Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në kuadër të angazhimeve të karakterit sensibilizues në promovimin e së drejtës për Qasje në Dokumente Publike dhe asaj të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva – Dërmaku, ka mbajtur ligjëratë për stafin dhe studentët e UKZ-së.
Fillimisht Dekani i Fakultetit Juridik Sadik Haxhiu, falënderoi për gatishmërinë e AIP-së, për të mbajtur këtë ligjëratë derisa shprehi gatishmëri e Universitetit për një bashkëpunim edhe më të ngushtë në të ardhmen.
Më pas në ligjëratën e saj, Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva – Dërmaku, ka folur për të drejtën e Qasjes në Dokumente Publike, veprimet e Qasjes, të drejtën për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, veprimet e përpunimit e të Dhënave Personale, se si duhet të mbrohemi nga ekspozimi i të Dhënave Personale, etj.
Gjatë ligjëratës u zhvillua një debat interesant dhe mjaft i dobishëm mes të pranishmëve, në lidhje me aktivitetet konkrete të deritanishme që ka ndërmarrë Agjencia në fjalë, konkretisht rreth rasteve të shkeljes së Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe asaj të Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Po ashtu u diskutua edhe për mënyrën se si udhëzon Agjencia shtimin e masave të sigurisë.
Ligjërata kishte për qëllim vetëdijesimin rreth Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, si dhe për misionin, rolin dhe kompetencat e Agjencisë në përgjithësi. /2LONLINE/