Nevzad Isufi nga Lëvizja Vetëvendosje, në seancën e sotme të Kuvendit të Komunal të Gjilanit, ka ngritur shqetësimin që e kanë tregtarët e Gjilanit, që punojnë në Tregun e Gjelbër, e të cilët në momentin kur po mbahej seanca po protestonin, para objektit ku ndodhet selia e kryetarit, por edhe salla ku mbahet seanca.
Në treg parashihet realizimi i projektit të tregut të ri, por se Isufi tha se nuk është gjetur zgjidhje alternative për ata që punojnë aty dhe burim të të ardhurave e kanë punën nga tregu.
“Duhet me i gjet alternativë tregtarëve, kërkesat e të cilëve janë që të mos fillohen punimet në treg para datës 1 shtator 2019 dhe që punimet në treg të zhvillohen në faza, në mënyrë që të garantohet funksionimi i tregut”, ka thënë Isufi.
Edhe Riza Abdyli, nga PDK-ja, ka thënë se tregtarët, por edhe opozita nuk janë kundër projektit, por vetëm nuk duan që të pengohen në sezonin që kanë tregtarët, sepse kjo i godet ata, pasi burim të të hyrave kanë punën që bëjnë aty.
Edhe Mimoza Kadriu nga Nisma, tha se tregtarët kanë pritur këtë sezon të verës kur pritet të kenë punë, andaj edhe pse projekti është i mirë dhe përkrahët edhe nga ne, por edhe nga tregtarët, duhet gjetur zgjidhje që të mos u merret atyre sezona e verës.
Për këto shqetësime të kuvendarëve opozitarë, pati përgjigje nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, i cili ka bërë me dije se janë shqetësime të panevojshme sepse çdo gjë është sqaruar me tregtarët, me të cilët sapo ishte takuar, por që ka pasur edhe takime të mëhershme me ta, në këto dhjetë ditët e fundit.
Nënkryetari Ismajli tha se me tregtarët çështja është sqaruar sepse ai e konsideron se më tepër kanë mund të jenë të manipuluar sesa që ka pasur nevojë të jenë të shqetësuar edhe pse, shqetësimi i tyre mund edhe të kuptohet pasi, siç u tha, ata jetojnë nga puna që bëjnë aty.
Por, Ismajli tha se i ka siguruar tregtarët, se nga projekti i tregut, që do të nis të hënën, nuk do të cenohen bizneset e tyre, aktiviteti i tyre në treg.
Ismajli tha se kanë ra dakord me përfaqësuesit e tregtarëve që projekti të fillon të hënën, pa u larguar tregtarët, sepse ka marr garanci edhe nga punëkryesi se mund të punohet pa u penguar ata.
Pra, Ismajli tha se çdo gjë është sqaruar me tregtarët dhe nuk ka kurrfarë telashe, ata kanë përfunduar protestën dhe janë shpërndarë.