Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK ), toger Dritëro Bajrami fitoi çmimin “Studenti më i mirë” në Kursin Trajnues për Instruktor ITC në Republikën Çeke, në mesin e 30 studentëve oficerë dhe nënoficerë nga disa shtete pjesëmarrëse të botës, njofton Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Trajnimi është planifikuar dhe udhëhequr nga Ekipi Këshillues Ushtarak Britanik (BMAT), dhe përfshinte aktivitete të ndryshme nga udhëheqja, përgatitja e instruktorëve për operacione paqeruajtëse dhe detyra tjera, të cilat ndikojnë në ngritjen e aftësive profesionale të pjesëtarëve të FSK-së.
Përveç toger Bajramit, pjesë e këtij trajnimi ishin edhe tre nënoficerë të FSK-së si dhe oficerë dhe nënoficerë nga Azerbajxhani, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Republika Çeke, Gjeorgjia, Kazakistani, Malta, Sllovakia dhe Ukraina.
Pjesëtarët e FSK-së, pjesëmarrës në këtë kurs, kanë treguar rezultate të larta si në aspektin akademik ashtu edhe në atë praktik, ndërsa çmimi i fituar nga toger Bajrami reflekton edhe njëherë përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë të pjesëtarëve të FSK-së.
Vlen të theksohet se në Republikën Çeke dhe në Kosovë nga Ekipi Këshillues Ushtarak Britanik (BMAT) janë trajnuar mbi 60 pjesëtarëve të FSK-së, oficerë dhe nënoficerë, njofton Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK). /2LONLINE/