Partia Demorkatike e Kosovës (PDK), dega në Gjilan përmes një komunikate ka adresuar kritikat e radhës në adresë të ekzekutivit, përkatësisht kryetarit të komunës, për të cilin ka thënë se është dorëzuar për secilin projekt madhor të qytetit dhe se duhet të jap dorëheqje dhe të shkohet në zgjedhje lokale.
Duke vlerësuar, siç thuhet në komunikatën e PDK-së, se gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar në Gjilan i ka paraprirë mospuna dhe paaftësia e kryetarit të komunës, i cili është dorëzuar për secilin projekt madhor të qytetit, ky subjekt opozitar ka listuar 10 pika ku, sipas tyre, është dorëzuar i pari i komunës, si më poshtë:
1. Është dorëzuar në projektin e ndërtimit të stadiumit të Gjilanit, po mundohet me ndërtu ndonjë fushë sportive nëpër fshatra.
2. Është dorëzuar në projektin e autostradës, po ndërton rrugë të oborreve të militantëve të VV-së.
3. Është dorëzuar në projektin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, e po i shpërlanë disa kanalizme.
4. Është dorëzuar në projektin e palestrës sporteve, po mundohet me i renovu disa salla të sporteve me dy gova ngjyrë fasadash.
5. Është dorëzuar për projektin e Zonës Ekonomike, po kërkon me ndërtu inkubator të biznesit, e që ka harru se ekziston për më shumë se 12 vite.
6. Është dorëzuar për projektin e bulevardit të qytetit, e po i pastron sheshet ekzistuese të ndërtuara nga ish qeverisjet.
7. Është dorëzuar për projektin qarkores së qytetit, e nuk po mund t’i përfundojë hyrje daljet e qytetit.
8. Është dorëzuar në projektin e varrezave të reja të qytetit, e nuk po mundet as me i pastru ato ekzistuese.
9. Është dorëzuar në ndërtimin e palestrës në Zhegër, e po ndërton një fushë sporti në Haxhaj.
10. Është dorëzuar në projektin e ndërtimit të kampusit të Universitetit, ndërsa ka mbyllë shkollën profesionale të agrobiznesit.
“Pasi je dorëzu plotësisht, qu jep dorëheqje. Sepse ditë e më parë Gjilani duhet të shkojë në zgjedhje lokale. Qytetarët nuk e tolerojnë degradimin dhe bllokimin e zhvillimit të Gjilanit”, thuhet në fund të komunikatës. /2LONLINE/