Gjykata për kundërvajtje në Vranjë, filiali në Bujanoc, për së dyti herë ka ngritur procedurë ndaj kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) Galip Beqiri lidhur me vendosjen e flamurit Kombëtar në godinën e këtij institucioni me rastin e shënimit të 28 Nëntorit, 101 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Siç i ka thënë Beqiri sot portalit informativ Titulli, ai tashmë ka marrë ftesën për paraqitje në gjykatë, të cilën duhet ta bëjë të hënën (26 maj) në orën 10h në ndërtesën e gjykatës, në sheshin Karagjorgje Petroviq në Bujanoc.
Kryetari i KKSH-së këtë akt e ka quajtur si një presion psikologjikë e politik, jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj të gjithë shqiptarëve.
Në kërkesën e nisjes së procedurës për kundërvajtje mes tjerash thuhet se i pandehuri ka shkelë nenin 41 të paragrafit 1, të pikës 3 – të ligjit mbi përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Serbisë.
Në sqarimin e kërkesës për nisjen e procedurës thuhet se flamuri i Republikës së Shqipërisë është ngritë pa qenë i vendosur edhe flamuri i Republikës së Serbisë.
Beqiri, një ftesë për paraqitje në gjykatë kishte marrë edhe vitin e kaluar, kur me rastin e vendosjes së flamurit në ballkonin e godinës së Këshillit Kombëtar Shqiptar ishte shënuar 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, raporton Titulli.
Sipas ligjit për pakicat kombëtare në Serbi, simbolet nacionale (flamuri dhe stema) të cilin e shfrytëzojnë shqiptarët në Luginë nuk duhet të jetë i njëjtë me simbolet e shteteve tjera dhe si të tilla nuk mund të përdoren në institucionet e këtij vendi.
Shqiptarët e këtyre trevave gjatë shënimit të festave kombëtare në Bujanoc dhe Preshevë përdorin flamurin kombëtare, i cili edhe është flamur zyrtarë i Republikës së Shqipërisë.