Në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, Dega e PDK-së në Gjilan, solidarizohet me këtë kategori të shoqërisë sonë, duke iu bashkëngjitë defilimit të anëtareve të Shoqatës HANDIKOS në Gjilan, dhe manifestimit për të drejtat e tyre të ligjshme, që u shfaqën sot para Teatrit të Qytetit.
Shefik Surdulli nga Zyra e Informimit e PDK-së ka thënë se pjesëmarrja e tyre në këtë manifestim, do të thotë, përkrahje e plotë në kërkesat e tyre për trajtim të dinjitetshëm dhe të barabart të kësaj kategorie të shoqërisë sonë.
“Në këtë kuadër, ne, thërrasim institucionet e komunës dhe kryetarin Haziri, të jenë plotësisht të hapur ndaj Personave me Aftësi të Kufizuar, në përmbushjen e detyrës dhe të përgjegjësisë që e kanë edhe sipas ligjit, udhëzimeve administrative dhe të marrëveshjeve të mirëkuptimit, për realizimin e kërkesave dhe nevojave të këtij komuniteti”, ka thënë Surdulli.
Ai ka falënderuar dhe përgëzuar kryetarin e shoqatës HANDIKOS në Gjilan, z. Fatmir Shurdhani, për aktivitetet që po i organizon në promovimin e të kuptuarit të çështjeve mbi aftësinë e kufizuar dhe të mobilizimit në përkrahjen për dinjitet, të drejta dhe mirëqene të personave me aftësi te kufizuar.