Në kuadër të Forumit Ekonomik Kosovaro-Austriak, Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci i shoqëruar nga një delegacion i Odës Federale Ekonomike të Austrisë, i prirë nga Menagjeri Regjional për Evropën Jug-Lindore, Konstantin Bekos kanë vizituar sot Innovation Centre Kosova (ICK).
Me këtë rast Drejtori Ekzekutiv i ICK-së, Uranik Begu ka njoftuar delegacionin austriak me punën dhe të arriturat e kësaj qendre, duke theksuar se potenciali rinor që ka Kosova ka nevojë për më shumë programe inovative.
Ai tha se kjo qendër shërben si inkubator për idetë e reja për biznes dhe deri tani ka ofruar më shumë se 120 kurse trajnimi. Begu tha se programet e ICK-së mbështeten nga donatorët, ndërsa nënvizoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e Ministrit Stavileci.
Nga ana e tij, Menagjeri Odës Federale Ekonomike Austriake, Konstantin Bekos vlerësoi punën e ICK-së dhe shprehu interesimin e institucionin që drejton për të mbështetur programe të tilla që kanë për qëllim zhvillimin e ideve të reja, veçanërisht në fushën e teknologjisë informative dhe komunikimit.