Dobitë që i kemi nga meditimi

Sipas studimeve të shumta që janë realizuar mbi rolin e meditimit, kanë nxjerr në pah përfitimet që ka shëndeti ynë nga ky proces. Meditimi e ka efektin më të rëndësishëm në shëndetin emocional dhe psikologjik.Meditimi në të gjitha format e tij, poashtu mund të përmirësojë aftësitë atletike të një njeriu, si dhe të ndihmojë në mirëqenien e shëndetit nervor. Shmang dhe largon shumë sëmundje të vogla dhe të mëdha, dhe këto nuk janë as gjysma e përfitimeve që marrim nga meditimi.

Ndiheni më pak vetëm

Fatkeqësisht, ka shumë sëmundje që lidhen në mënyre direkte ose jo me vetminë, si sëmundjet kardiovaskulare, alcajmeri apo dhe vdekja.

Fatmirësisht , meditimi mund të ndihmojë. Një studim i bërë mbi 40 të rritur të moshave 55 deri në 85 vjeç doli pikërisht në këto përfundime. Pjesëmarrësve iu përcaktua një shkallë e vetmisë, si në fillim të eksperimentit ashtu edhe në fund. U morën gjithashtu edhe kampione gjaku për analizime të mëtejshme.

Eksperimenti konsistonte në një trajnim prej 8 javësh. Çdo javë ata mblidheshin për dy orë dhe u mësoheshin teknika të reja mbi relaksimin e turpit dhe të mendjes. Gjithçka që pjesëmarrësit duhet të bënin ishte që, çdo ditë, për të paktën 30 minuta, të praktikonin në shtëpi teknikat e frymëmarrjes dhe të relaksimit të trupit me anë të meditimit.

Pas periudhës së trajnimit, pjesëmarrësit pohuan se nuk ndiheshin më aq vetëm sa në fillim. Nga analizat e gjakut doli se edhe niveli i aftësive të sistemit imunitar ishte rritur në mënyrë të ndjeshme.

Meditimi ju bën më të dhembshur

Pas trajnimit 8 javësh, hulumtuesit shkencorë dolën në përfundimin se meditimi i bën njerëzit më të dhembshur dhe më të virtytshëm.

Ata inskenuan një dhomë pritjeje spitali, ku vendosën tre karrige. Në dy karriget e para u ulën aktorë, kurse të tretën e lanë që të uleshin persona të çfarëdoshëm dhe pjesëtarë të projektit të meditimit.

Një aktor i tretë hynte në dhomë dhe shtirej duke bërë sikur po vuante nga dhimbje të mëdha trupore. Dy aktorët e ulur duhej vetëm të rrinin duke parë telefonat e tyre dhe duke lexuar revista. U vu re se vetëm 15% e personave të çfarëdoshëm u ofruan të ndihmonin aktorin që ishte në dhimbje, ndërsa midis pjesëmarrësve në trajtimin me meditim, kjo përqindje ishte relativisht e lartë, duke arritur në mbi 50%.

Çliron stresin

Stresi është diçka që të gjithë duan mos ta kenë. Meditimi mund ta zvogëlojë atë në mënyrë të ndjeshme. Gjatë një eksperimenti 3-ditorë, ku u përfshin 33 meshkuj dhe femra të moshës nga 18-30 vjeç, pjesëmarrësve u kërkuan të praktikonin meditim për 25 minuta në ditë duke u mësuar teknika të veçanta të frymëmarrjes.

Një grup tjetër, po me 33 veta, gjatë këtyre tre ditëve iu nënshtrua mësimit duke analizuar poezi dhe gjëra të ngjashme, që mendohet se rrisin nivelin e të menduarit dhe të aftësive për të zgjidhur probleme.

Pas ditës së tretë, të gjithë iu nënshtruan testeve vlerësuese, si dhe iu morën kampione pështyme për të kontrolluar nivelin e stresit gjatë kohës së provimit. U vu re se personat që kishin marrë pjesë në meditim ishin më të aftë të vepronin me qetësi nën presion dhe patën rezultate më të kënaqshme.

Redukton dhimbjet kronike

Sipas hulumtuesve shkencorë, meditimi mund të jetë një zgjidhje natyrale ndaj qetësuesve që përdoren për dhimbjet kronike, si dhe luftojnë me sukses stresin dhe depresionin që këto dhimbje sjellin.

89 pacientë me dhimbje kronike të qafës u vendosën në një program prej 8 javësh meditimi. Meditimi u ndërthur me ushtrime të lehta dhe u vu re se dhimbja gjatë kësaj kohe u reduktua. Rritje pati edhe cilësia e jetesës së pjesëmarrësve dhe aftësitë e tyre për t’u përballur me vështirësi.

Sëmuresh më rrallë

Një efekt i papritur i meditimit ishte dhe mbrojtja natyrale që ai siguron ndaj gripit dhe të ftohtit.

Në një studim ku morën pjesë 149 persona me moshë mesatare 56 vjeç , iu dhanë një program trajnimi për 8 javë. Nga këta, 51 u përcaktuan të merreshin me meditim, 47 u futën të bënin edhe ushtrime fizike, si vrap ose biçikletë, kurse 51 të tjerët shërbenin si grup kontrolli.

Gjatë kësaj kohe, nga grupi i parë pati 27 raste me simptoma gripi ose ftohjeje, nga grupi i dytë kishte vetëm 26, kurse nga grupi i kontrollit kishte 40 raste të sëmurësh. Një përfundim tjetër mbresëlënës ishte se të sëmurët nga grupi i parë dhe i dytë përjetuan të ftohtë ose grip me më pak simptoma dhe e kaluan në më pak ditë. U vu re se në grupin që bën vetëm meditim, simptomat u zvogëluan me 40 deri në 50% sesa normalisht, kurse në grupin ku u alternuan edhe ushtrimet fizike, simptomat u ulën me 30 deri në 40 %.

KOMENTE