/2L ONLINE/ – “Në qytetin paradoksal, rolin e aktorëve të Teatrit të Gjilanit, po e luajnë zyrtarët më të lartë komunal deri te kryetari i komunës si regjisor, me prezantimin e punëve të “hajrit” por që në anën tjetër ata po akuzohen për vepra penale dhe kriminale, për shkelje ligjore, korrupsion dhe favore për interesa klanore, të cilat po e zhvatin buxhetin e komunës, por që për aktorët e Teatrit të Gjilanit nuk ka paga, nuk ka kushte normale për punë, sepse tash punën e aktorëve po kryejnë “shefat” dhe drejtorët komunal”.
Kështu nis reagimi i sotshëm i Komisionit për Planifikim Hapësinor, PDK Gjilan, ndaj deklaratave të djeshme të Drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, Valon Shefkiut.
Shih shrimin: Shefkiu: Urbanizmi i Gjilanit me efikasitet në shërbime e rezultate
Përndryshe, në reagimin e Komisionit në fjalë të PDK-së thuhet se drejtori i urbanizmit Valon Shefkiu ka aktakuzë të ngritur prej muajit shkurt 2016 nga Prokuroria Themelore në Gjilan, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, veprime të kundërligjshme dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e komunës, po bënë prezantime për të mashtruar dhe manipuluar opinionin, në vend që opinioni të ishte duke shikuar gjykimin para drejtësisë, për veprat penale në bazë të cilave akuzohet nga prokuroria, e që kanë të bëjnë me lejimin e krimit urbanistik.
Sipas PDK-së, tashmë po dihet adresa e vetme prej ku po buron kjo gjendje kaosi në qytetin e Gjilanit, prej ku bëhet korrupsioni, prej ku lejohet krimi ekonomik e urbanistik për shpëlarje të parasë publike, prej ku jepen tenderët milionave euro, prej ku po ndodhë punësimi dhe nepotizmi, dihet sepse deri më tani janë ngritur gjashtë aktakuza nga prokuroria ndaj kësaj udhëheqje komunale, përfshirë edhe kryetarin Lutfi Haziri.
“Sa i përket jo ligjshmërisë institucionale të komunës së Gjilanit, po e thonë edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe ajo e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku vetëm muajin e kaluar i kanë anuluar tri vendime të Kuvendit Komunal, të cilësuara si të kundërligjshme, për ndryshimet joligjore të planeve rregulluese urbanistike. Të gjitha institucionet komunale prej Kuvendit Komunal deri te kryetari i Gjilanit janë vënë në shërbim të grupit shkatërrues të qytetit nga ndërtimet e egra, pa leje ndërtimore, pa kritere dhe në kundërshtim me kushtet e lejuara urbanistike. Valon Shefkiu nuk ka moral që të flas për gjendjen e sektorit tij, atë duhet pushuar nga pozita e tij për tu angazhuar me sistemin e drejtësisë bashkë me punëdhënësin e tij, kryetarin e Gjilanit”, thuhet në fund të reagimit të Komisionit për Planifikim Hapësinor, të PDK-së në Gjilan. /2L ONLINE/