Pranonin para nga kandidatët për patentë shofer dhe përmes pajisjeve për komunikim në largësi ua mundësonin kalimin e provimeve, bien në pranga të Policisë
Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), në bashkëpunim me Departamentin e Krimeve të Rënda nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale ‘marrje e ryshfetit në sektorin privat’ dhe “bashkryerja”
Me datën 14.02.2023 pas hetimeve intensive disamujore të zhvilluara nga hetues të krimeve ekonomike, është realizuar një urdhëresë e gjykatës, me ç’rast është kontrolluar një autoshkollë në Prishtinë, nën dyshimin e bazuar se pronari i saj në këmbim të parave ua kryen provimet teorike dhe praktike për patentë shofer kandidatëve të interesuar.
Personat e arrestuar lidhur me këtë rast janë:
• I.M mashkull/kosovar
• B.M mashkull kosovar
Gjatë kontrollit të realizuar janë gjetur dhe janë sekuestruar si prova materiale:
- pesë (5) folderë me kopje të testeve që dyshohet se janë të njëjta me teste për patentë shofer,
- një (1) folder me të dhënat e kandidatëve si dhe
- dy (2) pajisje që janë përdorur nga të dyshuarit për komunikim në largësi.
Lidhur me rastin, në konsultim me prokurorin kompetent, pas intervistimit të dy personave të dyshuar, ndaj tyre është lëshuar aktvendimi për ndalim 48 orë dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje. /2LONLINE/