Disa qindra studentë, që po protestonin para Rektoratit të U.P “Hasan Prishtina”, janë përballur me kordonin e policisë, e cila ka përdorur forcën që t’i pengojë të hynë në ambientet e këtij institucioni më të lartë arsimor. Policia ka përdorur edhe spreje për të kthyer pas studentët.
Eprori, që po komandon njësitin e policisë në mbrojtje të objektit të Rektoratit, ka urdhëruar pjesëtarët e policisë që të mos lejojnë hyrjen e studentëve në ambientet e këtij institucioni.
Në hyrje të objektit ndodhen pjesëtarë të njësisë speciale të policisë si dhe punonjës të sigurimit të Rektoratit. Policë të tjerë tashmë kanë dalë jashtë portave të oborrit të Rektoratit, prej ku po pengojnë depërtimin e protestuesve brenda ambientit.
Raportohet për studentë e policë të lënduar. Për t’u dhënë ndihmën mjekësore kanë arritur edhe automjetet e urgjencës.
Pjesëmarrësit po brohorasin “Universitet, jo pushtet!”, “Marre!”, “Dorëheqje!”…
Kjo është dita e nëntë e protestës së studentëve dhe anëtarëve të një numri organizatash të shoqërisë civile.
Studentët po kërkojnë dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi pas zbulimit se kishte publikuar punime shkencore në një revistë të rreme në Indi. /kohanet/