Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës(PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka thënë për Portalin e Lajmeve Lokale “2lonline”, se në rasti ne parë, stacioni policor në orët e vona pas mesnate përmes telefonit ka pranuar një thirrje se në një motel në fshatin Bresalc të Gjilanit ndodhen dy persona për të cilët besohet se posedojnë armë.
Hashani tha se njësitet policore nga stacioni i Gjilanit me urgjencë i janë përgjigjur rastit duke dal në vendin e ngjarjes ku janë lokalizuar të dyshimtit dhe gjatë kontrollit që është ushtruar ndaj tyre, te i dyshimti N.B (1979) është gjetur një revole e llojit “TT” me pesëmbëdhjetë copë fishekë të cilën i dyshimti e mbante në trup si dhe te i dyshimti i dytë B.B (1984), në çantën të cilën e mbante në krah, po ashtu është gjet një revole e llojit “TT” si dhe tetë copë fishekë e të njëjtit kalibër në karikator.
Zëdhënësi i policisë tha se që të dyja armët e gjetur dhe municioni janë konfiskuar nga policia gjersa të dyshimtit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit të dyja rastet, veç e veç, procedohen në gjykatë.
Ndërsa rasti tjetër i armëmbajtjes pa leje është shënuar në Tuxhevc të Kamenicës. Zëdhënësi Hashani tha se përmes rrugëve operative stacioni policor i Kamenicës ka poseduar një informatë se një i dyshimtë i moshës 18 vjeçare posedon armë pa leje.
Hashani tha se me një urdhër kontrolli të lëshuar nga gjykata është bastisur shtëpia e të dyshimtit, banor rezident i fshatit Tuxhevc, me këtë rast gjatë bastisjes është gjetur një revole e llojit “Pallaber” prodhim gjerman, tetë copë fishek e të njëjti kalibër, një pushkë automatike “A/K 47” kalibër 7.62 mm prodhim jugosllav pa municion.
Sipas autoriteteve policore, armët dhe municioni janë konfiskuar derisa me vendim të prokurorit ndaj të dyshimtit ushtrohet kallëzim penal për armë mbajtje pa leje në procedurë të rregullt. /2lonline/