Fituesi i zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit në Mitrovicën e Veriut nga lista “Srpska”, Krstimir Pantiq, është duke u hetuar nga Policia e Kosovës (PK) për një sulm, të cilin e ka kryer ndaj një serbi tjetër në këtë komunë.
Sipas burimeve të “Kohës Ditore”, Pantiq është marrë në pyetje nga policia më 28 janar të këtij viti.
Ky rast është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu. Sipas tij, rasti është denoncuar nga personi, i cili është sulmuar prej Pantiqit.
“Ky person ka dhënë deklaratë në polici dhe Policia është duke e iniciuar atë. Edhe Pantiq ka dhënë deklaratë dhe rasti pritet të procedohet për gjykatë”, ka thënë ai.
Derisa Sadria nuk ka dhënë detaje të tjera se si ka rrjedhur ngjarja, burimet e gazetës thonë se Pantiq i ka rënë me shuplakë qytetarit serb dhe aty ka filluar konflikti.