Shkruan: Arsim Kastrati
Nëse Serbia ka vendosur që ta ndërpres politikën me dy stola, edhe me BE edhe me Rusi, duke e lidhur fatin e saj shumë më fort me këtë të dytën dhe nëse e ka refuzuar planin frankogjerman për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën atëherë, situata në Veri mund të eskalojë më tepër por, përfundimet në këtë rast, ndoshta edhe mund të shkojnë më tepër në favorin tonë. Nëse s’bëhet ndonjë hallakamë më e madhe në Ballkan e më gjerë?!
Por, nëse Serbia dëshiron dhe ka mundësi ta vazhdojë balancimin politik mes Rusisë dhe BE-së atëherë, asaj do ti bënte mirë ndonjë pretekst i fortë, si tensionimi në veri, sa për t’iu shmangur planit frankogjerman i cili duket se asaj nuk i konvenon.
E fati ynë qe 150 vjet është i lidhur me Serbinë dhe mbështetësen e saj Rusinë, në atë kuptim që, çka i nuk i konvenon Serbisë i konvenon Kosovës dhe saherë që dobësohet Rusia poashtu është mirë për Kosovën dhe anasjelltas, kuptohet.
Deri sa të jemi në marrëdhënie konfliktuoze, me Serbinë kështu punët do të na shkojnë, prandaj nëse Serbisë nuk i konvenon paqja dhe dialogu, nuk do të duhej që edhe ne të bëhemi pengestarë të tyre, madje do patur kujdes që mos të lëmë vend as për krijimin e përshtypjeve të tilla, nga të tjerët për ne! Sidomos, nga ata që duan, kanë mundësitë, janë angazhuar dhe po vazhdojnë të kontribuojnë fuqishëm për paqe, demokraci e zhvillim, në Ballkan e gjetiu.
Nga ata të cilët edhe janë lojtarët kyç në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.
Me Amerikën dhe aleatët e saj kemi mbërri deri këtu, me ta duhet të vazhdojmë edhe tash edhe në të ardhmen! /2LONLINE/