Irfan Ukshini, ushtrues detyre për marrëdhënie me media pranë Qendrës Rajonale të OSBE-së në Gjilan, ka bërë me dije për Portalin e Lajmeve Lokale “2lonline”, se misioni i OSBE-së do të organizojë edhe një tryezë të rrumbullakët më 26 Gusht për të diskutuar rëndësinë e ruajtjes së ujit dhe fushatën për vetëdijesim për ujin.
“Urlich Biffar, drejtor i Qendrës Rajonale të OSBE-së në Gjilan, Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës së Gjilanit, Shaip Surdulli, kryetar i Komunës së Kamenicës, Nexhmedin Arifi, kryetar i Komunës së Vitisë si dhe Myrvete Hoti, drejtoreshë e Kompanisë Rajonale të Ujit do të marrin pjesë në tryezë për diskutim”, ka bërë të ditur Ukshini.
Ai tha se kjo ngjarje mbledh kryetarët e komunave, përfaqësuesit e Kompanisë rajonale të ujit “Hidromorava”, OSBE-në dhe KFOR-in, të cilët do t’i ndajnë përvojat më të mira të qasjes efektive institucionale dhe të qytetarëve për ruajtjen e ujit.
Përndryshe, tryeza do të mbahet të enjten më 26 gusht nga ora 11:00 në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Gjilan./2lonline/