Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, në takimin e parë zyrtar, takoi sot ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett.
Ambasadori Kosnett uroi kryetaren Osmani për detyrën e re, duke ofruar përkrahje dhe bashkëpunim.
Në takim me ambasadorin amerikan, kryetarja Osmani diskutoi prioritetet e Kuvendit, rritjen e efikasitetit dhe mbikëqyrjes së Kuvendit në raport me Qeverinë, avansimin e diplomacisë parlamentare, bashkëpunimin me opozitën si dhe me të gjithë akterët e tjerë relevant.
Kryetarja Osmani e vlerësoi si ekzistencial bashkëpunimin dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u zotuar që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në të ardhmen.