Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Dega në Gjilan, përmes një komunikate ka bërë me dije se sipas raportit zyrtar financiar janar-qershor 2024, komuna e Gjilanit ka shpenzuar në kodin buxhetor 13445 për shërbimet e veçanta-konsulent dhe për kontraktor individual, në vlerë prej 1,044,781.08 euro. Ndërsa ka shpenzuar buxhet në vlerë prej 313,184,94 euro për kujdestari pune gjatë natës dhe punë jashtë orarit të punës, sipas kodit 11431.
“Pra vetëm për këto lloj pagesa janë shpenzuar rreth 1.4 milion euro, për investime kapitale në Gjilan janë shpenzuar vetëm 1.7 milion euro prej 10 milion të planifikuara në buxhetin” thuhet në komunikatën e PDK-së.
Ja komunikata e plotë:
Faktet po flasin, komuna e Gjilanit shpenzoi 1.4 milion euro për militantat e VV-së, të punësuar me kontrata në vepër dhe për kujdestari jashtë orarit të punës
Sipas raportit zyrtar financiar janar-qershor 2024, komuna e Gjilanit ka shpenzuar në kodin buxhetor 13445 për shërbimet e veçanta-konsulent dhe për kontraktor individual, në vlerë prej 1,044,781.08 euro.
Ndërsa ka shpenzuar buxhet në vlerë prej 313,184,94 euro për kujdestari pune gjatë natës dhe punë jashtë orarit të punës, sipas kodit 11431.
Pra vetëm për këto lloj pagesa janë shpenzuar rreth 1.4 milion euro, për investime kapitale në Gjilan janë shpenzuar vetëm 1.7 milion euro prej 10 milion të planifikuara në buxhetin 2024.
Drejtoresha e Buxhetit dhe Financave siç duket është bërë kukull dhe vetëm vëzhguese e keqpërdorimeve të jashtëzakonshme të buxhetit nga ana e kryetarit të Gjilanit, apo nuk është e vetëdijshme për përgjegjësinë që ka si udhëheqëse e këtij sektori. Ajo duhet të ushtrojë me dinjitet funksionin e vet, të mos lejoj këto gjëra të ndodhin, ashtu siç nuk kam lejuar kryetarin për ato 16 muaj të bëjë këto veprime skandaloze dhe në kundërshtim me ligjin për financat publike.
Te Zyra Kryetarit për militantat e punësuar përmes kontratës në vepër, për gjashtë muaj 2024 është shpenzuar buxhet në vlerë prej 38 mijë euro, te drejtoria administratës 99 mijë euro, te inspeksioni 35 mijë euro, te buxheti 13 mijë euro, te shërbimet publike 97 mijë euro, mbrojtje dhe shpëtim 67 mijë euro, te bujqësia 19 mijë euro, te zhvillimi ekonomik 17 mijë euro, te kadastri 8 mijë euro, te urbanizmi 14 mijë euro, te shëndetësia 98 mijë euro, te kultura dhe teatri 78 mijë euro, te arsimi 454 mijë euro.
Të gjitha këto shpenzime janë paguar jashtë planifikimit buxhetor të miratuar nga ana e Kuvendit Komunal, gjë që paraqet shkelje të ligjit të financave publike nga ana e ZKA gjegjësisht të kryetarit të komunës së Gjilanit.
Mos raportimi në seancat e Kuvendit Komunal nga ana e ekzekutivit, për raportet periodike financiare është e qëllimshme në mënyrë që të iket llogaridhënies para përfaqësuesve të qytetarëve, ashtu siç e parashohin edhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Edhe për këto shkelje ligjore ne si PDK, i bëjmë thirrje publike hetuesisë dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan që të merren dhe hetojnë këto shkelje të rënda buxhetore.
PDK nuk do të ndalet deri në largimin e organizatës së VV-së nga pushteti komunal në Gjilan. Nuk do të heshtim asnjëhere para këtyre keqpërdorimeve milionëshe të buxhetit komunal.