar nga komuniteti serb, uniformat e FSK-së e dëshmuan se janë për të ofruar siguri.
“Dua të përmend edhe një specifikë interesante rreth këtij procesi e që është vendi ku është ndërtuar kjo urë. Hajnoci është fshat i banuar nga komuniteti sërb, për të cilin komunitet uniformat e FSK-së dëshmuan në praktikë se janë këtu për të ofruar siguri humane dhe shërbim qytetar”, është shprehur ai.
Kurse Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, në këtë përurim ka falënderuar autoritetet komunale, të cilët në mënyrë konsistente kanë adresuar nevojën e qytetarëve, si dhe Ministrinë e infrastrukturës, duke kontribuar së bashku në rikthimin e normalitetit dhe lehtësimin e qarkullimit të lëvizjes si një domosdoshmëri për secilin.
“Vërshimet shkaktuan dëme materiale, por sot në këtë ngjarje, po pasqyrojmë vlerat më të larta që i kundërvihen çdo fatkeqësie, vlerat që përfaqësojnë ushtarët tanë, ato të humanitetit dhe solidaritetit me qytetarët tanë. Profesionalizmi, efikasiteti dhe zelli i secilit pjesëtar të ekipit të inxhinierëve në kuadër të Regjimentit të Xhenios së FSK-së, rezultoi me përmbushjen e këtyre detyrave në afat rekord pavarësisht kushteve të vështira klimaterike dhe temperaturave të ulëta, për të përmbushur njëkohësisht, parimet kushtetuese dhe ligjore- mbështetjen ushtarake të autoriteteve civile”, ka thënë ai.
Ndërsa, zëvendëskomandanti i FSK-së, Gjeneral Enver Cikaqi, ka falënderuar të gjithë për bashkëpunimin, duke thënë se Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë pasur çdoherë një rol të veçantë në situara krizash e vërshimesh.
“Në vërshimet e fundit, jo vetëm në fshatin Hajnoc, por edhe në vende tjera kemi pasur një numër të madh të aktiviteteve tona ku u kemi ofruar ndihmë qytetarëve. Ne do të jemi përkrah autoriteteve civile, lokale, e qëndrore, në mënyrë që të përcjellim të gjitha kapacitetet tona proesionale që kemi për t’iu ofruar ndihmë”, ka thënë ai.
Në këtë ngjarje të pranishëm ishin edhe Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Ambient dhe Inspektorat, Zotrim Kastrati, Koordinatori i Shtabit Emergjent Komunal, Hysen Jerliu, përfaqësues nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës, Policia e Kosovës, KFOR-i, dhe qytetarë të tjerë. /2LONLINE.com/