Në Prishtinë është hapur dhe zyrtarisht Panairi i 20-të jubilar i Librit, ku po marrin pjesë dhjetëra shtëpi botuese nga të gjitha qendrat shqiptare të Ballkanit.
Në mesin e dhjetëra shtëpive botuese, e pranishme në këtë Panair ( si edhe herave tjera) është edhe Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” nga Gjilani.
E themeluar në qershor të vitit 2011-të, kjo Shtëpi botuese, e cila deri më tash ka botuar mbi njëqind e sa libra zhanresh të ndryshme, në Këndin e saj të Librit, ka ekspozuar botimet e dy-tri viteve të fundit.
Kësaj here, nga kjo Shtëpi botuese dominon proza, përmes romaneve të Tomas Manit “Vdekja në Venecie” e Drita Fejzës, “Dritëhijet e fatit” dhe “Triumf dashurie”, po, edhe tregimi, ku paraprin libri i Ramadan Rexhepit ( i ribotuar) “Kumbonaret, në 55 vjetorin e botimit të parë, si dhe, tregimet e Sabit Rrustemit, “Mëkati që (s)e bëmë” e “Hiri i pritjeve të djegura”, po, edhe tregimet e Muhamet Halilit, me dy vëllimet e tija, “Fundi i heshtjes” dhe “Djersa e gurit” si dhe vëllimi me tregime i Baki Krasniqit, “Milioneri i një testamenti”.
Po, nuk është lënë anash as poezia, ku dominon sidomos poezia bashkëkohore shqipe si dhe ajo e përkthyer. Emra të njohur shkrimtarësh si Anton Nikë Berisha, Ramadan Mehmeti, Sabit Rrustemi, Xheladin Rexhepi etj, paaraqiten me veprat e tyre më të reja në poezi, përfshirë dhe krijues të tjerë, moshash më të reja, si: Naxhije Gashani, Sadete Tërnava – Osmani, Nuhi Sadiku, Selvete Abdullahu, Qëndresa Shala… e ndonjë tjetër.
Nga përkthjimet, bijnë në sy shkrimtarët italianë si: Alda Merini, Dante Maffia e Giovani Pistoia, pa e harruar dhe Jean Y. Carlenin me librin dygjuhësh, frengjisht e shqip, “Tregime për Kosovën” që ishte mjaft i kërkuar në ditën e parë të Panairit, bashkë me tregimet e Ramadan Rexhepit.dhe “Stinën e meseleve” 2 të Sabit Rrustemit.
Ekspozohen në këtë Panair, i cili do të zgjas deri më 10 qershor, edhe botime të tjera me interes, nga publicistika dhe tradita popullore.
Mos të harrojmë, organizatorë i Panairit të 20-të të Librit në Prishtinë, është Shoqata e Botuesve të Kosovës, mbështetur nga organe qendrore e lokale të Kosovës.