Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Gjilan ka kritikuar pushtetin lokal në Gjilan, më konkretisht sektorin e bujqësisë, për siç është thënë në një reagim të tyre: “keqpërdorime dhe keqmenaxhime të mëdha me buxhetin e komunës së Gjilanit”.
“Tetë mijë euro shpenzime nga buxheti i Drejtorisë së Bujqësisë u shpenzuan në 2023 për hotele dhe dreka zyrtare”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Në këtë reagim të këtij subjekti opozitar në Gjilan më tutje thuhet:
“PDK ka kërkuar informacione shtesë nga komuna e Gjilanit për raportin financiar të vitit 2023. Ku në bazë të përgjigjeve dhe dokumentacionit të ofruar, shihen keqpërdorime dhe keqmenaxhime të mëdha me buxhetin e komunës së Gjilanit.
Sipas drejtorit të bujqësisë z.Isufi, janë paguar 4,494.26 euro për faturat e drejtorisë së kulturës rinisë dhe sporteve për hotele dhe dreka zyrtare. Ndërsa 3,229.80 euro për faturat e drejtorisë së bujqësisë.
Ku në emër të trajnimi për bletarë, komuna e Gjilanit shpenzoi mbi 1500 euro nëpër hotelet e Gjilanit. Për pesë ditë, 500 euro euro u hargjuan vetëm për shfrytëzim të një salle hoteli dhe 1000 euro për dreka zyrtare.
Ky trajnim nuk e realizua në ndonjërën nga dhjetëra hapësira që janë kudo nëpër institucionet e komunës së Gjilanit, apo në veçanti në shkollën e mesme profesionale të Agrokulturës në të cilën janë investuar mbi 1 milion euro në qeverisjen e PDK-së, por që qeverisja e VV-së ia ka vë drynin kësaj shkolle e cila posedon të gjithë infrastrukturën moderne dhe kushtet perfekte për këtë lëmi.
Rikujtojmë se gjatë vitit 2023 qeverisja e VV-së ka shpenzuar mbi 110 mijë euro për akomodim hotelesh, dreka zyrtare dhe meditje e shpenzime të udhëtimit jashtë vendit”, përfundon reagimi i PDK-së së Gjilanit, në lidhje me këtë çështje. /2LONLINE/