Ta mbyllesh sot shkollën më bashkëkohore të Bujqësisë, si kjo e Agrobiznesit “Arbëria”, investim ky 2 milionësh, i përbashkët me “DANIDA”-n daneze, që ishte ndër shkollat më moderne në Kosovë, mbase edhe në rajon, s’do mend se kemi të bëjmë me një nomenklaturë qeverisëse të dështuar, pa strategji zhvillimore të edukimit dhe pa vizion për të nesërmen”
Kështu nis reagimin e saj PDK-ja e Gjilanit, përkatësisht Komisioni për Bujqësi, sipas të cilit Komision kjo përbën skandal pasi Komuna e Gjilanit po e mbyllë shkollën më bashkëkohore të Bujqësisë.
“Të mbyllet sot një shkollë moderne, si kjo e Agrobiznesit “Arbëria”, investim ky 2 milionësh, i përbashkët me “DANIDA”-n daneze, që ishte ndër shkollat më moderne në Kosovë, mbase edhe në rajon (e pajisur më inventar të ri, kuzhinë, laboratore, kabinete, fermë me 20 krerë gjedha, me gjithë mekanizmin bujqësor për pemetari, 3 hektar plantazhë pemësh, 0.5 hektar vreshtë rrushi, 0.6 hektar dredhëz, 10 shoqëri me bletë, pika të përpunimit të qumështit, të mishit, të rujtjes së pemëve, kiosqe në qytet për plasim të produkteve të prodhuara nga shkolla, vetura për bartje të produkteve, etj), s’do mend se kemi të bëjmë me një nomenklaturë qeverisëse të dështuar, pa strategji zhvillimore të edukimit dhe pa vizion për të nesërmen”, thuhet në këtë reagim.
Nehat Salihu, nga komisioni i Bujqësisë në PDK, ka thënë se përkundër kërkesave të shumti që i kanë bërë DKA-së, për t’ua tërhequr vëmendjen për shkak të mos respektimit të kritereve, ata nuk e përfillën këtë angazhim të sinqertë.
“Për t’ia vënë drynin kësaj shkolle, komuna, gjegjësisht Drejtoria Komunale e Arsimit, fillimisht zvogëloi numrin e nxënësve ne paralele, në kuadër të shkollës, duke shtuar numrin e nxënësve në shkolla te tjera, të profileve tjera jo aq me perspektivë si kjo e agrikulturës në regjionin e Gjilanit. Ndërroi menaxhmentin e shkollës, duke larguar kuadrin arsimor nga procesi mësimor si “tepricë teknologjike” ndërkaq instaloi menaxhment jo serioz dhe të papërgjegjshëm. Me këtë akt, veç dëmeve tjera që ka shkaktuar, tash komuna ka rikthyer regjimin e mësimit në tri ndërrime, sepse nxënësit e shkollës së Bujqësisë I ka transferuar në shkollën e mesme teknike”, ka thënë Salihu.
Sipas tij, pos edukimit të mirë profesional, Shkolla Bujqësore, brenda dy viteve, kishte sjellë edhe përfitime të mira materiale, duke e shtuar buxhetin e komunës, nga produktet bujqësore të kultivuara nga shkolla, deri në 21000 euro ne vit.
Salihu thotë tutje se vlen të theksohet, se donatori “DANIDA”, nga Danimarka, duke e parë joseriozitetin dhe papërgjegjshmërinë totale të DKA-së në relacion me investimet në Shkollën e Bujqësisë, ka ndërprerë investimin gjysmë milionësh (furnizimin me mekanizëm bujqësor për lavërtari, ndërtimin e një konvikti, etj), dhe gjithashtu, ka rrezik që donatori danez, t’i tërheq investimet që i ka bërë më herët në shkollë.
“Se krejt ky marifet i pushtetit komunal të Lutfi Hazirirt, rreth shkollës së Bujqësisë, nuk po bëhet edhe pa interesa dhe përfitime individuale, fletë edhe ndryshimi i vendimit të Kuvendit Komunal, përmes së cilit, ngastra prej 20 hektarësh, që ishte ndarë atë kohë për nevoja të shkollës së Bujqësisë, bartet në pronësi private të individëve të caktuar”, ka thënë Nehat Salihu, nga komisioni për Bujqësi i PDK-së së Gjilanit.