Muhamet HALILI
ODA E BURRIT
Kësaj here, oda më e njohur e kësaj ane për mikpritje nuk po priste miq. Këtë vend të burrërisë, besës dhe mikpritjes së mysafirëve e kishte mbuluar nata sterrë, falë të bëmave të atyre që në brendësi të saj u futën me çizme mbathur. Ishte një natë që nuk e donte as hënën dëshmitare pasi e kishin mjegulluar ndriçimin e saj tymnaja të zeza shtëllung nga tërë ato shtëpi që po vazhdonin të digjeshin akoma.
Odës ia kishin marrë edhe ngrohtësinë uniformat e ftohta që kishin pushtuar brendësinë e saj. I vetmi ndryshe nga të tjerët, ishte plaku plisbardhë ulur pranë vatrës së pa ndezur. Këmbëkryq me cigare në dorën e rrudhosur nga mosha po qëndronte mes dy prej ushtarakëve me grada, që poashtu kishin bërë këmbët kryq, pas të cilëve ishin të ulur edhe të tjerët radhë. Para vetës kishin kutinë e duhanit dhe taketuket. Kafetë e zakonshme të odës ishin zëvendësuar me shishe uji të ambalazhuar.
Kjo pamje do të dukej krejtësisht një panoramë normale e një ndeje burrash, ku mikpritësi po i gostiste mysafirët e nderuar, sikurse këtë normalitet të sajuar të mos e prishte tabloja e tërësishme e odës, pasi karshi tyre po qëndronte ushtaraku me kamerë dore dhe një trupmadh me mëngë të përvjela, i gatshëm për të ushtruar dhunë.
Qetësinë e momentit e prishi ofshama e plakut. Sikletin e tij e nxirrnin jashtë pasthirrmat e herëpashershme – “Eu bre”, “ahu”, “uf”!…
Këtë natë po e rëndonin edhe të lehurash qensh e sidomos nervozizmi i ushtarakëve me grada, pasi bashkëbiseda me plisbardhin nuk po e merrte rrjedhën e dëshiruar.
– Hajde plak, se a po e sheh që nuk e kemi kohën luks, – u mundua të shfaqte sërish mirësjellje ushtaraku në krahun e majtë.
Edhe ushtaraku nga ana tjetër iu drejtua sërish plakut, po me ton të butë, për t’ia përkujtuar se krejt çfarë po kërkonin ishte një falënderim nga ai si kryeplak i fshatit, që këto forca ushtarak i ndihmuan dhe i shpëtuan fshatarët nga “terroristët’, nga të cilët ky fshat ishte në hall.
– Hajde, fol pak me mua, përgjigju mirë në ato që të pyes, – thoshte ushtaraku në të majtë që dukej se ishte komandanti.
– E çka me thanë?! – pyeste plaku sërish.
Jo se nuk e kuptonte, por me pyetje në pyetje, donte të tregonte se nga goja e tij nuk do të dilte asnjëherë ajo që ata donin të dëgjonin.
– UÇK-ja është terroriste, po i bënë zullum fshatit! – kaq e lehtë është, e udhëzonte prerë, sërish komandanti i ushtrisë së huaj.
– Po ata tanët janë, djemtë më të mirë bre… foli plaku nën ofshama, por një e goditur nga trupmadhi ia ndali edhe njëherë fjalën në fyt.
Ndërsa ndërhyrja e komandantit duke e sharë ushtarin po bëhej gjoja se po i dilte krah plakut.
– Thuaj ata po na i kallin shtëpitë, – e udhëzonte ushtaraku në të djathtë.
– Qysh, unë me thonë a?!, – sërish përgjigjej me pyetje, plaku në hall.
– Po ju bre i kallët shtëpitë tona, – vazhdonte me atë ton që e refuzonte qetësisht atë që i kërkohej ta thoshte.
– Hej! – i bërtiste, komandanti nga ana tjetër, sa herë merrte përgjigje trimëruese.
– A po do me të q* nënën. Më dëgjo edhe njëherë mirë, nuk e përsëris më. Thuaj tash, para kamerës, kur të pyes, se ju jeni falënderues ndaj shtetit e ushtrisë që iu shpëtuan nga e ashtuquajtura UÇK.
Edhe kur si fliste goja, frymëmarrja, shikimi dhe mendimi i thelluar e thoshin të kundërtën.
Seç i shndriste balli i djersitur, plisi i rrinte mirë, merrte forcën e një qëndrestari, e ndërtonte murin e pamposhtur brenda tij. Forcë i jepte edhe ajo që sa herë përmendeshin ato tri shkronja, të arta për të, qoftë edhe nga gojëligët, mendje i shkonte atje te ata, në male, sikur ua shihte një për një fytyrat me nur dhe duke i përqafuar i përgëzonte, me urimin: “Ju lumtë pushka trima”.
Britma e komandantit ia ndërpriste mendimet ku tretej për pak me shpirt e trup të lodhur.
– Thuaj ata po i ndezin shtëpitë tona, po na i trazojnë familjet, pse nuk po bashkëpunojmë me ta e nuk po u japim çfarë kërkojnë.
Nga kjo kërkesë e rëndë plumb, plaku seç i ngriste vetullat ca, me një të lëvizur koke anash, herë në njërën, e herë në tjetrën anë si mohim, thithte njëherë cigaren, nxirrte pak tym, për t’u përgjigjur.
– Po ju bre i kallet shpitë tona, ju po merreni me gra e fëmijë…
Trupmadhi, herë pas herë, bënte punën e tij, e bëri edhe tani!
Plaku ndjente dhimbje trupore, por qëndronte stoikisht me shpirt, aty nuk thyhej dhe vazhdonte me të tijen.
– I vratë djemtë e Sefës, të vegjël sa troha, plakën e paralizueme, shtitë me armë edhe mbi bagëti!….
– Hej, mshele! – e ndërprenë me të bërtitura e të shara, që të dy ushtarakët që i kishte në krah plaku plisbardhë.
– A po e sheh këtë të madhin. Nga “Çmendia” e kemi nxjerrë. Nuk më bindet as mua, nuk më dëgjon. Po hajde mos më nxjerrë punë me të as mua. Thuaji ato dreq fjale e shkojmë të gjithë punëve tona, – insistonte komandanti.
– Zoti është i madh. Ndaleni zullumin, – ia ktheu plaku.
– Ata janë terroristë, thuaj, – përsëriti edhe njëherë, por tani me gishtin tregues ka ushtari i tij me kamerë, duke ia bërë me dije se plaku andej duhet shikuar.
Komandanti me mimikën në fytyrën e tij deshi t’i tregojë plakut se në këtë çast iu kishte sosur durimi, prandaj bërtiti nën jargë, me sa fuqi që kishte: “Ata janë teeerroooriiistë!”.
Por, edhe plakut i shpërtheu diçka përbrenda.
– O, pasha Zotin nuk janë bre, – i dolën fjalët nga thellësia e shpirtit.
– Ata janë çlirimtarë! – tha rrastë plaku, duke e shikuar drejt e në xixa të syve ushtarakun që i bërtiti.
Ishte kjo një përgjigje që e çmendi komandantin.
Sidomos fjala çlirimtar i erdhi si plumb i shkrepur në vesh, sa që ishte ai që kësaj here i ra shpullë plakut, e jo trupmadhi.
Për dallim prej herëve të tjera kur pas çdo të goditure e merrnin me të mirë duke e fajësuar ushtarin dhunues për budalla që nuk merr vesh, kësaj here komandanti nuk e përdori këtë taktikë.
U ngrit në këmbë me nervozizëm. Ishte sinjal se ajo që synohej nuk po arrihej dhe se po hiqte dorë. Pasi tij u quan edhe të gjithë të tjerët.
Shikimin e egër të komandantit, në urdhër të kuptueshëm për të, e ktheu trupmadhi që tani në dorë po mbante një bajonetë.
Të lehurat e qenve u përzien me lloje-lloj të sharash, nga ushtarët që po dilnin nga oda e plisbardhit.
I fundit doli trupmadhi, duke fshirë me plis, bajonetën e gjakosur, të cilën e ktheu në këllëfin që e kishte në brez.
Dalëngadalë po afrohej agimi. Qiellin, që e kishte humbur ngjyrën e saj të natyrshme, nga e zeza kohë, po e griste, vende-vende, një e kuqërremtë paralajmëruese se rrezet e diellit po kërkonin të shpërthenin deri në shpërbërje, e të zezës re.
Donin për t’u bashkuar edhe me një rreze dielli, aty poshtë në odë, për ta ngritur si dritë e bekuar, lart në qiellin e trazuar, të cilit, Lisat e Malit, shumë shpejtë pritej t’ia kthenin të gjitha nuancat e të kaltrës.