Operacioni policor “Poliklinika” arreston një shqiptar dhe një serbe për falsifikim, mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rreme dhe mbyll “poliklinikën”
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, po punon me përkushtim në ruajtjen e rendit publik, garantimin e sigurisë së përgjithshme dhe bazuar në autorizimet e saj ligjore po ndermerr veprime aktive edhe aty ku ka informacione për aktivitete të kunderligjshme që mund të cenojnë integritetin dhe sigurinë e qytetarëve tonë në çfardo forme të shfaqur.
Falë shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit të mirë edhe me qytetarët, janë realizuar hetime disa javore dhe është arritur që sot më 10.04.2019, të identifikohen dhe arrestohen dy persona të dyshuar:
-një mashkull/shqiptar kosovar me inicialet (A.A.) dhe
-një femër/serbe kosovare me inicialet (L.S.),
nën dyshim e bazuar se kanë kryer vepra penale ku përfshihen “Falsifikim i dokumentit zyrtar” neni 434, “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” nga neni 399, “Mashtrim” nga neni 335 dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 403 i KPRK-së.
Të dyshuarit e potencuar lartë me iniciale dyshohet se kanë keqpërdorur dokumente, diploma etj., me qëllim që poliklinikën t’a Licencojnë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Pas zhvillimit të hetimeve intenzive dhe profesionale nga Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, njësia rajonale në Prishtinë ekziston dyshimi i bazuar se janë kryer Veprat Penale të lartëpërmenduara.
Gjatë hetimeve, janë trajtuar të gjitha provat me profesionalizëm. Lidhur me rastin në fjalë është konsultuar edhe Prokurori i rastit (në PTH-Prishtinë) i cili është njoftuar për të gjitha veprimet e ndërmarra nga Njësiti rajonal për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë (NJRHKEK). Nga i njëjti jemi udhëzuar që në Poliklinikë të bëhet një kontroll i përbashkët me Inspektoratin Shëndetësorë të Ministrisë së Shëndetësisë me qëllim të verifikimit dhe vërtetimit të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet e ngritura.
Sot me datë 10.04.2019, është realizuar Plani Operativ “Poliklinika” i cili ka rezultuar me gjetjet e kërkuara, dhe kështu zyrtarët hetues kanë sekuestruar dokumentacione si prova materiale. Pas përfundimit të kontrollit, Poliklinika në fjalë është mbyllur nga Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërsa hetuesit policor, në koordinim me Prokurorin e rastit, kanë arrestuar të dyshuarin e parë të rastit të cilin e kanë shoqëruar në ambientet policore. Menjëherë është ftuar edhe e dyshuara e dytë e rastit, e cila po ashtu është arrestuar.
Pas intervistimit të dy të dyshuarve të arrestuar (A.A.) dhe (L.S.), Prokurori i rastit ka lëshuar Aktvendim mbi ndalimin e tyre për 48 orë, për procedura të mëtejme sipas ligjit.