Kryesia e Partisë Demokratike (PD), me seli në Bujanoc, në mbledhjen e sotme, në kuadër të shtjellimit të shumë çështjeve, me theks të veçantë ka diskutuar edhe rreth takimit të përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë të mbajtur në Prizren.
Me këtë rast, unanimisht, ky takim u cilësua si historik, ndërsa i’u dha përkrahje e pa rezervë iniciativës për ndarjen e mjeteve për maternitetin dhe formimin e fondit të posaçëm për Luginën.
“Partia Demokratike konsideron se futja e Luginës në agjendën e mbledhjes së parë të përbashkët të dy qeverive është një ngjarje e madhe për shqiptarët e rajonit tonë dhe si e tillë paraqet një mbështetje të fuqishme nga Prishtina dhe Tirana zyrtare”, thuhet në kumtesën për media të subjektit që drejton komunën e Bujanocit, transmeton Titulli.
PD thekson se ky takim ishte një tregues i mirë se shqiptarët e Luginës nuk janë vetëm dhe se përkujdesja institucionale nga Shqipëria dhe Kosova dalëngadalë po merr formën konkrete e të shumë kërkuar.
“Në këto momente, nuk janë shumë të rëndësishme shifrat apo shuma e mjeteve të parapara, por rëndësi ka vet qasja serioze ndaj problemeve me të cilat ballafaqohemi ne në Luginë”.
Partia Demokratike, vlerëson se çdo tentim për të ironizuar dhe kundërshtuar format e mbështetjes institucionale të dy qeverive të sipërpërmendura shkon në dëm jo vetëm të shqiptarëve të Luginës por edhe të mbarë rajonit.
“Data e 11 janarit, kur edhe u mbajt takimi i përbashkët i Prizrenit, shënon një kthesë historike për raportet në këtë pjesë të Ballkanit. Andaj, ne shqiptarët me mburrje mund të krenohemi se e përjetuam një ditë të tillë, kurse fqinjët tanë nuk kanë pse të frikohen kur dihet se ne si popull jemi të orientuar për një bashkim i cili do të jetë i patjetërsueshëm në kuadër të Unionit Evropian”,
PD beson se çështja e Luginë do të jetë edhe temë e shumë forumeve tjera përbrenda institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, por në saje të lobimit vëllazërorë ajo do të diskutohet edhe në nivelet e larta ndërkombëtare.
Në këtë drejtim, Partia Demokratike me seli në Bujanoc, përshëndet edhe vizitën e paralajmëruar të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Serbi.
“Si subjekt politik shprehim bindjen se do të vie koha shumë shpejt që një vizitë të ngjashme të realizoj edhe kryeministri i Kosovës”.
Partia Demokratike shprehet e gatshme dhe e përkushtuar që qoftë si subjekt politik por edhe si bartëse e pushtetit lokal në komunë të Bujanocit, përmes kuadrove të saja, t’i konkretizoj format e bashkëpunimit me institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës.
“Gjithashtu ne kemi bërë edhe disa hapa konkrete në këtë drejtim ku vitin e kaluar kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë të Tiranës dhe Odën Ekonomike të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
PD kërkon që edhe institucionet tjera dhe subjektet politike të Luginës të veprojnë ngjashëm, në mënyrë që sa më të unifikuar të ndërtojmë raporte, në radhë të parë vëllazërore, me qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë, por edhe që bashkëpunimi të jetë konkret e i frytshëm, me të vetmin qëllim, që qytetarët tanë të jetojnë më mirë.