Ka pothuajse një muaj që Komuna e Vitisë e udhëhequr nga Sokol Haliti ka filluar të implementojë projektin e kanalizimit të ujërave të zeza për një pjesë të Vitisë dhe Drobeshit, për ti shkarkuar në lumin Gelbush (bllata- tek Ura e Kurteshit) gjegjësisht në pjesën e lumit që kalon pikërisht në Pozheran.
Kështu thuhet në një reagim të Degës së PDK-së në Viti, sipas të cilës ky projekt ka filluar tinëzisht nga Komuna pa asnjë diskutim publik dhe pa u pyetur banorët e Pozheranit, duke patur parasysh se sa i dëmshëm është ky projekt për qytetarët e Pozheranit dhe ambientin, sidomos në muajt e verës kur Gelbushi shterron dhe nuk ka asnjë pikë ujë.
Sipas PDK-së, me dhjetëra shtëpi në Pozheran gravitojnë shumë afër vendit ku do derdhen ujërat e zeza të vendbanimeve të lartpërmendura, për këta banorë do jetë katastrofë e vërtet jeta në shtëpi të tyre.
“Rreth 200 metra më poshtë gjenden burimet e ujit të ujësjellësit të Pozheranit nga vendi i derdhjes se ujërave të zeza dhe këto burime gjenden shumë afër shtratit të këtij lumi, gjë që ka rrezik të madh këto ujëra të kullohen lehtë në burimet e ujit dhe do helmonte mbi 5000 banorë, të cilët e përdorin për pije ujin nga këto burime. Qytetarët me të drejt janë të shqetësuar nga ky veprim arbitrar i Kryetarit të Komunës Sokol Haliti i cili bën gjëra kokë më vete pa u konsultua me komunitetin dhe as me përfaqësuesit e Këshillit të fshatit”, thuhet tutje në reagimin e bërë në emër të kryesisë së PDK-së së Vitisë.
Ajo i ka bërë thirrje Komunës dhe Kryetarit Sokol Haliti që urgjentisht të ndalojë se implementuari këtë projekt që është në dëm të qytetarëve të Pozheranit që, sipas PDK-së, paraqet katastrofë ekologjike për rrethinën.
“Përveç që i dëmshëm ky veprim i Sokol Halitit është nënçmim për pesë mijë banoret e Pozheranit dhe tregon qartë se atij Pozherani i duhet vetëm për zgjedhje dhe marrjen e votave gjatë fushatës kur vjen për të shitur premtimet e tij hipokrite dhe pastaj mandatin e shfrytëzon pikërisht kundër interesave të Pozheranit siç është rasti më Kanalizimin e ujërave të zeza të Vitisë dhe Drobeshit”, thuhet në fund të reagimit të PDK-së së Vitisë, të ilustruar edhe me foton e mëposhtme.