Omer Daku, nënkryetar i Komunës së Gjilanit dhe kryetar i Degës së AKR-së, tha se ishim edhe dy vitet e kaluara në bashkëqeverisje me PDK dhe pikërisht bashkëqeverisja e mirë që kishin bërë ishte arsyeja që kanë vendosur që edhe kësaj radhe të vazhdojnë bashkë dhe shumë projekte që i kanë filluar edhe ti finalizojnë.
“Mendoj se AKR-ja ka se çka të ofrojë në këtë mandat dhe të gjitha ato kuadro profesionale që kemi do ti vëmë në dispozicion, do të jenë të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre në çdo kohë”, tha Omer Daku.
Ai ka potencuar se ky subjekt po tregon performancë të mirë në të gjithë sektorët komunal, ku ajo po menaxhon dhe se ka premtuar që qytetari do të jetë në fokusin e tij duke i trajtuar ata me dinjitet si dhe të gjitha kërkesat dhe prioritetet e tyre.
Përndryshe, në Kuvendin Komunal të Gjilanit, që përbëhet prej 41 këshilltarëve, partnerja e PDK-së në bashkëqeverisje, AKR-ja ka katër këshilltarë e ata janë: Arben Maliqi, Mimoza Shkodra, Tefik Ibrahimi dhe Vjollca Matoshi.
Po ashtu, kuadrot e AKR-së drejtojnë edhe tri drejtori. Arben Dubova është drejtor në Drejtorinë e Administratës së Përgjithshme, Behar Mehmeti në Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Blerton Ajeti mbanë postin e drejtorit në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
AKR-ja, po ashtu ka edhe një numër të anëtarëve të saj që janë të përfshirë nëpër komitete përkatëse që janë trupa ndihmës të KK-së. /Besim TOSKA/