Shkruan: Hysen Këqiku
“Dhuna dhe egërsia i fshehin kulturat në shkure të helmuara. Por kultura është dritë që, edhe kur të duket e fshehur, nuk asgjësohet dhe, shpejt ose vonë, del dhe vezullon në një trevë kulture të zhvilluar me fisnikëri të vërtetë” – Nermin Vlora –Falaski
Pas një krijimtarie të begatshme në fushën e thurrjes së poemave rapsodike dhe kompozimit të një numri shumë të madh të këngëve origjinale në frymën e melosit tradicional popullor, me një mbrujtje përmbajtësore e poetike, Demir Krasniqin nuk mund ta quajmë vetëm mbledhës të folklorit tonë, por edhe poet të talentuar, të çiltër, kompozitor, pedagog të dalluar dhe shumë të vyeshëm.
Gjithmonë i paisur me ide përparimtare e patriotike, sepse t’i hyjshë punës me një patos e me aq përkushtim për mbledhjen e atyre vlerave të pakapërcyeshme të krijuara nga gjeniu ynë popullor, të kontribuosh që ato të mos i gllabërojë harresa, të mos i mbulojë pluhuri i shundit që kohëve të fundit është në ekspansion, nuk është e pavlerë – ajo është një veprimtari fisnike, humanitare e mbi të gjitha përkushtimi më sublim që mund ta bëjë njeriu për veten e vet; të jeshë pararojë e ngjarjeve të ndryshme historike në hapësirë dhe në kohë, t’i përcjellësh ato dhe t’i realizosh në krijimtari me një përkushtim e ndjeshmëri aq të përgjegjshme, duke i vënë në plan të parë me cilësi dhe tipare karakteristike reale, nuk është për t’u heshtur, por përkundrazi kjo është një krenari e krijimtarisë sonë në përgjithësi sepse ato fytyra historike, me mbi 800 emra e mbiemra të personazheve historike që zunë vend në veprat e krijuara dhe të botuara, që nuk i ndriçoi sa duhet historiografia jonë, i skaliti me tekst dhe me komponim artistik krijuesi ynë, Demir Krasniqi, duke i paraqitur në skenën librare të një bagazhi të pasur që e krijoi duke e shpërndarë gjithandej trevave tona etnike.
Demir Krasniqi me krijimtarinë e tij të përkushtuar, kaherë i ka thyer barrierat e anonimitetit. Ai me botimin e fundit “Lirika popullore e Gollakut” po i rrubullakson 40 vjet krijimtarie artistike në fushën e artit muzikor si krijues, këngëtar, kompozitor dhe si mbledhës i folklorit tonë popullor.
Demir Krasniqi asnjëherë në jetë nuk e ka materializuar këngën. Ai, tërë potencialin e vet krijues, intelektual dhe ekonomik, ia ka dhuruar krijimit, kultivimit, publikimit dhe përhapjes së këngës shqiptare gjithandej ku flitet shqip.
Vepra “Mallëngjime e oshtima”, e botuar në Prishtinë në vitin 1993, ishte një paralajmërim se kishim të bënim me një krijues, i cili jetën e vet ia kishte lënë në dispozicion artit, shpirtin e kishte shkrirë në të dhe mendjen me tërë forcën fizike e kishte shtrirë në fushën e betejës për të ngadhënjyer e bukura dhe vetëm e bukura.
Duke mos harruar se trimi në fushë të betejës nuk është trim pa shokë, si i tillë vazhdoi rrugën e hulumtimit e të zbulimit të vlerave të krijuesit dhe të këngëtarit Qamili i Vogël, i cili kishte pushtuar zemrat e artdashësve, me këngën, krijimin e tyre dhe vënjen në repertor nëpër mediat tona audio. Përkushtimi për të përkushtueshmin e tij të dashur Demir Krasniqi e kurorëzoi me veprën “Qamili i Vogël – zë që nuk shuhet”, monografi e botuar në vitin 1995.
Demir Krasniqi, nuk deshi t’i mbetet borxh Qamilit të Vogël – këtij shpirti të këngës shqipe, prandaj, në vitin 2006, në Gjakovë, bëri promovimin e librit “Këngë përjetësie” me 100 këngë të Qamilit të Vogël, të mbledhura dhe të notizuara nga Demir Krasniqi. Kjo është një vepër tepër e suksesshme, e cila regjistron kujdesin e krijuesit për krijuesin; përkushtimin për të bukurën që mbetet pasuri e fondit krijues, vlerë dhe shembull për trashigiminë tonë të pasur në fushën e artit të shpirtit – siç e quajnë muzikën artdashësit.
Njëra prej veprave me një angazhim shumë të madh historik padyshim se është “Gjakon Kosova”. Kjo është një përkushtim dhe një jehonë e trimërisë së kohës, e cila filloi thundrrimin në Drenicën legjendare, në Arbërinë e Vogël, që kurrë nuk dijti t’ia kthej shpinën asnjë armikut, as t’i përkulet, as t’i përulet por vigane e prijatare. Aspak nuk është trim më i vogël Demir Krasniqi kur këtë vepër, kushtuar luftës së UÇK-ës dhe trimave të parë të rënë në altarin e lirisë, e shkroi dhe e botoi pikërisht në kohën kur derdhej gjaku për liri në vitin 1998.
Po atë vit, m’u në flakën e luftës së përgjakshme, Demir Krasniqi u bë autori dhe kompozitori i parë kosovar, i cili në gazetën e atëhershme “Gazeta e re shqiptare” në faqen 16 të datës 17 nëntor 1998 e publikoi këngën me titull “Rroftë Ushtria Çlirimtare” me tekst të angazhuar historik dhe nota muzikore.
Veprat e tjera “Bejtë Pireva, Gjilan 2002, “Zeqir Maroca”, Gjilan 2002, “Këngë krismash lirie I”, Gjilan 2003, “Këngë krismash lirie II”, Prishtinë 2003, “Familja Kurti nga Tugjeci” Prishtinë 2004, janë një mori tjetër krijimesh e shpalimesh historike, ku Demir Krasniqi me një talent dhe përkushtim të përgjegjshëm, vuri në skenë dhe spikamë fytyra të ndryshme që i kontribuan ecjes sonë nëpër rrugët e katrahurave dhe sfidave historike.
Vepra që padyshim ia spikat krijimtarinë në vazhdim, me ngjyrë të pashlyeshme duke ia sforcuar vulën e rrugës e të përcaktimit jetësor, është vepra “Shtojzovallet e Gollakut”, e botuar nga ETMM i Kosovës, Prishtinë 2005.
Kjo vepër me tërë atë thesar që në vete përmbanë, është një arkiv i këngës sonë të krijuar brenda këtyre 40 vjetëve krijimtarie e muzikografie të Demir Krasniqit.
Dy veprat e tjera “Kushtrim lirie” dhe “Kroi i këngës” të botuar në vitin 2005, janë vazhdim i punës me përkushtim në drejtim të pasurimit të fondit krijues të autorit në fjalë.
* * *
Teritori gjeografik i hulumtuar nga Demir Krasniqi, ka qenë i lënë fare nga kompetentët që institucionalisht dhe profesionalisht janë marrë me vjeljen e krijimtarisë gojore.
Këngët lirike, sikundër dihet, janë lloji më i zhvilluar, më i përhapur dhe më i shumëllojshëm. Me këtë lloj krijimtarie, njeriu ynë nëpër shekujt e ecjes drejt të sotmes, ka qeshur e ka qajtur, ka shprehur gëzimet dhe pikëllimet, i ka manifestuar fitoret duke i lotuar edhe humbjet, me një fjalë e ka thundruar shpirtin e tij në ngjarje të llojit të krijuar.
Treva e Malësisë së Gollakut përfshinë një hapësirë të madhe gjeografike, një hapësirë të begatshme në fushën e krijimtarisë folklorike.
Kësaj treve, ashtu siç ia dhuroi natyra talentin dhe dhuntinë e të krijuarit, ia fali edhe talentët e këndimit, kompozimit, interpretimit dhe të kujdesit që të ruhen e të mos humbasin.
“Dhuna dhe armiqësia fshehin kulturat në shkurre të helmuara. Por, kultura është dritë që, edhe kur të duket e fshehur, nuk asgjësohet dhe, shpejt ose vonë, del dhe vezullon në një trevë kulture të zhvilluar me fisnikëri të vërtetë”
Në momentin kur dashamirit të krijimtarisë popullore i ngjethet trupi nga frika e humbjes së një pjese të kësaj krijimtarie të një teritori gjeografik – siç është Gollaku, na del një dritë e “papandehur”, fisnikëria e një krijuesi, i cili atë dritë “të fshehur në shkurret e helmuara” na e qet me një dritë vezulluese në log të pazhdukësisë.
E tërë kjo ngjau me kujdesin përkushtimor të Demir Krasniqit për të bukurën dhe urtinë popullore, për një angazhim të tij dhjetëvjeçarë (1970 – 1980) në mbledhjen e një numri të konsideruar të këngëve lirike, kryesisht të dasmës në një teritor të gjerë duke përfshirë shumë fshatra të Kamenicës, Gjilanit, Novo Bërdës, Prishtinës e të Podujevës. Ky mbledhës, i zellshëm dhe krijues i palodhshëm, as një lëvizje në malësinë e Gollakut e gjetiu nuk e bëri pa ndonjë sukses në fushën e vjeljes së urtisë popullore. Ai “eci, kshyri (shikoi) dhe mbajti në mend”. Ato i shënoi në fletoret e veta të sukseseve përkushtuese.
Dorëzimi i vëllimit , të titulluar “Lirika popullore e Gollakut” nga Demir Krasniqi, për Shtëpinë Botuese “Kurora” në Gjilan, ishte një nder dhe surprizë e madhe dhe shumë e mirëpritur sepse, brenda saj gjendeshin 1216 këngë, të cilave do t’u mundësohej moszhdukja. Ato do të frymojnë në libër dhe do të përcillen si gjithherë nga goja në gojë, nga regjioni në regjion me tërë bukurinë e tyre përmbajtësore e artistike duke pasqyruar talentin e gjeniut popullor të mbrujtur në artin e tij të jetës e të ekzistimit.
* * *
Këngët e përmbledhura në këtë botim, janë të një specifike dhe karakteristike të veçantë nga se kemi të bëjmë me artin e krijuar nga femra jonë. Bile mbledhësi i tyre i quan edhe “Këngë të grave të Gollakut”. Sidoqoftë, në këto këngë spikatet e bukura artistike, ndjenja e ngrohtë për njerëzit, miqtë e dashamirët, dashuria e sinqertë, besnikëria e pathyeshme, humaniteti i skajshëm, shpirti i ndjeshëm, fisnikëria, bujaria dhe mbi të gjitha vlera e skalitur në shpirtin prej artisti të gjeniut, që pa humbur kohë është në gjendje të krijojë atmosferë çfare i nevoitet momentit dhe kohës.
Këngët e këtij vëllimi janë ritmike (pos atyre me karakter elegjiak e motive tjera jo të dasmës). Ato si të tilla mund të këndohen dhe melodia e tyre mund të hiqet valle.
Këngët e përmbledhura në veprën “Lirika popullore e Gollakut” sipas karakterit, natyrës dhe subjektit që kan në vete, autori i ka ndarë në 12 cikle:
Këngët e ciklit të parë kanë një përmbajtje lirike që e karakterizon botën e qiltër të meditimit lirik të vajzave. Ato për sa i përket paraqitjes së botës së brendshme janë jo vetëm shumë të lira por edhe shpalojnë forcën e shpirtit krijues e meditues. Ato nuk janë si vajzat e dikurshme, kur ishin të mbyllura brenda katër mureve të shtëpisë nga kanunet e mbrapshta, qofshin civile qofshin fetare. Vajzat e këtij cikli janë nga ato që shkojnë në shkollë e që janë fare të lira, vajza me çanta të mbushura me libra e fletore, të cilat krah për krahu me djem shkojnë rrugës së emancipimit e civilizimit. Ato i gjen kudo, në shkollë, në shfaqje të ndryshme kulturo artistike, jo vetëm statiste por edhe artiste, këngëtare, recitatore, valltare etj. Ato janë krejtësisht të barabarta edhe me djemtë – vëllezërit e tyre. Udhëtojnë me tren e me “limuzinë”. Jo si ato të kohërave më të hershme, kur për fatin e tyre vendoste dikush tjetër. Ato tashti vendosin vetë dhe për këtë u janë mirënjohës prindërve që ua dhanë atë mundësi. Liria e fituar (me përmbysjen e kanuneve dhe ideve prapanike), vajzave ua shton dashurinë ndaj prindërve prandaj pa u larguar nga jeta idilike, ia thonë këngës, aty ku janë në kopsht, në livadh, në arë me kasnakun (xherxhefin) në dorë:”Jemi çika e rrim te nana/ Hajmi bukë saherë të na kana,/ Hajna bukë e pina ujë/
S’na vjen marre prej kurkuj”. Ose: “Na jep nana pshesh me tamël/ Me u ba t’mira dhe gojëamël.”
Këngët tjera, me karakteristika dhe specifika të një natyre tjetër që, manifestojnë një brengë sa të përgjegjshme po aq edhe shqetësuese, janë këngët e ciklit “Këngë fejese” për faktin se, shumica e tyre, edhe në kohën kur janë mbledhur këto këngë, fatin e fejesës, vajzat e kan kryer vetë. Kjo shihet në përmbajtjet e vetë këngëve. Ato që kan qenë në shkollë e kan gjetë njeri – tjetrin, po edhe ato që nuk kan mundur ta vazhdojnë shkollën, për shkaqe objektive e subjektive, prindërit nuk i kan fejuar si më herët pa e marrë mendimin e tyre. Këngët që trajtojnë këtë motiv, janë të shumëta edhe përmbajtësore, me figura dhe gjetje të shumëta artistike: “Dy bylbyla – në penxhere t’ odës,/ Zhdirgju vllavi jem, qasaj kodrës!/ Qasaj kodrës, nëpër qata lisa/ Vetë e pash Lulijen, vetë e begenisa.
Siç shihet në këngët e këtij cikli, problemi i fejesës, përkatësisht i gjetjes së djalit apo vajzës, nuk është i vështirë. Ata që e duan njeri – tjetrin takohen, bisedojnë, dashurohen dhe fejohen, aty ku janë në shkollë, në shtëpi apo edhe në ambient të hapur te livadhi, te kodra, në rrugëtim etj. Ritmi i këngës dhe ritmi i jetës janë plotësisht në harmoni të natyrshme. Këtu vjen në shprehje liria e interpretimit dhe e krijimit. Liria, talenti dhe shpirti krijues i gjeniut popullor: “Bukuri moj papuçet e verdha, /Fannol vllavi n’normale te Peja. /N’normale te Peja çka po ban? /Ka marrë gjuhën shqipe pe studion”.
Këngët e ciklit “Këngë fejese” janë kryesisht të reja dhe nëse krahasohen me këngët e vjetra të kësaj natyre, na dalin me më pak figura të marra nga natyra. Në to hasim elemente të reja të bashkëkohësisë. Ambienti është tjetër. Po, megjithatë, hetohet po ai shpirt motre që vëllaun e do shumë dhe këndon për të me entuziazëm dhe dashuri të pakufishme.
Cikli në vazhdim “Lirika popullore e Gollakut” në 87 këngët që i përmbledh, hetohet një frymë lirike, një frymë subjektive e motrës për vëllaun, të cilit i këndon me aq pasion, dhe vrull, duke i dëshiruar një jetë që vetëm zemra e motrës di ta thotë pa hile, pa zili, pa mëdyshje.
Motra e sheh vëllaun aty ku ia do zemra: në shkollë, në fakultet, në zyre, duke shkruar me “penkallë”, me makinë, duke udhëtuar me aeroplan, me shtëpi afër Fadil Hoxhës, Veli Devës e funksionarëve të tjerë të kohës kur, këto këngë ose u krijuan ose u kënduan.
Motra nuk përton t’i shërbejë vëllait, t’i rrijë pranë e t’ia afrojë sendet që i nevojiten. Ajo, në këngët që i këndon ose që i krijon, e shpreh dashurinë, kujdesin dhe entuziazmin pa asnjë rezervë por, me forcën e shprehjes duke e vënë në spikamë të vërtetën se vëllaun e do shumë. Në këngët që motra ia kushton vëllait shpesh gjejmë edhe brengosjen, të shprehur në formë të ankimit, se ndoshta ndonjëherë nuk ka mundur ta shpreh ndjenjën e përkujdesjes për vëllaun “që Zoti ia mbylli gojën” e nuk mundi ta përshëndeste:“E musha bakallin,/ E lash në tavolinë,/Gjeta vllavin tem -/Tuj shkrue me maqinë./Tuj shkrue e gjeta,/Tuj shkrue e lash,/Ma muer Zoti gojën-/Mirë dita, s’i thash”.
Vëllau i motrës është më i mirë se të gjithë të tjerët. Ajo me figurat e gjetura dhe të mbrujtura artistikisht, e shpreh tërë ndjenjën subjektive duke bërë përpjekje që ta thotë atë që i do zemra:“Lum kush e merr e kush e ka!/
T’ lumet motrat, qi e thërrasim vëlla! Ose:“Çoje vëlla tallazin se u qorrove!/ Çikat e Shahiqit na i trenove!…
Dashuria e madhe në mes dy të rinjëve, me gjini të kundërta, kurorëzohet me fejesë e kur nuk mund të jetojnë pa njeri-tjetrin edhe martohen. Përkundër parapëlqimit dhe pajtimit të të rinjëve për t’u fejuar dhe me qëllim që të ruhet dhe të krijohet një miqësi e lezetshme në mes dy familjeve, dikush prej të afërmve e kryen detyrën e mësitit – shkuesit.
Mësiti shkon në familjen e vajzës për t’ua kërkuar vajzën, sipas porosisë për djalin e N.N.-it. Këto kohët e fundit, me që të rinjtë paraprakisht janë pajtuar, mësitnia kryhet vetëm formalisht e për t’i respektuar doket e zakonet e kësaj ngjarjeje jetësore. Megjithatë, shkuarja dhe ardhja e mësitit përcillet me nderime dhe respekt.
Në letërsinë popullore janë krijuar një mori këngësh për mësitin, të cilat kryesisht i këndojnë shoqet dhe të afërmet e vajzës.
Demir Krasniqi ka mundur t’i regjistrojë 22 këngë të tilla, të cilat këtij libri ia japin një freski dhe një atmosferë argëtuese.
Edhe pse në këndimin e këtyre këngëve derdhen një mori shpotishë, në llogari të mësitit, duke krijuar një atmosferë gëzimi e argëtimi, mësiti nuk hidhërohet, përkundrazi i rritet disponimi dhe kënaqësia që ai po e kryen një punë shumë me rëndësi për t’i bashkuar dy të rinjtë që ia kan dhënë besën njeri – tjetrit.
Këngë për mësitin këndohen në të dy shtëpitë edhe në atë të vajzës edhe në të djalit dhe dallimi i tyre është fare i vogël. Humori dhe satira janë elementet kryesore të tyre: “Mësiti jonë kryet si lakën,/ T’ marroftë Zoti me gjithë plakën!
Ose:“Po vjen mësiti nëpër lamë, / I kish hup njana apangë!
Derisa në shtëpinë e vjazës, përveç gëzimit që u krye fejesa mbizotëron edhe një pikëllim se do të vije koha kur vajza e tyre do të largohej për të shkuar “te burri”. Në shtëpinë e djalit ndodh e kundërta se ata do ta marrin një nuse përkatësisht një anëtar të ri:“Çka ka mësiti qi e nali kalin? /Të lumet na na e pruni fjalën!/ E pruni fjalën Zo’ për hajr!/ Lumja unë kunatën qi e marr!
Edhe në shtëpinë e djalit këndohen këngë që mësitit ia hudhin ndonjë shpoti apo sarkazëm, po mësiti nuk e prish disponimin, ai është i gëzuar se e ka kryer me sukses porosinë dhe ka ardhur duar plot – e ka pru “dorën”: “Mësitit tonë i dalt i thati – / E pruni Dorën pa u ba gati…
Sido që të jenë, këngët që i këndohen mësitit janë një bukuri artistike në veti, ato e begatojnë lirikën tonë popullore.
Në librin “Lirika popullore e Gollakut”, lexuesi do t’i gjej edhe 110 këngë kanagjegji. Këto këngë janë më të pasurat dhe më të prekshmet nga të gjitha këngët e tjera të dasmës. Këto këndohen gjatë kryerjes së ritualit të lyerjes së flokëve dhe shuplakave të duarve me këna (lloj ngjyre). Ky ritual bëhet të shtunen ose të merkuren pas darke. Këngët e kanagjegjit e përcjellin këtë ritual. Në këto këngë përmbajtësore dhe emocionalisht të fuqishme në mënyrë të harmonishme gërshetohen ndjenjat më të fuqishme nga të shfaqurit e dashurisë ndaj prindërve, vëllezërve e motrave dhe deri te nostalgjia nga kujtimet e paharruara të jetës së vajzërisë:“Bismilahi, t’u çart bisteki! / T’la çiknija e t’la lezeti!
Ose:“Mu kan si Hazbija –o, / Mytna tu kajt –o,/ Mos kujto, oj motër, / Qi po shkon tu dajt-o!
Këto këngë manifestojnë pikëllimin për ndarjen e vajzës nga familja si dhe nostalgjia për kujtimet nga vendlindja, shprehur në këngët e kanagjegjeve me melodi intonacionesh melankolike dhe deri diku edhe monotone sepse e bëjnë atmosferën të ngarkuar me emocione.
Atmosfera bëhet edhe më prekse kur vajza nuk e ka njerin prind, ndërsa vajzat, që ia thonë këngës të përcjellura me def, e thërrasin vajzën që ta vajtojë babain apo nënën që nuk e ka:“Kaj moj motër, lotin fije-fije, / Me m’kallxue çfarë malli kije, / -Malli jem, oj motër asht i mad! / Me pasë babën gjallë – ngryk e marr!
Kjo ndikon në formë dërmuese në gjendjen shpirtërore të vajzës. Asaj i ngacmohet zemra e tronditur shpirtërisht dhe sinqerisht. Kur ajo fillon vajtimin, me shami në kokë, krijohet një situatë e ngarkuar me emocione dhe bashkë me vjazën, që qanë me ngashërimë, qajnë edhe të tjerët që janë prezentë, kështu krijohet një atmosferë e rëndë e ngarkuar emocionalisht.
Me këtë rast, të prekura nga pikëllimi se shoqja e tyre, motra apo e afërmja po u ndahet se ajo po shkon te burri, vajzat nuk mund të durohen pa e kënduar edhe ndonjë këngë me përmbajtje shpotitëse, drejtuar grave dhe vajzave të familjes ku ajo shkon nuse:“Ani edhe sonte rri me bija! / Nesër prama me rrospia… etj.
Demir Krasniqi, për ta krijuar një pushim që shkakton relaksim tek lexuesi, pas këngëve të kanagjegjit i ka vënë 12 këngë dashurie, të cilat përëmbjnë një dashuri të sinqertë, të vënë në raporte të shëndosha ndershmërie e sovraniteti të natyrshëm.
Në to përshkruhet bukuria e vjazave dhe ajo krahasohet me gjera të bukura të marra nga natyra me bukuritë e veta që i rrethon:“U nal dielli po kqyrë me sy- /Lum ai djalë që t’paska ty!”
Është interesant dialogu që zhvillohet në mes dy të rinjëve. Ai është i ndikuar nga një dashuri e madhe dhe shumë e sinqert. Aty vëhen në pah edhe shqetësimet edhe pengesat që u dalin atyre për t’u takuar e për të biseduar me njeri – tjetrin: “Oj, ti çikë, në kapixhik, / A je nuse, a je çikë?! /Me kan nuse, i lëshoj zylyftë, / Po jam çikë, shaminë nër fyt!”
Ose:“Ku e ki nanën, mori vajzë? / O për besë, m’ka shkue te dajtë! / Sa ditë rri, o, mori vajzë? / Nja dy ditë, more, ti djalë!”
Kuptohet se brenda këtyre ditëve, kur vajza nuk e ka rojën nga nëna, mund të realizohet ndonjë takim në mes të të dashurve.
Cikli “Këngë dasme” përmbanë 588 këngë, të bukura, që përcjellin doket dhe zakonet e dasmës prej fillimi e deri në fund, kur dhëndërri nxirret nga xherdeku:“Krisi pushka përmbi shpi- / A po nieni, o kojshi? /Mirë po niejna e po knojna, / Hasan – agën pe martojna”…
Këto këngë manifestojnë gëzimin e madh që mbisundon në shtëpinë që mer nuse. Aty kënga dhe vallja nuk ka të ndalur. Gëzimi është i madh se prindërit e martojnë djalin, motrat vëllaun kurse dajat nipin:“Vallja e dytë, oj, /Me mindil me vija, / Oh, sa e bukur vallja- /Vallja veç me bija!”
Ndër momentet më të gëzuara të dasmës është kur vjen nusja dhe kur atë e nxjerrin nga qerrja. Aty grumbullohen të gjithë dasmorët, kryesisht të gjinisë femërore. Kënga jehon me nota gëzimi e hareje. Gëzimi është edhe më i madh kur nusja na del e bukur. Ajo krahasohet me diell, ylber e figura tjera të bukura. Ajo nuk e ka emrin Lule, po Lule e thërrasin:“Kur bjen shi, qysh del dylberi- / Qashtu del Lula prej kerri! Ose:“Shifni shoqe, shifni gra! / Rrezja e diellit ku ka ra!”
Një moment shumë interesant dhe argëtues është ardhja e qerreve në shtëpi të vajzës e cila shkon nuse. Në këtë moment këndohen këngë drejtuar bullave (krushkeve, kerregjikeve) dhe përgjithësisht këto këngë i marrin po atë emër pra: “Këngë bullash” ose “Këngë kerregjikesh” dhe “Këngë të krushkeve”, Këto këngë autori Demir Krasniqi i quan “Këngë bullash” sepse kështu quhen në tërë Malësinë e Gollakut.
Në shtëpinë e nuses, derisa ajo është ende tek shtëpia e prindërve, krijohet një atmosferë hareje dhe gëzimi. Tashti kënga jehon nga të dy anët edhe nga vajzat – shoqet e vajzës që shkon nuse dhe në anën tjetër ato më të rejat që kan ardhur për ta marrë nusen si bie fjala motrat apo kushërirat e dhëndërrit. Ato ia thonë këngës me entuziazëm e veçmas kur nusja ju duket e bukur.
Vajzat nikoqire, me këngët që i këndojnë e lavdërojnë shtëpinë dhe prindërit e vajzës, ato shpesh herë kan nota mikpritjeje e mirësjelljeje:“A po e dini ku keni hi? / N’ saraj t’bardhë te ni zotni!”
Ato hyjnë brenda në një dhomë të caktuar dhe u bëjnë vend për t’u ulur, Pasi ato ulen në vendet e caktuara sipas moshës, hyn nusja dhe tash krushqet – bullat ose kerregjiket ardhjen e nuses e përcjellin me këngë duke e lavdëruar dhëndërrin për të cilin ajo shkon nuse. Ato e lavdërojnë edhe veten:“Dihen bullat e shpijanikit- / Ju kallxojnë lirat e fytit!” Kurse në anën tjetër shoqet e vajzës që shkon nuse:“Ka kajt Lula , qe tri ditë- / Qysh po i sillet lira nër fyt!”
Në këtë rast nuk mungojnë edhe këngët me përmbajtje shpotitëse drejtuar bullave:“Çka e ktheve bullë, kryet përmas? / E harrove plafin e u bane gaz!” Ose: “Oj, ti çikë, qafën e bardhë, / Për ni djalë po dojmë me t’nal”.
Kënga nuk ndalet derisa nusja të hyjë në qerren stolisur si është më së miri.
Këto këngë janë ndër më të bukurat dhe më interesantet. Ato kan edhe elemente të sarkazmës edhe shpotisë dhe këndohen me të madhe duke krijuar atmosferë hareje dhe gëzimi, mbase sarkazma dhe shpotia janë pjesë e gëzimit dhe e entuziazmit.
Një lloj tjetër i këngëve të dasmës janë ato që i kushtohen dhëndërrit. Këto këndohen së pari në shtëpi të tij ende pa hyrë në dhomën e nuses ose në xherdek:“Rrang e dang, po ban sahani! / Bjerne dhandrrin, se u ba akshami! /Rrang e dang, po ban kusija, / Bjerne dhandrrin, se u ba jacia!”
Një pjesë e dasmës zhvillohet, pranë derës së xherdekut. Aty gjendet nëna e djalit, babai, vëllezërit, motrat, kushërirat, tezet, gratë e dajave etj. Ata e e përcjellin dhëndërrin të hyjë në dhomë ku e pret nusja. Ai pasi përshëndetet së pari me prindërit, hyn rrëmbimthi në dhomë të nuses, kurse përjashta vazhdojnë këngët: “Dera me zingjirë, me zingjirë- / A po të duket vëlla nusja e mirë?” etj.
Pjesa tjetër e këngëve kushtuar dhëndërrit janë ato që këndohen tek prindërit e nuses. Ato këndohen kur të shkojë dhëndërri së pari (sparim). Teksti i këtyre këngëve ka përmbajtje humoristike me plot figura, me të cilat lavërohet dhëndëri ose përqeshet:“Po rri dhandrri me krye ulë- / Çka ki dhandërr, mos je çkulë”. Ose:“Fryni era e na e rrxoj tallën- /Na e ka nxanë dhandërr budallën! “…
Edhe pjesa tjetër kohore, derisa të kryhen sparimet zihet si pjesë e dasmës. Me kryerjen e saprimit përfundimisht është kryer edhe dasma. Edhe këto momente manifestojnë gëzim mbasi përcillet me këngë, valle dhe hare.
Për këtë rast më të gëzueshmin në jetën e njeriut, gëzohen të gjithë, nënat e dy të rinjëve: nëna e djalit për shkak se të birit po i bëhet e mundshme të ketë trashëgimtar, gëzohet nëna e vajzës e cila për një kohë të gjatë ka pasur kujdesin e edukimit të saj për ta gatitur me cilësi dhe tipare të mira të një vajze të sjellshme, të shkathtë dhe punëtore:“Na jep nana pshesh me tamël, / Me u ba t’mira dhe gojëamël!”
Vëllezërit e vajzës gëzohen po ashtu se do të bëhen dajë, e të jeshë dajë, është një kënaqësi e veçantë.
Kur bëhet dasma të gjithë gëzohen. Prandaj gjatë tërë kohës këndohet dhe vallëzohet. Të gjitha momentet, doket dhe zakonet përcillen me këngë ritmike të cilat hiqen edhe valle.
Këngët e dasmës janë krijuar duke i shoqëruar doket dhe zakonet, sepse për të gjitha ato veprime janë gjetur figura të cilat gjatë kohës, sa ato janë të vjetra, janë kënduar dhe janë begatuar me gjetje gjithnjë në përputhje me kohën dhe momentin.
* * *
Në këngët e dasmës, të mbledhura nga Demir Krasniqi, gjejmë sosh që janë krijuar së voni ose janë begatuar me figura të reja.
Në këngët e vjetra, me të cilat janë përcjellur ngjarjet gjatë dasmës, dominojnë figurat të cilat kan qenë aktuale atëherë dhe në bazë të atyre figurave është përcaktuar koha e krijimit të tyre, bie fjala: veku, furka, boshti, agërshaku, shamija, ojat qëndisja etj. Kurse një numër i konsideruar i këngëve në këtë botim kan figura tjera bashkëkohësije si shkolla, makina, treni, bankat e shkollës, çantat, fletoret, mjekësia, mësuesi, profesori, sekretari etj.
Megjithatë edhe në këngët e reja figurat letrare krijohen me gjetje nga natyra sepse nusja kurdoherë edhe pse ajo shkon në shkollë faqet e saja krahasohen me mollën e kuqe, fytyra e saj me hënën e plotë, kurse trupi i saj i drejtë si selvia.
Këto këngë përveç koloritit letrar dhe artistik përmbajnë një begati të pashtershme gjuhësore që do t’u shërbejë studiuesve për hulumtime e krahasime, letrarëve për gjetje dhe frymëzime kurse kompozitorëve varg të ndërtuar mirë për komponim.
Autori, nuk ka dashur që t’i shpëtojë diçka pa e shënuar, pamarrë parasysh se cili personazh ose person është përmendur[1]. Është e vërtetë se njerëzit tanë për të jetuar në ambientin e tyre jetësor dhe krijues, iu desht të përshtaten sepse në shumë vende popullata ishte e përzier dhe gjuha e komuniteteve po ashtu e përdorshme si një pjesë dhe nevojë e jetës. Kjo dukuri është evidente në një pjesë të madhe të këngëve, ku përmenden fytyra politike, edhe pse në kontestin historik, për realitetin tonë aktual ishin negative por, për gjendjen e tyre ekonomike dhe afirmative, këngëtaret tona… Ose përdorimi i një sasie fjalësh sllave, të futura në këngët tona si gospodin, gospogje, dërzhava, slluzhbenik, ulicë, tashnje, omladina etj. shënojnë realitetin e një jete të përzier. Megjithatë, këto këngë nuk e dëmtojnë përmbajtjen dhe rrjedhën e natyrshme për ta përcjellur momentin e pikërishëm të dasmës.
Demir Krasniqi që i ri u largua nga vendlindja e tij Tugjeci, për t’u shkolluar e më vonë edhe për të punuar. Ai bëri shëtitje andej e këndej, por shpirtërisht tërë jetën jetoi në malësinë e Gollakut do të themi kështu se edhe kur fizikisht nuk ishte atje, nëpër Gollakun e vuajtjeve, skamjeve e hidhërimeve, ai e ruante dhe e mbante në shpirtin e tij idilik. Të gjitha shtigjet, në kohën kur Demiri jetonte atje, ishin të errëta, korbat shëtitnin muranave tona shekullore. Ai gjatë gjithë jetës së tij e kërkoi një shteg drite, një shteg gëzimi, një dritë që do t’i sjellë shpritit të lodhur të gjeniut, pak dritë, pak ngrohtësi.
Ai për dyzet vjet kërkoi dhe gjeti këngë që i këndojnë gëzimit si dhe këngë me të cilat manifestojnë të kundërtën e gëzimit. Dhjetë këngët elegjiake që i gjeti dhe i shënoi Demir Krasniqi, nuk u nda edhe prej atyre ngjarjeve që herë – herë iu bënë ngashërima shpirtit të gjeniut i cili imiton ngashërimën individuale dhe kolektive. Ciklin e dhjetë, e quajti “Këngë elegjiake” që paraqesin momente rrëqethëse ashtu siç di krijuesi ynë popullor t’i rradhis dhe mbarshtrojë.
Në këtë libër kemi edhe dy cikle tjera “Këngë satirike”(100 sish) dhe “Këngë me motive tjera” (24 sish) që paraqesin një begati në vete të thesarit popullor si një veprimtari krijuese e vlerave të larta letrare.
Këto vlera dhe gjetje i vendosi për përjetësinë e tyre në një libër që do të keni fat ta keni në duart tuaja.
*
[1] Këngët popullore të dasmës në Malësinë e Gollakut, autori kryesisht i ka mbledhur me ndihmën e nxënësve nëpër vendet ku ka punuar si pedagog i kulturës muzikore, por ka edhe të tilla që i ka mbledhë nga këngëtarë dhe tregues të ndryshëm nëpër odat, dasmat dhe ahengjet e ndryshme popullore, duke bërë përpjekje që t’i rrijë besnik gjuhës së këngëtarit.