Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit sot është përuruar transformimi e repartit të shërbimit emergjent, ku ka marrë pjesë, Ministri në detyrë i Ministrisë së Shëndetësisë, Uran Ismaili, Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Sejdiu, e të tjerë.
Aty janë investuar rreth 200 mijë euro në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve mjekësore për pacientët.
“Jemi në repartin e shërbimit emergjent në Spitalin e Gjilanit ku së fundmi kemi investuar rreth 200 mijë euro për ta transformuar këtë repart”, ka thënë ministri Ismaili, për të shtuar se qytetarët e Gjilanit tani kanë në dispozicion një shërbim modern që do t’u përgjigjet të gjitha kërkesave dhe nevojave emergjente në Spitalin e tyre.
“Është kënaqësi me qenë sot këtu me juve, me gjithë personelin shëndetësor, të cilin e kemi edhe sot pas vetës dhe të cilët për një kohë të gjatë kanë pritur që të kenë ambiente më të mira, që të kenë mundësi t’ju ofrojnë pacientëve tanë më të mirën, duke pas pajisje më moderne”, ka thënë Ismaili.
Ndërsa Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Sejdiu tha se ky investim është bërë në vazhdën e përmirësimit të kushteve për profesionistët shëndetësorë dhe pacientët.
“Është prioritet i yni që, përveç përmirësimit të infrastrukturës, gjithashtu bëjmë furnizimin me pajisje. Kemi përmendur vitin e kaluar që prioritet për këtë vit do të jenë edhe spitalet rajonale, sepse të gjitha janë pjesë e sistemit tonë shëndetësor. Të gjitha këto po bëhen për të mirën e pacientit”, tha Sejdiu.
Nisret Hajrullahu, Drejtor i Spitalit të Gjilanit, u shpreh i kënaqur me investimet e bëra, ndërsa tha se përmirësimi i kushteve në Emergjencë rrit kualitetin e punës dhe se gjithçka do të jetë në shërbim të pacientit dhe qytetarit të Gjilanit.