Gjatë ditës së parë të vizitës në Bruksel kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri bashkë me kandidatin për Kryeministër Albin Kurtin, takuan eurodeputetin socialdemokrat nga Kroacia z.Tonino Picula dhe përfaqësuesit e zyrës së Komisioneres së lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Shefen e Kabinetit Fabrizia Panzetti, dhe këshilltaren e kabinetit Ana Maria Baura.
Gjatë takimeve është diskutuar krijimi i Qeverisë së re në Republikën e Kosovës dhe domosdoja e ndryshimit të kursit politik dhe qeverisës të Kosovës, zhvillimit ekonomik që sjellë punësim, sundimin e ligjit që lufton krimin e korrupsionin dhe politikat sociale që zbusin pabarazinë, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.
Përfaqësuesit e Komisionit dhe Parlamentit evropian u deklaruan se do ta pranojmë secilën qeveri demokratike që ka shumicën në Kuvend.
Përfaqësuesit e Vetëvendosjes shprehën zotimin për intensifikimin e bashkëpunimit drejt integrimit në BE si dhe për bashkëpunimin rajonal sipas parimeve të fqinjësisë së mirë dhe reciprocitetit në marrëdhënie.