Bashkësia Lokale e fshatit Raincë të komunës së Preshevës, ka organizuar manifestimin tradicional Takimi me Bashkatdhetarët, me ç’rast në kuadër të saj ka përfunduar edhe turniri në futboll Rainca 2014.
Ky aktivitet ka për qëllim tubimin e të gjithë të rinjve kudo që jetojnë ata, duke u njohur mes veti dhe për të mos ndërprerë lidhjet me vendlindjen pë rata që jetojnë në Evropën Perëndimore.
Kryetari Bashkësisë lokale, Lulzim Vebiu thotë se manifestimi tradicional Takimi me Bashkatdhetarët tashmë është bërë traditë sepse mbahet që prej vitit 2008.
“Kemi gjashtë vite që e organizojmë këtë manifestim dhe çdo vit interesimi bashkatdhetarëve është më i madh për çdo vit. Ka bashkatdhetarë që pushimet e veta i parashohin ti kenë në të njëjtën kohë kur edhe mbahet ky manifestim, vetëm e vetëm që të mos ndërprenë njohjen më bashkë vendasit e tyre që jetojnë në Raincë dhe në shtetet e Evropës”, ka thënë Vebiu transmeton Titulli.
Në kuadër të këtij manifestimi në turnirin tradicional në futboll të vogël kanë përfunduar të gjitha garat.
Nga 40 ekipe pjesëmarrëse fitues i turnirit “Rainca 2014” është shpallur Presheva që në finale mundi Miratocën me rezultat 1:0, ku një numër i madh i bashkatdhetarëve e kanë përcjellë ndeshjen finale.
Manifestimi që mbahet nën organizimin e bashkësisë lokale, Raincë prej vitit 2008, aktivitetet e veta i ka në fillim të muajit gusht, ndërsa kryesisht mbahen gara në futboll të vogël, kohë pas kohe ka edhe gara në sporte tjera.
http://www.titulli.com/index.php?m=post&s=2212