(2L ONLINE) – Në mungesë të veprimeve konkrete nga komuna e Gjilanit për të parandaluar largimin e qytetarëve, ajo merr vendime të paarsyeshme që e nxisin edhe më tutje migrimin alarmant të qytetarëve tanë. Edhe në këtë problematik serioze, pushteti lokal po tregohet totalisht i papërgjegjshme ndaj qytetarëve që janë në gjendje të vështirë sociale-ekonomike.
Kështu thuhet në një reagim të PDK-së së Gjilanit, përkatësisht Grupit të Këshilltarëve Komunal të PDK-së, në KK të Gjilanit, grupim që përbëhet nga: Sahit Abazi (Shef i Grupit), Riad Rashiti, Shukrije Rapuca , Bujar Nevzati, Izmi Zeka, Leonora Bunjaku dhe Fatbardha Selmani,
“Është i pakuptimtë dhe jashtëzakonisht i dëmshëm vendimi i komunës së Gjilanit, për të mos ia paguar transportin nxënësve të shkollave të mesme, të cilët udhëtojnë nga fshatrat për në qytet. A janë të vetëdijshme institucionet komunale, që ky vendim ka pasoja të mëdha për familjet, të cilave edhe më shumë ia keni rënduar gjendjen ekonomike dhe po ia pamundëson vazhdimin e jetesës në vendin e tyre”, thuhet në këtë reagim.
E njëri prej anëtarëve të këtij grupi, Riad Rashiti ka thënë se me këtë çoroditje të komunës, qindra nxënësve po i pamundësohet vijimi i mësimit në shkollat e qytetit dhe qindra familje po i bindni që sa më parë të ikin jashtë vendit, sepse është jashtëzakonisht e rëndë për prindin, që t’ia ndalojë fëmijës së tij shkollimin, gjënë më elementare për jetë normale. A është normale që nxënësve të fshatrave si Bilinica dhe fshatrave të tjera të ndalohet transporti për në shkollë, në këtë gjendje të mjerueshme, ku tani këto fshatra rrezikojnë të mbesin edhe pa shkolla fillore.
Po ashtu, sipas Rashitit të PDK-së, mbi 230 familjeve Gjilanase iu janë ndalur ndihmat sociale nga Qeveria e Republikës së Kosovës, të cilat nuk kanë burime tjera pos tyre. Ndërsa në anën tjetër qeveria bënë faljen e 140 milion euro borxhe, për kategorinë e të pasurve, milionerëve dhe të bizneseve të cilat kanë kapital miliona euro dhe i falen borxhet me disa mijëra euro. Kjo rrugë e nisur e kësaj qeverisje, po i nisë qytetarët të lëshojnë Kosovën. Vendit tonë i është dashur fuqizim i mëtutjeshëm i institucioneve dhe jo degradim i tyre.
“Ne si Parti Demokratike e Kosovës, kërkojmë nga komuna e Gjilanit që menjëherë të merr për obligim, vazhdimin e mëtutjeshëm për transportit e të gjithë nxënësve sidomos në këtë kohë dimri, sepse ekzistojnë mundësitë buxhetore për këtë shërbim të domosdoshëm për qindra nxënës të këtyre vendbanimeve. Nëse këtë nuk do ta bëjë komuna e Gjilanit, atëherë zotohemi se do ta bëjmë ne si parti opozitare në komunë, duke kërkuar ndihmën e të gjithëve për këtë nevojë emergjente, për këta qindra nxënës të shkollave të mesme”, shprehet Riad Rashiti anëtar i Kuvendit Komunal nga kjo parti.
Gjithashtu ai tha se kërkojnë nga komuna që të bëjë presion në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që t’ia vazhdojë 230 familjeve ndihmat sociale, sepse gjendje e tyre nuk është përmirësuar, por iu është përkeqësuar edhe më shumë, këtë po e tregon më së mirë fluksi i jashtëzakonshëm i ikjes së qytetarëve nga pamundësia për të mbijetuar në shtëpitë e tyre. /2L ONLINE/