Rrahim Pacolli nga radhët e partisë së ish-Presidentit të Kosovës, biznismenti Behgjet Pacolli AKR, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit serb Aleksandër Vuciq. Ai i ka kujtuar kryeministrit serb se bashkëpunëtorët e kriminelit Millosheviq nuk janë të mirëseardhur në Kosovë.
Vlen të theksohet se Rrahim Pacolli kohëve të fundit është shumë aktiv me reagime e opinione të ndryshme.
Reagimi i plotë i z. Pacolli
Sapo u njoftova se për rastin e izoluar në fshatin Gorazhdec të Pejës paska folur edhe kryeministri serb Vuciq. Ai madje paska shkuar aq larg sa që paska thënë së për zbardhjen e këtij rastin nuk pret asgjë nga autoritetet kosovare por nga bashkësisë ndërkombëtare dhe në fund me ton kërcënues thotë se do ta vizitoi Kosovën për t`i trimëruar pakicën serbe që jeton këtu.
Nga pikëpamjet e mia personale i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që një leje të tillë për ta vizituar Kosovën të mos i lejohet kryeministrit serb. Ai me ton kërcënuese pretendon se në Kosovë është zot shtëpie, njëherë e përgjithmonë duhet t`i tregohet Beogradit se Kosova ka zot shtëpie dhe se Kosova është e gatshme t`i mbroje banorët e saj të çfarëdo etnie qofshin ata. Ndërkaq kryeministrit serb Vuciq njëherë e përgjithmonë duhet t`i tregohet se në Kosovë nuk janë të mirëpritur bashkëpunëtorët e kriminelit Millosheviq dhe se i njëjti Vuciq duhet fillimisht të kërkoj falje për gjenocid që ka ushtruar policia- ushtria dhe paramilitarët serb në popullatën e pa mbrojtur shqiptare gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë, ku pjesë e inkurajimit dhe vetë pjesëmarrjes fizike ishin dhe janë shumë personalitete politike që ende mbajnë poste të larta shtetërore në hierarkinë komanduese të Serbisë.