“Ndryshime drastike kanë ndodhur në projektin e infrastrukturës nëntokësore të rrugës “Adem Jashari”, ku janë anuluar tërësisht punët e parapara në tender dhe kontratën e nënshkruar me operatorin ekonomik. Pra, nuk do të ketë fare investime në infrastrukturën nëntokësore, kanalizim, rrjet të ujësjellësit, telefonisë e internetit”, thuhet në një reagim të PDK-së së Gjilanit.
Sipas këtij subjekti opozitar në Gjilan, asnjë projekt të vetëm komuna e Gjilanit nuk është në gjendje ta fillojë si duhet, e aq më pak ta përfundojë mirë e mbarë.
Pas anulimit të investimeve nëntokësore, qeverisja e dështuar e VV-së ka bërë ndryshime rrënjësore të projektit pa asnjë debat me qytetarë dhe profesionistë.
“Ngushtimi i trotuareve për këmbësorë me qëllim të ndërtimit të një shiriti për parking përgjatë rrugës “Adem Jashari”, është gabim dhe dështim në krijimin e kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve, dhe mijëra nxënësve e studentëve të qytetit”, thuhet tutje në reagimin e PDK-së.
PDK vlerëson se të gjitha këto anulime, ndryshime dhe punime kozmetike, janë në kundërshtim me planin e mobilitetit që ka qenë i miratuar nga Kuvendi Komunal vite më parë, i cili gjendet diku nëpër sirtarët e institucioneve komunale.
“Gjilani po përballet me mjerim institucional, prandaj dështimet janë të jashtëzakonshme, si pasojë e një qeverisje të paditur, paaftë dhe papunëtore”, thuhet në fund të reagimit të PDK-së, Dega në Gjilan. /2LONLINE/