Me qëllim të avancimit dhe ngritjes së aftësive taktike, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Regjimentin e Tretë të Këmbësorisë ndoqën trajnimin “Komando dhe Bjeshkatari”.
Trajnimi u finalizua me realizimin e ushtrimit fushor në fshatin Cerrnushë të komunës së Mitrovicës, me ç‘rast pjesëtaret e FSK-së në mënyre profesionale demonstruan shkathtësitë operacionale dhe taktike të fituara gjatë trajnimit.
Me mbështetjen e ekipit të instruktorëve të Kontingjentit të Ushtrisë Turke, gjatë realizimit të trajnimit pjesëtarët e FSK-së zhvilluan aftësitë e tyre profesionale në nivel togu, duke kaluar sfida të ndryshme: orientim në natyrë, kalimi i zonave të rrezikshme, operacione urbane etj.
Në ceremoninë e certifikimit të pjesëtarëve, morën pjesë zëvendës komandanti i Komandës së Forcave Tokësore ( KFT ), kolonel Hysen Dreshaj, Komandanti i Regjimentit të tretë të Këmbësorisë nënkolonel Avni Kiçina, Komandant i Kontingjentit Turk në Kosovë Kolonel Fatih Çansiz, Atasheu ushtarak i Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kolonel Ç. Akif KAHRAMAN si dhe oficerë dhe nënoficerë të FSK-së dhe përfaqësues të kontingjentit të Ushtrisë Turke. /2LONLINE/