(2L ONLINE) – Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik në Gjilan përmes konferencës për media ka bërë të ditur që Komuna e Gjilanit është nikoqire e organizimit të panairit të prodhimeve vendore për regjionin e Lindjes. Ky panair do të mbahet në qendër të qytetit të Gjilanit që është organizuar së bashku me Qendrën Regjionale të Marketingut, të themeluar dhe financuar nga Komisioni Evropian, e ku parashihet të marrin pjesë mbi 100 prodhues.
Me këtë rast drejtori Ismajl Jonuzi, ka bërë të ditur se në koordinim me drejtorët e zhvillimit ekonomik të 10 Komunave të këtij regjioni dhe bashkërisht me ta, por edhe me mbështetjen e fuqishme të kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri është duke u bërë ky organizim.
“Ky panair është duke u organizuar me qëllim që të bëhet promovimi i prodhimeve dhe i biznesit lokal, por edhe krijimin e mundësive që bashkatdhetarët tanë të shohin prodhuesit e vendit të tyre gjatë pushimeve që ata kanë në vendlindje. Gjilani dëshiron të identifikohet me prodhuesit vendor dhe organizimi i panairit tani e tutje do të jetë tradicional i cili do të mbahet në fillim të muajit gusht. Poashtu qytetarët e Gjilanit dhe të këtij regjioni kanë mundësinë që gjatë ditës të shohin produktet vendore, pra, promovimin e produkteve por edhe mundësinë e shitjes së tyre, ndërsa gjatë mbrëmjes do të ketë program të pasur kulturo – artistik për të relaksuar dhe argëtuar qytetarët tanë”, ka thënë ndër të tjerash Jonuzi.
Ai ka spikatur që secili biznes do të ketë 9 metra katror hapësirë për të promovuar produktet e tyre, ndërsa vendi i mbajtjes së këtij panairi do të jetë qendra e qytetit. /2L ONLINE/