Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se Kosova është palë konstruktive, e përgatitur dhe e angazhuar në procesin e dialogut, të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.
“Kosova asnjëherë nuk ka kontribuar në tensione dhe është angazhuar vazhdimisht për paqe dhe stabilitet si dhe për zgjidhje evropiane”, ka thënë Presidentja Osmani.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e Kosovës për ta vazhduar bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerët tanë, duke potencuar se angazhimi i vendit tonë në dialog është i bazuar në mbrojtjen e sovranitetit, rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Kosovës, të cilat janë të paprekshme.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e ndërtuar mbi parimin e një shoqërie multietnike ku të gjithë kanë të drejta të barabarta, pa dallim etnie. /2LONLINE/